Referimi elektronik, përgjysmohet koha e pritjes për një vizitë të specializuar

18 Janar 2019, 09:40Sociale TEMA
Referimi elektronik, përgjysmohet koha e pritjes për një

 “428 mijë qytetarë ose mbi 90% e qytetarëve të targetuar për kontrollin mjekësor bazë e kanë kryer Check up në vitin 2018 në qendrat shëndetësore në të gjithë vendin”. Deklarata u bë nga Ministrja Manastirliu gjatë inspektimit në qendrën shëndetësore nr.  4 në Tiranë, e cila ka përfunduar rehabilitimin e plotë, pjesë e programit të rehabilitimit të 300 qendrave shëndetësore në 4 vite.

“Check-up për ne është pikë referimi. Na ka ndihmuar shumë, sepse kemi zbuluar diagnoza që qytetari as që nuk e dinte që i kishte, sidomos sa i takon sëmundjeve kardio-vaskulare”, u shpreh dr. Leonidha Pepo, kardiolog në qendrën shëndetësore nr. 4.

Duke theksuar rëndësinë e programit të qeverisë për rehabilitimin e 300 qendrave shëndetësore për krijimin e kushteve më të mira të punës për mjekët dhe infermierët dhe rritjen e cilësisë së shërbimeve për qytetarët, Manastirliu u shpreh:

“Jo vetëm infrastruktura është e rëndësishme, ndaj me programet e shëndetësisë elektronike, si receta elektronike dhe referimi elektronik, këtë vit përgjysmuam kohën e pritjes për një vizitë të specializuar”, tha Manastirliu.

Gjatë takimit me stafin mjekësor të qendrës shëndetësore nr. 4 në Njësinë 9 në Tiranë, ku Manastirliu është edhe deputete e zonës, Ministrja e Shëndetësisë u shpreh se sistemi shëndetësor në vend ka nevojë  për tu riorganizuar, bazuar në ndryshimet demografike, profilet e sëmundshmërisë, nevojat e qytetarëve dhe pritshmëritë e personelit mjekësor.

Investimi I kryer në qendrën shëndetësore nr. 4, një prej 80 qendrave të rehabilituara me buxhetin e shtetit si pjesa e parë e programit të rehabilitimit të 300 qendrave shëndetësore, i shërben 65 mijë banorëve të qytetit të Tiranës.

 

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje