‘Receta për të vdekurit’: Farmacitë e lidhura me ish-drejtues të Fondit nën akuzë për mashtrim

18 Janar 2019, 18:14Sociale TEMA

Prokuroria e Tiranës lëshoi urdhër-arreste për Gazmend Aliajn dhe Petrit Skurën pas akuzave të ngritura për mashtrim me ilaçet e rimbursueshme përmes recetave të falsifikuara në emër të personave të vdekur apo atyre që jetojnë jashtë Shqipërisë.

Nga Vladimir Karaj

Një rrjet farmacish të lidhura me ish-drejtues të Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor janë vënë nën akuzë për mashtrim me rimbursimet përmes recetave të falsifikuara në emër të personave të vdekur ose atyre që jetojnë jashtë Shqipërisë.

Prokuroria e Tiranës njoftoi të premten se pjesë e skemës së dyshuar të mashtrimit janë farmacitë “Bioplus” dhe “Medigreen” në pronësinë e Gazmend Aliajt si dhe farmacia “Geni&Lori” në pronësinë e Loranda Skurës.

Prokuroria e Tiranës njoftoi gjithashtu se kishte lëshuar urdhër-arreste për Petrit Skurën dhe Gazmend Aliajn. Megjithatë, urdhër-arrestet nuk janë ekzekutuar ende pasi asnjëri prej tyre nuk është gjetur në vendbanesë nga policia.

Procedimi penal për skemën e mashtrimit me ilaçet e rimbursueshme u regjistrua në qershor 2018 me akuzën e “shpërndorimit të detyrës”. Prokurori Ervin Karanxha tha se policia e Tiranës kishte bërë një referim të dytë në Prokurori, pas publikimit të një investigimi të BIRN në nëntor 2018, që ekspozonte një rrjet farmacish në pronësi të familjarëve të drejtuesve të Fondit, të cilat kishin përfituar shuma marramendëse rimbursimi përgjatë 10 viteve të fundit.

“Nga hetimet e kryera na ka rezultuar se farmacitë e mësipërme kanë lëshuar receta dhe kanë përfituar rimbursime në emër të personave të vdekur apo të personave që jetojnë jashtë Shqipërisë,” tha Karanxha për BIRN. “Pjesë e këtij procedimi janë edhe persona të tjerë, të cilët po hetohen në gjendje të lirë,” shtoi prokurori.

BIRN mësoi se vetëm për një periudhë 5-mujore, farmacitë e mësipërme kanë rimbursuar receta për rreth 400 persona në kundërshtim me ligjin, ndërkohë që vlera e rimbursimit për çdo recetë varionte deri në 30 mijë lekë.

“…Janë pajisur me recetë në mënyrë te përsëritur nga 2 deri në 5 herë shtetas të cilët kanë qenë të vdekur. Konkretisht rezulton se ndodhen 79 receta të rimbursuara dhe 35 shtetas/ pacientë, të cilët janë pajisur me ilaçe disa herë, ndonëse këta persona rezultojnë të vdekur në regjistrin e gjendjes civile,” tha Prokuroria. Verifikime janë kryer edhe përmes sistemit TIMS, të cilat kanë zbuluar se receta fiktive janë lëshuar edhe në emër të personave që nuk jetojnë në Shqipëri.

Në një investigim të botuar në nëntor 2018, BIRN zbuloi se një rrjet farmacish të hetuara më parë për mashtrim me subvencionet dhe në pronësi të familjarëve të ish-drejtuesve të Fondit kryesonin listën e rimbursimeve të ilaçeve në dhjetë vitet e fundit, duke ngritur dyshime për favorizim dhe konflikt interesi. Farmacitë “Bioplus”,”Medigreen” dhe “Geni& Lori” janë pjesë e këtij rrjeti farmacish.

Petrit Skura është babai i ish-nëndrejtorit të FDSKSH, Sokol Skura, ndërsa Gazmend Aliaj është kunati i drejtorit të Politikave në Fond, Aleksandër Haxhi. Përpara se të bëheshin pronarë farmacish, Skura dhe Aliaj kanë punuar si kontrollorë në drejtorinë e Fondit për Tiranën.

Të dhënat e analizuara nga BIRN tregojnë se nga viti 2010 deri në prill të vitit 2018, FSDKSH shpenzoi 48.8 miliardë lekë [390.8 milionë euro] për rimbursimin e ilaçeve, fond nga i cili përfituan rreth 850 subjekte farmaceutike. Nga kjo listë, një grup prej 24 subjektesh, që përbëjnë 2.8 % të farmacive me kontratë në vend kanë përfituar 9.4 % të fondit ose 36.6 milionë euro nga viti 2010 deri në prill 2018.

Lista e subjekteve përfituese udhëhiqej nga një grusht farmacish të lidhura me drejtorin e politikave në Fond, Aleksandër Haxhi dhe kunatin e tij Gazmend Aliaj, si dhe ish- nëndrejtorin e FSDKSH-së, Sokol Skura.

Gjatë dekadës së fundit, bashkëshortët Aliaj nëpërmjet farmacive Nikol 1, Nikol 2, Nikol 2 –IRA, Bio Plus dhe Medigreen kanë qenë farmacistët me rekordin më të lartë të rimbursimeve, duke arkëtuar 974 milionë lekë [7.75 milionë euro] nga FSDKSH.

Farmacitë e lidhura me ish- nëndrejtorin e fondit, Sokol Skura renditen në vend të dytë. Përveç farmacisë Geni&Lori, që është në pronësi të kunatës së tij, Loranda Skura, Sokol Skura ka në pronësi farmacitë Coli’s dhe Eurofam2. Në total gjatë 8 viteve të fundit, tre farmacitë në pronësi të familjes Skura – Geni&Lori, Eurofam2 dhe Coli’s kanë përfituar 765 milionë [6 milionë euro] lekë rimbursime nga FSDKSH.

Në një intervistë për BIRN në nëntor 2018, Sokol Skura ia dedikoi suksesin e farmacive të tij përkushtimit në punë, ndërsa Gazmend Aliaj nuk iu përgjigj një kërkese për intervistë.

“Të ardhurat relativisht te mira të dy farmacive të mia justifikohen nga furnizimi i mirë me barna, për të cilat unë tatohem dhe jap të gjitha të dhënat çdo muaj pranë institucioneve përkatëse,” tha Skura. “Jam hetuar nga ILDKPKI, nga hetimi tatimor, nga Fondi kam pasur një kontroll të plotë dhe kam dalë i pastër,” tha ai.

4 komente në “‘Receta për të vdekurit’: Farmacitë e lidhura me ish-drejtues të Fondit nën akuzë për mashtrim”

  1. Usrasi says:

    Jo vetem keta, por shtriheni hetimin edhe ne Librazhd Prrenjas, ku drejtori ujesjellesit Agron Gega ka gruan farmaciste ben namin. Te lidhur me deputetin e Librazhdit Taulant Balla, Skurrajt dhe Gega jane nder sponsoret financiare. Ja si fitohen zgjedhjet ne Librazhd dhe gjithe Shqiperi nga bandat e kuqe. Sponsorizo 1 leke dhe me mbeshtetje politike fito 1000. Ketij mileti me thelle tja fusin se hanosh ka qene e do te jete. Poshte hajdutet e kuq, fatkeqesia e ketij vendi.

  2. era! says:

    Hajdutet ne litar!

  3. Ervina says:

    Dhe gjithmone sipas jush peshku qelbet nga bishti. Recetat nuk i leshon farmacia por i leshon mjeku, dhe sistemin e recetes elektronike e ka pergjegjesi ministria e shendetesise bashke me fsdksh ( fondin). Kam punuar ne venien ne zbatim te recetes elektronike e cila nuk eshte fare funksionale dhe nuk sherbeu ndonjehere as per lehtesimin e procedurave te pacienteve dhe as per evitimin e abuzimeve me recetat me rimbursim por thjesht sepse ato leke (€,$ apo cte jene) duhej te futeshin ne xhepin e minsitrit beqaj ( ose edhe te kryeministrit). Keshtu qe kur mendoni te beni nje artikull ose bejeni tamam ose lereni fare

  4. land bala says:

    kjo eshte loje bpalles qe te mos kete kundershtare , keto histori kane kohe pse u lane deri tani, te hapen edhe dosjte e tij ai eshte zhytur thelle

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje