Luftëtari po përballet me një situatë të vështirë në kampionat, duke qenë se pas humbjes 1-5 ndaj Kastriotit, erdhi edhe largimi i teknikut Gentian Mezani nga drejtimi i bluzinjve.
Megjithatë, drejtuesit nuk kanë kohë për të humbur dhe menjëherë kanë emëruar trajnerin e ri në krye të stolit bluzi.
Julian Ahmataj nga sot është zyrtarisht trajneri i Luftëtarit dhe objektivi i tij tashmë është mbijetesa, gjë të cilën Ahmataj ka treguar se di si arrihet.
Ai ka firmosur sot kontratën me bluzinjtë dhe do të nisë menjëherë nga puna për ndeshjen e radhës në kampionat.
Ahmataj vjen në krye të stolit bluzi pas një periudhe pushimi duke qenë se e mbylli sezonin e kaluar si trajner i Kamzës duke e marrë skuadrën në një moment mjaft të vështirë, por që në fund arriti ta mbante në Kategorinë Superiore, duke hedhur Vllazninë në Kategorinë e Parë.