FOTO reportazhi: Mure të rrënuar e rafte bosh, brenda muzeut etnografik të Elbasanit

23 Janar 2019, 10:54Kulturë TEMA
FOTO reportazhi: Mure të rrënuar e rafte bosh, brenda muzeut

Nga Adriana Venari

Kaloja shpesh pranë Rrapit të Bezistanit. Elbasani nuk të ofronte diçka të re çdo ditë, megjithëse aty, në atë shesh, syri më kapte përherë një godinë të vjetër. Një shtëpi karakteristike elbasanase, e fshehur pas disa pemëve kacavjerrëse. Ndërsa afrohem, vërej një tabelë ku shkruan “Muzeu Etnografik i Elbasanit”. Kurioziteti m’u shtua. 

Të nesërmen marr disa mikesha dhe nisem sërish drejt asaj shtëpie. Tek oborri shohim një burrë të thyer në moshë, ulur në një karrige duke dredhur cigare. Dukej si punonjës apo biletashitësi. “Kemi ardhur të vizitojmë muzeun” i them dhe bëj gati të kërkojë disa të holla që i kisha në xhepin e palltos.

“Muzeun”?- më pyeti gjithë habi, çudi se këtu s’para kemi vizitorë vendas, tek-tuk ndonjë të huaj. “Po ç’ju shtyu të vini”- vazhdoi, kurioziteti i them dhe marr biletat për të hyrë brenda. Në pamje të parë çdo gjë dukej kaq e bukur, u ndjeva si në shtëpinë time.

Por shpejt këtë ndjesi ma prishi era e mykut dhe e lagështirës që vinte nga të katërta anët. Teksa vështroja me kuriozitet objektet që ndodheshin aty, ishte e pamundur të mos vija re muret e plasaritura, pikturat e prishura e të parestauruara si dhe dyshemenë e gërryer.

Disa dyer ishin në mbyllura ndërsa odat e hershme s’të ngjallnin kuriozitet për të imagjinuar jetesën e dikurshme. U zhgënjeva. Kuptova se pamja nga jashtë paska qenë fasada e një të bukurie të vjetëruar e përdhosur.  Ndërkohë që po vazhdoja të shikoja me shpresën se do gjeja diçka ndryshe nga muret dhe dyshmeja, mu errë shikimi. Këtu ndërpritej shpesh energjia elektrike. Çdo gjë u shndërrua në terr. Më bëri habi fakti që jashtë shëndrinte dielli ndërkohë që brenda nuk futej asnjë rreze e tij.

Lëviza perdet me qellim që të lejoja dritën e diellit të futej, por aty kuptova se nga vinte era e mykut dhe e lagështirës. Dritaret ishin të vulosura me drunj e sipër tyre perdet e trasha që nuk ishin për të penguar dritën e diellit por për të fshehur ato drunj.

U ktheva të pyes cicëronin në lidhje me këtë fakt, por ai nuk ishte lart. Më erdhi ndërmend biletelëshuesi kur më tha se duhej të ishim të paktën 10 vetë ose më shumë që të vinte udhërrëfyesi i muzeut.

Nuk kisha ç’të shihja më. Edhe ato objekte historike ishin lënë jetime dhe pa kujdesin e ndokujt. Në fund kur po dilja me plotë pyetje në mendje i’u drejtova një punonjëse të muzeut.

E pyeta për vizitorët e me tha se kryesisht vizitohej nga turistë të huaj, dhe pohoi se ky muze kishte nevojë për shumë restaurime. Më tej shtoi se kishin bërë kërkesë në Bashki por që nuk kishin marr kurrë përgjigje.

Më shpjegoi se drunjt në dritare ishin vendosur për ruajtjen e objekteve dhe origjinalitetit, e ndërsa ajo fliste kujtoja punimet e pikturat që ishin të lëna jashtë në koridore të ekspozuara nga drita e diellit. Edhe origjinaliteti ishte cenuar sepse gardhi rrethues ishte ndërtuar nga kangjella lehtësisht të kalueshme.

