Nga Afred Peza
Prej disa ditësh, ka një çoroditja dhe hallakatje totale të opozitës shqiptare, në përballjen e saj publike, në raport me objektivat politikë të 2019 dhe mazhorancën qeverisëse. Kjo ka bërë që askush të mos jetë në gjendje sot, që të kuptojë se çfarë kauze të vetme ka minoranca? Si kërkon që ta realizojë atë? Kush është rruga që do ta çojë drejt fitores? Dhe kush janë aleancat politike brenda vendit, aktorët, faktorët dhe grupet e interesit që do ta mbështesin deri në arritjen e objektivit final?
Njëherë u tha se objektivi Nr. 1 i 2019 është rrëzimi i Edi Ramës.
Pastaj u tha se objektivi është realizimi i zgjedhjeve lokale në të njëjtën ditë me ato të përgjithëshme parlamentare, e të parakohëshme.
Më pas u tha se qëllimi final është krijimi i një qeverie të re tranzitore, qoftë edhe me socialistët e mirë.
Të nesërmen u tha se opozita është shumë vonë dhe duhet të zgjedhi urgjent kandidatët për kryetar bashkish dhe të nisi sa më parë punën përgatitore për garën e 30 qershorit.
Pa u artikuluar akoma mirë kjo tezë, del kryetari i një partie tjetër opozitare e thotë se në zgjedhjet lokale nuk do hyjmë në një koalicion me PD dhe Bashën, por me një pol të ri politik, ose më vete secila parti për qejfin e hallit të vet.
E më tej akoma, doli që opozita nuk e paska fare hallin as me qeverinë, as me mazhorancën, as me PS dhe as me Edi Ramën. Shqetësimi i vetëm, meraku i vetëm që e bëkërka opozitën tonë që të rrijë gjithë këto kohë pa gjumë, qenka shqetësimi i thellë nëse do ta marim vallë datën e çeljes së negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në BE në qershor, apo jo?!
E bukura e vetme e gjithë kësaj hallakatje opozitare, është se rastësisht ose jo, sa herë që ajo artikulon një qëndrim të ri, një tezë të re dhe një “strategji” të re për tu rikthyer në pushtet, aq herë ka një zhvillim të ri në raport me reformën në drejtësi.
Herë sistemi pastrohet me ritme gjithnjë e më të shpejta nga gjyqtarët dhe prokurorët e korruptuar nëpërmjet procesit të vettingut dhe herë ngrihet një institucion i ri i drejtësisë së reformuar. Herë përzgjidhen kandidatët për të zhbllokuar punën e një hallke të sistemit dhe herë tjetër, hapet drita jeshile për të nisur fazën finale të funksionimit të institucioneve të reja.
Dy ditë më parë, Ambasada e SHBA me anë të një deklarata, tha se “Shqipëria po krijon një sistem të ri drejtësie, bazuar tek pavarësia, profesionalizmi dhe integriteti. Prokurorët të cilët mishërojnë këto ideale i përgjigjen një thirrjeje për shërbim publik që është më e lartë sesa thjesht një vend pune. Ne iu bëjmë thirrje këtyre njerëzve me kurajo që të bëhen pjesë e të ardhmes së Shqipërisë duke aplikuar për të qenë anëtarë të SPAK.”
Bashkë me SPAK dhe BKH, më në fund jemi në prag të zhbllokimit të punës së Këshillit të Emërimeve në Drejtësi (KED). Kjo çon në zhbllokimin e punës për përzgjedhjen e anëtarëve të rinj të Gjykatës Kushtetuese. E më tej akoma, arrihet në krijimin e Inspektoriatit të Lartë të Drejtësisë.
Mesazhet e SHBA dhe BE këto ditë kanë qenë shumë të qarta. Ndërkohë që makina e drejtësisë së re është ndezur dhe po koalidohet përfundimisht, makina e opozitës, ka nisur të hallakatet e të çorientohet. A kanë lidhje të dyja sëbashku?! Gjithkush uron që JO, në mënyrë që ky mister, të sqarohet sa më parë!
Opozita (pd dhe lesheli) ne 30 Qershor do shkojne ne verin e semes.Do dal e turperuar.Nuk kemi nje opozite te vertete qe te mendoi dhe te veproi ne interes te vendit,por vetem ne interes te saj qe eshte vetem çoroditja,destabiliteti,shpifja,baltosja,videpergjimet fallso,gje qe nxierin opoziten lakuriq para popullit per te keqijat e saj.Duke nisur nga keto populli shqipetar nuk ka besim,dhe si rrjedhoj nuk ja jep voten kurre.Me mir djepja bosh se sa shejtani brenda.Populli do qetesi dhe jo rremuje nga rremijaxhinjet e opozites.