Kampionati shqiptar i futbollit mbijeton nga të ardhurat që UEFA ka injektuar në çdo vit në futbollin e vendit tonë dhe pa to, kolapsi do të ishte totalisht i pashmangshëm.
Kjo pasqyrohet qartësisht në raportin e publikuar nga institucioni i futbollit dhe që i përket vitit 2017, duke treguar se rënia është e vazhdueshme dhe se situata është shumë tmerrësisht e zymtë.
Kështu, sipas UEFA-s, të ardhurat për futbollin shqiptar shënojnë 5-15% rënie në vitin e fundit dhe Kategoria Superiore regjistrohet mes 12 vendeve të vetme evropiane që kanë shënuar rënie të të ardhurave në vitin 2017, kurse trendi i përgjithshëm në kontinent është që të ardhurat janë në rritje, pasi futbolli është thuajse kudo sporti më popullor dhe që gjeneron fitime të mëdha.
Shqipëria, në mënyrë specifike regjistron një rënie me përqindje dyshifrore të sponsorizimeve dhe të ardhurave nga aktivitete komercviale në vitin 2017.
Sipas UEFA-s, Superiorja në vitin 2017 ka pasur 7,6 milionë euro të ardhura për të gjitha klubet e elitës. 74% e këtyre të ardhurave vjen nga donacionet e UEFA-s, nëpërmjet shumave që sigurojnë klubet nga pjesëmarrja në Europë, donacionet nëpërmjet fondeve të solidaritetit, etj, duke shënuar përqindjen më të lartë në Europë.
Vetëm 6% rezultojnë të jenë sponsorizime të mirëfillta të regjistruara, 17 % klasifikohen si “të ardhura të tjera”, 2% është totali i të ardhurave të futbollit tonë nga e drejta televizive dhe vetëm 1% janë të ardhurat që përfitojnë klubet nga shitjet e biletave në stadiume.
Për të kuptuar më mirë, situata është aq problematike dhe të ardhurat që sigurojnë klubet janë aq minimale, sa pjesa më e madhe e tyre shkojnë për të paguar rrogat. Sipas UEFA-s, 70% e të ardhurave në këtë vit, rreth 5,4 milionë euro, kanë përfunduar për pagesat e lojtarëve dhe stafeve të skuadrave, shkruan Vipsport.
Ky raport tregon edhe një herë se si me menaxhimin që i është bërë kampionatit nga FSHF, futbolli në vendin tonë ka pësuar vetëm rënie të vazhdueshme dhe situata përkundrejt asaj që trumbetohet, apo vizitave të ndërkombëtarëve për të “mësuar nga eksperienca shqiptare”, situata vetëm përkeqësohet, duke regjistruar rekord pas rekordi në aspektin negativ që tashmë pasqyrohet edhe në raportet e UEFA-s.