E pyeta për mungesën e vizitorëve e m’u përgjigj se njerëzit nuk ishin kureshtarë, pastaj mu kujtua dëshira që kisha për tu futur aty dhe bashkë me të përshtypja që kisha kur po dilja. Në fund na përshëndeti duke na thënë se na mirëpriste sërish. Por isha e bindur. Nuk doja të vija sërish këtu, ku të vetmit vizitorë ishin punonjësit dhe busti i Isuf Myzyrit.

 

5 komente në “FOTO reportazhi: Mure të rrënuar e rafte bosh, brenda muzeut etnografik të Elbasanit”

  1. Enea says:

    Nje artikull i papare per muzeun e elbasanit..eshtr njee nder ndertesat me te vjetra qe permban vlera historike dhe ka nevoje per me shume vezhgim..

  2. wickedgame says:

    Bashkia merret me pune te tjera me te rendesishme ,ku levizin shuma te medha ,si rregullimi i bulevardit parku rinia qe nuk lan vend pa betonizuar .Shiko si jan katandisur sportet ne pergjethsi futbolli ne vecanti ,teatri Skampa , muzeu ska nje aktivitet per tu ndjekur.Lala nuk merret me pune te vogla.

  3. Mozaiku says:

    Lexova artikullin dhe duke qene nje njohes i Muzeut Etnografik , nuk mendoj qe Ju keni te drejte tek ato probleme qe ngrini. Se pari monumenti qe ndodhet ne oborrin e muzeut eshte Isuf Myzyri dhe jo Aqif Pasha. Sa per njohuri numri i vizitoreve per vitin 2018 ne krahasim me vitet e meprshme eshte rritur me 15%, gje qe tregon se muzeu vizitohet jo vetem nga te huajt por dhe nga vendasit, sidomos 5-6 vitet e fundit. Kurse numri i nxenesve dhe i studenteve qe vizitojne muzeun jane me mijera, te cilet zhvillojne dhe ore mesimi ne kete institucion. Muzeu Etnografik, mesa di une eshte nga me te bukurit ne Shqiperi, te pakten keshtu deklarohet nga te huajt por dhe nga vendasit. Ai padyshim ka nevoje per restaurime te pjesshme, te cilat eshte veshtire ti realizosh. Duke qene monument kulture, cdo nderhyrje duhet bere nga Instituti i Monumentve te Kultures dhe ne rast se sigurohen fonde nga ana e bashkise Elbasan, gje qe eshte bere, ka veshtiresi per shkak te procedurave.Persa i perket stendave bosh, pasurimi i muzeut me objekte te trashegimise kulturore (origjinale) megjithe fondet e akorduara nga Bashkia, eshte shume i veshtire blerja e ketyre objekteve, pasi cdo blerje duhet te kaloje ne procedure tenderi, gje qe e ben pothuajse te pamundur, sepse objektet do te blihen tek individe qe nuk kane biznes. Qepenat prej druri te dritareve jane pjese e arkitektures se shtepise dhe nuk hapen sepse agjentet atmosferike demtojne objektet origjinale. Se fundi me vjen keq , por ne ambjentet e muzeut nuk dridhet dhe pihet duhan sepse eshte e ndaluar.

    1. Adriana says:

      Cdo gje e shkruar aty eshte pare e marre info ne muze.
      Vete punonjsja e muzeut tha se busti ishte i Aqif Pashes.
      Ne asnje moment nuk thash se muzeu nuk eshte i bukur, madje kam qene entuziaste per te.
      Kurse persa i perket duhanit xhaja ishte ne oborr. Asgje nuk eshte personale zoteri/zonje. Mu dha nje teme shkruajta dhe u informova kaq pershtypjet e mia jan ato qe me la muzeu sa per vizitoret kaloj cdo dite aty e nuk kam pare ndonjehere, gje qe e pohoi vet punonjsja e muzeut.
      Gjithe te mirat

  4. Alban says:

    E ku i kane shitur kostumet etnografike? Apo ndonje koleksionisti.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje