“Nderojeni 21 Janarin duke mos folur më për të”

21 Janar 2019, 17:36Blog TEMA

Nga Andrea Danglli

Sërish karafila të lara me lot artificialë, heshtje mortore si maskë mëkatesh dhe një grusht fjalësh hipokrite të cilave nga viti në vit u ka ndryshuar veç kronologjia.

Në media përsëri shkrime patetike, disa emisione përkujtimorë dhe copëza rebelimesh për të fshehur ndonjë oreks partiak. 

Pastaj diku ca intervista me familjarët e viktimave, në një vend lutje të dëshpëruara nga qielli e toka mbi të vërtetën dhe në fund zotime publike për një drejtësi që i është thyer çekiçi, apo më saktë s’ka pasur kurrë një të tillë. 

Pas këtyre akteve të inskenuara me kujdes, në horizont s’duket më asgjë e re.  Peshorja e vjetër e drejtësisë, paçka se e lyer me bojën e reformës së re, nuk jep shenja optimizmi për krimin gjakatar që sot s’ka më nevojë të hetohet, por të ndëshkohet.  

Në një klimë të tillë hipokrizie, është e turpshme të përsëritet nga politika se më 21 janar 2011 u ekzekutuan 4 vetë dhe u lënduan keqas mbi 30 të tjerë.  

Madje-madje, s’është më e nevojshme as të premtohet ligjitimitet, përderisa bashkëfajtorët kanë ngrënë në të njëjtën pjatë, kanë pirë në të njëjtën gotë dhe kanë vjedhur në të njëjtat xhepa.

Këtu fjala është për oreks ngjalash, kolltuqe pushteti dhe marrëveshje nëntoke që shqiptarët i mësojnë veç kur u duhet të mbajnë pasojat mbi sup.  

Është ulëritëse të dëgjosh, lexosh apo shohësh kur përgjegjësia e ngelur jetime shigjetohet drejt njëri-tjetrit e ngjyer me fjalë të bukura, mimika të ngrysura dhe korda zanore që do i kishte zili çdo funeral.  

E pse duhet të flasë politika për këtë datë të kobshme në një kohë kur 8 vjet, 96 muaj dhe 2 922 ditë s’i mjaftuan për të çuar pas hekurave gdhendësit e 4 arkivolëve të 21 janarit?  

Pse duhet të flasë më politika, që të kërkojë kohë, të kërkojë mëshirë, të justifikohet, të akuzojë kundërshtarin, të tregojë të vërtetën e saj, të pastrojë ndërgjegjen e ndotur?  

Pse duhet besuar kur prej saj dosja hetimore u pengua, urdhër ndalimet s’u ekzekutuan, agresorët morën pafajësinë, bashkëpunëtorët u bënë ligjvënës dhe shkaktarët kryesorë ngjitën shkallët e karrierës duke kapur majat e pushtetit.   

Absurde nëse ndokush e dëgjon më! Koha e deklaratave ka vdekur përfundimisht bashkë me shpresat naive që sot ju bënë homazhet e fundit.   

Tashmë, e vetmja mënyrë për të nderuar 21 janarin është të mos e përdorim më politikisht dhe mediatikisht duke e kujtuar në këtë formë.

T’i lemë të gjejnë prehjen e qetë ata që dolën për Shqipërinë, ku harruan se në këtë vend, ëndrrat dhe idealet shpohen me plumba. Boll i vramë duke folur, madje i lëndojmë sërish qoftë edhe duke u lutur!

4 komente në ““Nderojeni 21 Janarin duke mos folur më për të””

  1. Doni rrumpallen vdekjeprurese apo shtet says:

    Sepse duhej reformuar drejtsia e djallit

  2. Shoku says:

    Sot eshte 21 janari 2019, 8 vjet nga masakra e ndodhur ne Bulevardin ” Deshmoret e Kombit ” Me 21 janar 2011 u vrane 4 qytetare . U vran kater qytetarr te cilet qendronin me duar ne xhepa. I vrau shteti i vet ,i quajtur shtet ne sistemin demokratik ku njerezit kane te drejte te protestojne per te drejtate tij. I vrau shteti i drejtuar nga Sali Berisha, ai qe uluret dite e nate per demokraci. I vrau duke urdheruar ministrin e brendshem qe te jap urdher per te qelluar mbi populin e tij. E ai minister qe percoli urdherin ishte LUlzim Basha. E ky Lulzim foli sot ne celejen e sezionit te ri parlamentar. Po,po foli sot me 21 janar 2019 8 vite me pas e pikerisht ne ate date ku skuqi bulevardin me gjakun e qytetareve te thjeshte. Foli e foli,por nuk e permendi ne asnje tingull qe nxier nga goja 21 janarin e vitit 2011 ku vrau qytetaret e thjeshte e la jetim disa femije,veshi ne te zeza disa nena,gra e motra. Pse jo ate dite veshi ne zi pjesen derrmuese te popullit shqiptar. Foli Lulzim Basha per hajdut e kriminel, por nuk tha se hjduti kryesor ishte edhe ai vet . Nuk permendi se apo ai Lulzim Basha akuzohet nga kontrolli i larte i shtetit per vjedhjen e 230 milion lekeve . Foli per kriminel,por harroi se kriminel eshte vet ai . Fliste e levizte duart duke i drejtuar nga ministret e reja, i ofendoi ato ,por nuk shikonte se nga duart e tij pikonte ende gjaku i te kater te vrareve me 21 janar 2011. PO ,po ishte gjaku i vellezerve tane te shtrire atje ne bulevard. PO foli tamam si gjithmon, foli tamam.si rrugac. Vetem rrugaci,pa edukati,hajduti e kriminelei ofendon. Qeshte si adolishent duke kujtuar se i poshtroi ato vajza, apo gra qe iu besuan drejtimi i digastereve . Foli e qeshte si femije i llastuar kur nenea i jep nje koqe veze apo nje karamele. Qau hallin e pensionisteve ,te fshatareve e sidomos hallin e Shqiperise se po i largohen njerzit,po nuk foli per gruan e femijet etij qe i ka ne Hollande e madje gruaja e tij ka mohuar edhe vendin e saj ,vendin e Lulzimit nga i cili vetem mer leket … Ja ky ishte Lulzim Basha ky rrugac e kaluar rrugacit. Ky qe bene thirrje qe populli te dali ne proteste e te vije ku rruga, ky kriminel ,ky hajdut ne pushtet. Foli dhe injorantja e LSI-se,por per kete nuk po zgjatem se eshte humbje kohe . Shiko trekendeshin MONILA- KERRPACI- Mehmetaj. Mendoni keto ne qeveri dhe votoni po deshet ..

  3. Njenga pupulli says:

    Mire mor mire,por ka nje kufi ne demagogjite e perdorura
    prej politikaneve,per mua veçanrisht atyre ne qeverisje.
    Askush nuk i pengonte ti conin prapa hekurave autoret e
    kesaj masakre qe per nga forma eshte 4 shkurtii i nazizteve!
    E po edhe drejtesia e “reformuar” eshte ajo plaka
    e lyer me krem per tu dukur e re…
    Si vraresit edhe ata qe nuk bejne perpjekjet reale per te
    denuar autoret e vertete tevrasjeve, hengershin kokat e eshtrat e femijeve te tyre,atje ku
    u dhemb me shume! Hijet e te vrareve do ju ndjekin mor qener deri
    sa te vini prane tyre,porsi lugat, jo jo ne parajse!…

  4. te lumte gazetar ! hipokrizi dhe aktore te dobet ! bejne mmmmuuuuuu

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje