Vendimi i Ballukut: Licencat e HEC-eve në skaner, pezullohen jo operativet

24 Janar 2019, 13:47Politika TEMA

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku bëri me dije se ministria që ajo drejton do të bëjë skanimin e të gjitha kontratave operative të HEC-eve në vend.  

Në një deklaratë për median ajo po ashtu deklaroi se do të ngrinë të gjitha kontratave jo operative të HEC-eve deri në përfundim të procesit të skanimit. 

Skanimi do bëhet në tre kritere, tha Balluku, përputhshmëria ligjore, përmbushja e kushteve kontratuale dhe ndikimi mjedisor.

Lidhur me kohën e procesit të skanimit, Balluku tha se kjo do të varet nga problematika.

E pyetur për rrezikun e përfundimit të çështjeve në Arbitrazh, Balluku u përgjigj se, “s’do bëjmë asnjë veprim arbitrar”.

“Procesi do ndiqen nga një grup pune të ndjekur nga zv/ministri”, tha ministrja.

Gjithashtu Balluku e cilësoi të papranueshëm rastin e ndërtimit të HEC-it mbi kanionin e Holtës në Gramsh dhe tha se në bashkëpunim ministrin e Mjedisit, Blendi Klosi do të trajtohet në formën e një diskutimi me banorët.

Deklarata e plotë 

Jam informuar intensivisht gjatë këtyre ditëve të para në detyrë mbi situatën dhe ecurinë e kontratave koncesionare të Hidrocentraleve, të cilat janë 182 Kontrata që i korrespondojnë 440 HEC-e.

Sot vetëm 96 hidrocentrale janë operative. Ato i përkasin 73 kontratave koncesionare dhe kjo përbën një arsye për një vëzhgim të detajuar të të gjithë kontratave ende jo operative, në funksion të një sërë konkluzionesh të nevojshme për të gjykuar strategjinë e këtij sektori, efikasitetin e politikës së ndjekur në vite për stimulimin e HEC-eve të vegjël, impaktin ekonomik dhe social të tyre, e me radhë.

Në këto kushte, kur kemi shumë më shumë kontrata ende jo-operative, sesa operative, është koha të bëjmë një ndalesë dhe të gjykojmë për vazhdimësinë.

Kam vendosur fillimin e një procesi skanimi të dokumentacionit licensues të çdo subjekti të licensuar, e po ashtu dhe skanim fizik të çdo HEC-i dhe subjekti realizues.  Ky proces do të ndiqet nga një grup pune i udhëhequr nga Zëvendësministri Z. Bonati, i cili ka bërë një punë voluminoze dhe të vyer në sektorin e ujit.

Procesi në fjalë do të bazohet në dy kritere, kriteri i përputhshmërisë ligjore dhe përmbushja e kushteve kontraktuale nga subjektet e licensuara, duke përfshirë këtu kushtet teknike dhe afatet kohore, si dhe kriteri i përputhshmërisë me kërkesat mjedisore. Ky institucion në pesë vitet e fundit ka bërë një disiplinim të madh të situatës së trashëguar, e cila ishte skandaloze, në kufijtë e kriminales, por jo vetëm e mira s’ka fund, edhe problemet e sektorit në këtë drejtim nuk janë sosur, por janë reale e shqetësuese.

Prandaj ne, gjithashtu, do të skanojmë dhe vlerësojmë nëse kontratat ekzistuese janë në përputhje me kushtet mjedisore dhe standardet e kërkuara në zonat përkatëse. Kujtoj se konçesionarët kanë detyrim të jenë në përputhje të plotë me legjislacionin në fuqi përsa i përket mjedisit dhe kushteve mjedisore të vendosura në kontratë.

Nga ana tjetër, kam vendosur ngrirjen e të gjithë kontratave jooperative deri në daljen e raportit të skanimit të tyre. Po ashtu, do të bashkërendojmë me  Ministrinë e Turizmit dhe Mjedisit për një qasje ligjore dhe administrative të integruar në mënyrë që të mos përsëriten më situata ligjërisht të paatakueshme, por faktikisht të papranueshme, siç është dhe rasti i fundit në Gramsh.

Së bashku me Ministrin Klosi do ta kthejmë rastin e Gramshit në një platformë diskutimi të hapur me komunitetin dhe do të punojmë për përmirësimin e bazës ligjore e të procedurave.

Por, dua ta them shumë qartë: vërtet HEC-ët e vegjël kontribuojnë në ekonomi, por dhe mund të dëmtojnë ekonomikisht shumë më tepër sesa kontributi i tyre, nëse për një HEC të vogël i bie vlera një pasurie të madhe natyrore.

Ndaj, na duhet një ekuilibër perfekt mes zhvillimit ekonomik dhe mbrojtjes se pasurive tona natyrore, të cilat janë pasuria më e madhe që ne shqiptarët kemi.(TemA)

2 komente në “Vendimi i Ballukut: Licencat e HEC-eve në skaner, pezullohen jo operativet”

  1. Tony uk says:

    Ndalo hecin e Valbones me cdo cmim.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje