Kategoria Superiore u rikthye këtë fundjavë duke zhvilluar ndeshjet e para të fazës së tretë e cila dhuroi rezultate surprizë.
Skuadra e Partizanit mori një tre pikësh të artë në transfertë kundër Skënderbeut pas dy humbjeve në dy fazat e para. Rivalët e të kuqëve Kukësi dhe Tetua nuk arritën dot që të ndiqnin hapin e 15 herë kampionëve të vendit duke u ndalur në barazime.
Kukësi barazoi në fushën e Kamzës me rezultatin e bardhë 0-0 përballë Laçit, ndërsa Teuta ndau nga një pikë më Flamurtarin në “Niko Dovana”.
Për të folur për javën e 19-të të Kategorisë Superiore në emsionion “Hapsira e përditshme sportive”, nga Ervin Baku, ishte i ftuar Fatjon Baze, gazetar i sportit.
“Ky është viti ideal për Partizanin që të rikthehet tek tituli kampion. Trajneri Skënder Gega ka krijuar një skuadër të fortë dhe simpatike. Deri më tani të kuqtë janë me meritë në krye pasi edhe sfidat direkte me skuadrat pretendente për titullin ia ka dalë të jetë fitmitar.
Vetëm Skënderbeu e kishte mundur, por edhe më korçarët e theu mallkimin duke fituar në fushën e saj ku tregoi se është një ekip solid. Nuk është se u zhvilloi një ndeshje spektakolare – kjo edhe për shkak të terrenit të keq, por morën atë që kishin synim: tre pikët.
Gjithsesi është ende herët pasi Partizani do të përballet edhe dy herë të tjera me rivalët direkt për titull, por unë mendoj se nëse të kuqtë e mbyllin fazën e tretë me një shkëputje minimale prej 7 pikësh diferencë nga rivalët, besoj se janë me një dore tek trofeu.
Ndërkohë, pavarsisht hapit fals që Kukësi bëri në duelin ndaj Laçit, sërish verilindorët do të jenë një ekip që do të rivalizojnë deri në ndeshjet e fundit për të arritur objektivin që është titulli kampion. Ajo që ka penalizuar shumë ekipin e Armando Cungut është fakti se të gjitha ndeshjet në këtë sezon i ka bërë jashtë fushe dhe kjo ka ndikuar në rezultate. Nëse Kukësi do t’i zhvillonte sfidat në fushën e saj mendoj se edhe klasifikimi mund të ishte ndryshe sot.
Ndërsa Teuta duhet që ta “zhveshi” veten si një ekip që synon titullin kampion pasi kjo rrit më shumë presionin tek lojtarët dhe ndikon negativisht. Ata duhet të kenë si qëllim pjesmarrjen në Kupat e Europës por nëse do të kenë shansin për të marrë titullin normalisht që nuk do e falin.
Mbijetesa? Fitorja e Kastriotit ishte një fitore e madhe jo vetëm për krutanët por edhe për Superioren. Një humbje në Gjirokastër do të prente përfundimisht shanset e Kastriotit për mbijestesë dhe kjo do të ndikonte në sfidat e tjera të kampiontit pasi ekipi i Devollit nuk do të kishte më motivim për të fituar. Ndaj ajo fitore e bën më të ndezur luftën e mbijetesës dhe më të bukur kampionatin”, u shpreh Fatjon Baze.