Blerja e Piatek nga Milani është konsideruar nga të gjithë lëvizja e duhur për sulmin. Polaku e tregoi veten që në ndeshjen e parë me dy gola të shënuar, që e kualifikuan Milanin në gjysmëfinale të Kupës së Italisë.
Për Piatek të gjithë kanë folur me superlativa. I fundit është ish-sulmuesi argjentinas i kuqezinjve, Hernan Krespo, i cili për “La Gazzetta dello Sport”, ka theksuar: “Ai është vërtet shumë i zoti. Lëviz si një sulmues inteligjent dhe ka një gjuajtje vdekjeprurëse. Nuk është e lehtë të bësh për vete publikun e “San Siros” dhe ta udhëheqësh skuadrën në ndeshjen e parë si titullar.
Duhet të kesh kurajë dhe personalitet. Ai i ka, ndaj dhe më ka impresionuar me lehtësinë, me të cilën e godet portën kundërshtare. Nuk pret asnjë sekondë, nuk i jep kohë për të ndërhyrë mbrojtësit. E ka portën në kokë, nuk ka nevojë ta shikojë. Ka gjuajtje të fortë dhe precize. Lëviz si një sulmues i madh. Milani luan me një skemë 4-3-3 të veçantë, ku qendërsulmuesi bën një repart më vete, ndërsa dy sulmuesit anësorë punojnë shumë edhe në mbrojtje.
Kjo do të thotë se Piatek duhet të mbajë gjithë peshën e sulmit i vetëm dhe ai e bën pa problem. Tomason ishte në gjendje të ndihmonte mesfushorët për të krijuar hapësira për shokun e repartit, por nuk ishte finalizues i madh. Mua, nga mënyra si gjuan dhe si çmarkohet, Piatek më kujton Shevçenkon. Fizikisht është shumë mirë, duhet të shohim akrobacinë dhe gjuajtjet me kokë për të qenë tamam si Sheva”.