Pas pesë vitesh përmirësimi të vazhdueshëm, Shqipëria ka rënë për herë të parë me dy pikë në vlerësimin e “Trasparency International” për vitin 2018.
Raporti thekson se bojkoti i gjatë i Parlamentit dhe komisioneve parlamentare nga ana e opozitës ka vonuar zbatimin e reformave, duke lënë Shqipërinë në vendnumëro.
“Lufta politike ka bllokuar disa reforma anti-korrupsion që do të ndihmonin vendin të ecte përpara.
Me vetingun në zbatim dhe një kuadër ligjor pothuajse të përfunduar për reformën në drejtësi, mbetet për të parë nëse Shqipëria do të përmirësojë vlerësimin e saj në të ardhmen”, shkruhet në raport.
Qartësisht, “Transparency International” thekson se “reformat e nisura janë duke afruar vendin me Bashkimin Europian, por në mënyrë që ky progres të jetë i shpejtë nevojitet një konsensus politik, për të mos mbajtur peng të luftës politike reformat e domosdoshme”.
Me 36 pikë, Shqipëria pozicionohet në të njëjtin rang me vendet e rajonit, si Kosova, Bosnja, Maqedonia apo Serbia. Në këtë renditje, Mali i Zi është i vetmi vend që shfaqet lehtësisht më mirë.
Raporti i “Transparency International” është një prej vlerësimeve më autoritarë në botë, përsa i përket nivelit të përceptimit të korrupsionit.
Ndër vite, ky raport është bërë një objekt i nxehtë debati në politikën shqiptare. Qeveria e mëparshme e Kryeministrit Berisha, në mënyrë të hapur ka diskretituar raportet e “Transparency”, duke e vlerësuar në mënyrë të përsëritur si një organizatë të pabesueshme e cila harton raportet mbi interesa të posaçëm politikë.
Mbetet për të parë nëse opozita do të reagojë këtë herë, mbi raportin e publikuar sot.