Pas dorëzimit zyrtar të mandateve nga Partia Demokratike, Jari u trondit nga lajmet se dy depuetët të Partisë Demokratike nuk e kanë dorëzuar ende mandatin dhe disa aleatë kanë dhënë fjalën por nuk japin mandatin.
Për këtë vendosi të sqarojë demokratët.
“Të dashur demokratë!
Jari ju sqaron.
Akti i dorëzimit të mandateve, është një akt historik meritën kryesore për të cilin e ka Doktori, por dhe Luli që nuk ja bën kurrë fjalën dy.
Por siç e shikoni ka dhe disa njerëz që duan të prishin imazhin e PD.
I pari është Myslym Murrizi. Gjithmonë kam dyshuar tek ky njeri se na ka nxirë jetën këto tridhjetë vjet. U bë deputet me PD më ’97, dhe kurrë nuk e kishim të sigurtë në Parlament. Pastaj më 2001 na bëri gjëmën në Dushk duke prodhuar parlamentin e “Dushkut”. Pastaj iku fare nga PD dhe na kandidonte në çdo palë zgjedhje kundër nesh me partitë e vogla të djathta. Më në fund vendosëm ta bëjmë tonin me idenë e Lulit që na duhen njerëz me lekë.
Dhe ja ku na e bëri prap gjëmën. Nuk e dorëzon mandatin. Këtë e bën me arsyetimin se shpenzimet i ka llogaritur për katër vjet, dhe jo për dy vjet. Kjo është llogari meskine. Të gjithë kanë shpenzuar për katër vjet, por kur e kërkon partia duhen sakrifica të reja.
E dyta, është kjo vajza e Azemit. Ne menduam se kjo nuk do t’i ngjante të atit se dhe ai na ka pas nxirë jetën. Nga 1990 deri më 1997, asnjëherë nuk na e bëri një ditë të bardhë. Unë se kam njohur nga afër se punoja me Zhulalin dhe ai e kishte tmerr Azemin, e shante gjithë kohën. Por dhe Doktori e ka pasur hall. Ne menduam se vajza do reflektonte nga gabimet e babait por ajo po bën të njëjtën gjë. Mendon se SHBA dhe Brukseli i duan të mirën Partisë Demokratike duke i thënë rri në Parlament. Ose është naive, ose i ngjan babait. Në të dy rastet nuk na duhet.
Po ashtu kam rezervat e mija dhe për aleatët. Për shembull me gjithë respektin për Faten, ai nuk e ka dorëzuar mandatin. Thotë do ta dorëzoj, por gjen sebepe e nuk shkon në Kuvend, se ka hall se nuk i japin më vizë për SHBA. Po kështu dhe Nard Ndoka dhe Dashua. Nardi s’do t’ia di për SHBA se ikën në Kubë, por kjo s’ka rëndësi. Unë e di që ata nuk i dalin kundër Doktorit, por nuk kanë pse e lodhin dhe e mërzisin. Pak halle ka ai këto ditë dhe këta ka mangët.
Nuk dua të flas për LSI se ata kanë parimet e tyre dhe llogaritë e tyre. Por ne duhet të forcojmë frymën e unitetit.
I juaji Jari!”