Pasi mbushi karikatorin e pistoletës në ndeshjen e kampionatit, ditën e shtunë, të martën në mbrëmje, i hedhur në fushë titullar përpara publikut të tij në “San Siro”, Kristof Piatekut iu deshën plot 10 minuta që dërgonte plumbin pikërisht në zemrën e tifozëve kuqezi, të dashuruar pas polakut.
Vetëm 17 minuta më pas, ish-sulmuesi i Genoas mrekulloi me një tjetër gol, këtë herë, me një plumb nga ato që hedhin Aut edhe një dem. “Ky bën çfarë të dojë, nuk e ndal dot!”.
Një debutim titullar të tillë ndoshta vetëm 24 vjeçari mund ta kishte pritur, ëndërruar dhe dëshiruar. “Ju thashë, jam gati për Milanin”, do të deklaronte pas ndeshjes shtatlarti polak.
Ovacionet e “San Siros” gjatë ndërrimit me Kutronen kanë pushtuar me emocione Piatekun, që ka marrë edhe përgëzimet e stafit teknik, trajnerit dhe lojtarëve të stolit.
E ndërsa “pistoleta polake”, ose “Robocop”, siç e quan Gattuso, i shënonte Napolit dhe e eliminonte nga Kupa, në profilin personal të Higuainit në Instagram tifozët kuqezi nuk janë kursyer aspak.
Fyerje dhe tallje, duke i kujtuar se bomberi i ri ndodhet në Milano. Një mënyrë për t’u hakmarrë kjo ndaj Higuainit, me vetëm 6 gola në 15 ndeshje kampionati.
Ky është vetëm fillimi premton Piatek, që ka shkuar deri tani 21 gola në 23 ndeshje. Nuk mund të jetë normale, në sezonin e parë në Itali.
“E prisja një natë të tillë, e thashë se isha gati dhe sot kam shënuar dy gola. Ky është vetëm fillimi. Të dy golat kanë qenë shumë të bukur, edhe pse kanë qenë të ndryshëm”, shprehet ai.
Ndërkohë, teksa Gattuso i thuri elozhe duke e quajtur një “snajper” përpara porte, ai ka shpjeguar mënyrën se si luan:
“Para ndeshjes kam folur me Laxalt dhe Borinin, u kam kërkuar të më jepnin topa të lartë dhe të gjatë, sepse kështu i preferoj. Në rastin e golit të dytë kam patur përballë Koulibaly dhe ka shkuar mirë. Tani mendoj për Roman”.
Piatekmania ka nisur, tani nuk pritet vetëm që pistoleta polake ta nxjerrë sërish nga këllufi dhe të gjuajë…
35 milionë eurot e shpenzuara dukeshin cmenduri me vetëm pesë muaj të mirë në Itali, por me këtë prezantim, ndoshta Milani ka bërë marrëveshjen më të bukur të parë ndonjëherë.