Kategoria Superiore është i vetmi kampionat në Europë që zyrtarisht ka një skuadër të dënuar nga UEFA me 10 vite përjshatim nga Kupat e Europës, që është Skënderbeu për shkak të trukimeve – dhe një tjetër që pritet të ketë fatin e korçarëve i cili është klubi i Luftëtarit që është vendosur nën hetim po nga UEFA për të njëjtën çështje: trukimet.
Sot gjatë një prononcimi për mediat presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armando Duka, ka mashtruar duke deklaruar se ai nuk është në dijeni nëse ka apo jo një hetim nga UEFA për Luftëtarin.
“Nuk e di a ka një hetim në lidhje me Luftëtarin, por është normale. Për sa kohë ka aktivitet sportiv, çdo klub apo individ edhe mund të hetohet, edhe mund të dyshohet”, tha kreu i FSHF-së.
Ky është një mashtrim i pastër nga ana e Armando Dukës – pasi FSHF-ja të cilin ai e ka kthyer në një institucion dhe biznes privat është vëne në dijeni që me datë 7 shtator për hetimin e klubit të Luftëtarit.
“Luftëtari është përfshirë në disa ndeshje të dyshimta të Europa League, të cilat janë nën hetim nga sektori i Integritetit, e pagesat për pjesëmarrjen në Europë janë bllokuar derisa të zgjidhet kjo çështje. Siç jeni në dijeni, UEFA ka detyrën të mbrojë integritetin e aktiviteteve të saj dhe të ndalojë të gjitha metodat që mund të rrezikojnë ndershmërinë e ndeshjeve, gjëra këto që mund të nxisin abuzimin me futbollin”, thuhet në shkresën që UEFA i ka FSHF-së.
Pra, është e qartë që Armando Duka është vendosur në dijeni për hetimin e UEFA-s për klubin shqiptar dhe deklarata e tij sot tregon se ai mban gjithnjë anën e trukimeve që kanë gjithë bekimin dhe mbështetjen e tij dhe vetë Federatës.
Ajo që është anormale është fakti se Dukës i duken normale hetimet që UEFA kryen për klubet shqiptare për një fenomen që është tërsisht i jashtëligjshëm, siç janë trukimet e ndeshjeve që rrjedhimisht sjellim përfitime të paligjshme nga hedhja e ndeshjeve në kompanitë e basteve.
Të quash normale hetimet e trukimeve tregon qartë se je një person që je i përfshirë në këto afera korruptive dhe ke frikë t’i denoncosh dhe të distancohesh nga ky fenomen.
Ndaj dhe sot futbollit shqiptar është një lojë e gjitha fallco – përderisa ky fenomen vijon të ekzistojë dhe ka gjithë mbështetjen e vetë kreut të FSHF-së. (TemA)
Më poshtë shkresa e UEFA-s dërguar FSHF-së për hetimet ndaj klubit të Luftëtarit.