Nga Altin Ketro
Dhjetë muaj më parë, në maj të vitit 2018, opozita bëri një nga ato zbulimet e saj të çartura duke e konsideruar edhe skandal të madh. Flamurin e atij “skandali”e mori deputetja e PD-së, zonja Albana Vokshi. Çfarë kishte ndodhur që u ngrit gjithë ajo zallahi?
Ministrja e Arsimit e asaj kohe, zonja Lindita Nikolla, kishte marrë inisiativën për të ndërtuar një sistem ndërveprimi aktiv online midis shkollës dhe prindërve për problemet që lindin gjatë procesit mësimor ndërmjet mësuesit dhe nxënësit, midis vetë nxënësve me njëri – tjetrin, apo edhe në kuadër të informimit të prindërve rreth aktiviteteve shkollore dhe çdo lloj nisme tjetër që shkolla ndërmerrte e për të cilën duhej vënë në dijeni çdo prind nxënësi. Koha ecën përpara dhe me hapin e saj ecën edhe teknologjia e informacionit, rrjedhimisht duhen gjetur format më të përshtatshme e të shpejta të komunikimit.
Për të arritur këtë, ministria e Arsimit kishte nxjerrë një udhëzim që prindërit të dorëzonin pranë shkollës disa të dhëna bazike, midis të cilave ishte edhe numri i kartës së identitetit të prindërit. Kjo për faktin se nr. ID, si një numër unik identifikimi, do të shërbente për të mos ngatërruar identitetin e një prindi kur dihet që në Shqipëri mund të jetojnë shumë persona me të njëjtin emër e mbiemër.
Në këto kushte, shkolla kishte mundësinë që të informonte periodikisht prindin e çdo nxënësi rreth çdo problematike, si përsa u përket notave, sjelljes, mungesave, pjesëmarrjes në aktivitete, devijime të personalitetit, etj. Gjithashtu, krijohej edhe një historik i këtij komunikimi duke ndihmuar për ta njohur secilin nxënës në dinamikë, ditë pas dite e javë pas jave.
Po ashtu, edhe vetë prindërit jo vetëm do jepnim mendim mbi punën mësimdhënëse të mësuesit, mënyrës së funksionimit të shkollës apo drejtorive arsimore, por edhe do të kishin mundësinë të propozonin idetë e tyre në përmirësimin e cilësisë në arsim.
Ajo nismë pozitive e ministrisë u keqinterpretua nga opozita, e cila, nën një efekt paranoje, e lidhi këtë proces sikur ministria e Arsimit donte t’i përdorte këto të dhëna për të manipuluar zgjedhjet vendore që do zhvilloheshin pas një viti!!! Aq shumë u investua opozita kundër asaj nisme, saqë jo vetëm i bëri gjyqin ministres në komision parlamentar dhe në seancë plenare të Kuvendit, por shkoi deri në ekstrem duke e paditur penalisht zonjën Nikolla në prokurori.
Duket se ministrja u kompleksua nga ajo situatë dhe për të mos i dhënë shkak opozitës që ta përdorte këtë gjë si preteks për të bojkotuar zgjedhjet, duket se e la disi në hije si projekt. Më pas ngjarjet rrodhën vrullshëm me protestat e studentëve dhe vëmendja u fokusua në tjetër drejtim.
M’u kujtua tani ajo situatë e tensionuar politike, teksa si temë e ditës është bërë pikërisht problemi që doli nga ngjarja e dhimbshme të Kavajës. Siç po shihet edhe nga debatet që po zhvillohen nëpër emisionet televizive, po kërkohet përse shkolla nuk ka shumë komunikim me prindërit mbi problemet e fëmijëve në shkollë.
Të diskutosh mbi këtë temë nga studiot televizive është mjaft e thjeshtë për të bërë moral. Çështja është se kur vjen puna në terren gjërat komplikohen dhe nuk është aq e lehtë. Janë shumë faktorë që ndikojnë duke nisur që nga niveli arsimor e kulturor i prindërve, mentaliteti individual i tyre apo i territorit ku jetojnë, botkuptimi për të pranuar të vërtetat ashtu siç janë, niveli ekonomik, etj. Jemi dëshmitarë që edhe kur ka takim me prindër, shumë prej tyre neglizhojnë të shkojnë, një sërë syresh as që e çajnë kokën të interesohen për fëmijën e tyre, pavarësisht se mësuesi i njofton nëpërmjet celularit.
Jetojmë në një kohë ku personaliteti i mësuesit është i dobët përballë një nxënësi gjithnjë e më shumë arrogant deri në rrugaçëri; një kohë ku nxënësit e kanë për turp t’i përdorin fjalët magjike; një kohë ku nxënësi fjalinë e nis dhe e përfundon me zhargon rruge pa pasur asnjë brerje ndërgjegje se rrotull ka mësues, vajza apo vetë prindin; një kohë ku prindi e trysnon mësuesin për të mos mbajtur qëndrime të rrepta ndaj fëmijës së tij; një kohë ku ka nxënës provokator që fyejnë mësuesin dhe, kur ai reagon pak ashpër, një tjetër nxënës e filmon me celular dhe të gjithë e bëjnë mësuesin tabelë qitje në rrjetet sociale.
Në këtë përballje të vështirë e të komplikuar në vetë marrëdhëniet e mësuesit me nxënësin, ajo nismë e lavdërueshme e ministrisë që nuk mundi të shkojë deri në fund, është një apel i fortë, edhe për opozitën e sotme, që tek qeveria të mos shikojë çdo gjë bardhë e zi e me syze politike, sepse, qoftë edhe padashje, u bë shkaktare e ndërprerjes së një inisiative pozitive që do ndikonte drejtpërdrejtë në mbarëvajtjen e procesit mësimor dhe atij të komunikimit shkollë – mësues – prind.
Ishte projekti me I dobishem,per forcimin emardhenieve mesues
,prinder,nxenes,por tek ne,sic ndodh gjithmone,do hidhet balte per cdo nisme pozitive dhe.me pas ata qee pengojne ulerasin studiove televizive,per te gjetur fajtoret.