Marsi kudo në botë është muaj sensibilizimi kundër kancerit kolorektal apo tumorit të zorrës së trashë. Për të pestin vit radhazi Spitali Amerikan 1 i bashkohet “Colorectal Cancer Alliance” në një fushatë informuese, ndërgjegjësuse, sensibilizuese, diagnostikuese, për të përcjellë informacionin e duhur në popullatë për moshat e rrezikuara, në mënyrë që sëmundja të kapet në kohë e të parandalohet. Shumë raste të diagnostikura në stadet e hereshme, kurohen plotësisht .
Nga Dr.Shk.Mjk Lindita Shosha Spitali Amerikan 1, Tiranë
‘Locus praeventioni melior quam rememdium” më mirë të parandalosh se të kurosh..
Po çfarë është kanceri i zorrës së trashë?
Kanceri kolorektal është formacion tumoral me qeliza atipike që rritet në paretin e zorrës së trashë dhe duke u zhvilluar prek gradualisht murin e saj duke u përhapur lokalisht dhe në distancë në organe të tjera të trupit. Gjenetikisht është vërtetuar se kanceri i kolonit dhe ai i rektumit janë të njëjtë, kjo ndodh për shkak të mutacioneve gjenetike kryesisht në genin APC, TGF-b, DCC, TP53, të cilat e shndërrojnë adenomen në karcinomë.
Kanceri i zorrës së trashë prek mbi 180,000 raste të reja në vit në Amerikë.
Është sëmundja e tretë më e diagnostikuar ndër sëmundjet tumorale dhe zë vendin e dytë për vdekjet nga tumori në burra dhe gra, ndërsa kanceri anal përbën rreth 4% të rasteve të diagnostikuar me kancer të zorrës së trashë. Incidenca rritet me rritjen e moshës dhe është pak më e lartë tek meshkujt se femrat.
Reth 72 % të rasteve i përkasin kancerit të kolonit dhe 28% atij anorektal. Rreziku i zhvillimit të këtij kanceri gjatë jetës është mesatarisht një në 20 persona (5-6%), rreth 1.22 meshkuj dhe 1.23 femra, por kjo e fundit në fakt varet dhe nga faktorët e riskut individual.
Çdo vit në botë diagnostikohen mbi 1 milion raste të reja dhe vdesin reth 600.000 njerëz. Në vendet në zhvillim diagnostikohen 60% e rasteve të reja çdo vit.
Reth 20% e pacientëve në kohën që diagnostikohen kanë metastaza në distancë dhe 25% e tyre kanë metastazë solitare potencialisht në melçinë e zezë, e cila duhet të hiqet pasi e rrit mbijetesën e këtyre pacientëve. Në Shqipëri në momentin kur pacientët diagnostikohen, përqindja e tumorit metastatik është më e lartë dhe shkon deri në 40%. Kjo për faktin se pacientët vijnë vonë, nuk ka program kombëtar të screening për kancerin kolorektal, i cili është i detyrueshëm mbi moshën 50 vjeç siç e kanë vendet e zhvilluara dhe se konsulta për këtë kategori pacientësh akoma është tabu dhe konsiderohet e sikleteshme. Sigurisht ndikon dhe fakti që Shqipëria ka numër të pakët
specialistësh të profilizuar në kirurgjinë kolorektale, të cilët kanë më tepër eksperiencë në diagnostikimin dhe trajtimin adekuat të kësaj patologjie.
Më tepër se 80% e kancerit të zorrës vjen nga polipet adenomatoze, të cilat identifikohen nga kolonoskopia dhe nëse ato kapen 2-3 vjet para se të shfaqet kanceri simptomatik, vdekjet nga tumori ulen deri në 60%.
Kryerja e testit imunologjik të enzimës M2-PK, biomarkeri kyç në kancerin kolorektal dhe polipet, e cila lidhet me metabolizmin tumoral dhe jo prezencën e gjakut në feçe ndihmon në diagnozën e tij të hershme . Kjo bëhet me anë të egzaminimit të feçes dhe nëse është pozitive, atëherë pacienti i nënshtrohet kolonoskopisë.
Reth 95% e rasteve të kancerit kolorektal janë adenokarcinoma dhe pjesa tjetër limfoma dhe karcinoma skuamoze qelizore. Adenokarcinoma e merr origjinën nga epiteliumi glandular i mukozës së zorrës, në varësi të arkitekturës glandulare, pleomorfizmit dhe mukosekrecionit. Adenocarcinoma ka tre shkallë të diferencimit që janë; e mirë diferencuar, mesatarisht e diferencuar dhe e padiferencuar.
Në zorrën e trashë zhvillohen lloje të ndryshme polipesh, por është adenoma që njihet si prekanceroze, ato janë të shpeshta në meshkujt mbi 50 vjeç.
Nën moshën 40 vjeç zhvillohen me pak se 2% e tumoreve të zorrës së trashë. Duhet të përjashtohet predispozicioni gjenetik i trashëguar si polipozat adenomatoze familjare ose kancerin jopolipoz të trashëguar, që është vetëm në 4% e tumoreve kolorektalë. Testet gjenetike laboratorike të gjakut janë shumë ndihmëse për të parë se cili pjesëtar i familjes është i rrezikuar dhe ndihmojnë në përcaktimin e riskut. Vitet e fundit konstatojmë që në Shqipëri është rritur numri i rasteve me tumor të zorrës së trashë nën moshat 50 vjeç dhe nën moshat 40 vjeç, madje kemi diagnostikuar dhe trajtuar raste dhe nën moshat 30 vjeç
Nga mosha 50-75 vjeç rekomandohet të bëhet çdo vit feçe gjak okult, sigmoidoskopy çdo 5 vjet, kolonoskopi çdo 10 vjet. Në rastet me rrezik të lartë egzaminimi duhet të fillojë pas moshës 40 vjeç. Pas moshës 75 vjeç kontrollet rekomandohen në varësi të situatave problematike që mund të paraqiten. Kolonoskopia, sigmoidoskopia fleksibile, feçe gjak okult ndihmojnë në diagnostikimin e hershëm të polipeve dhe formacioneve potencialisht displazike. Sot aplikohet dhe kolonoskopia virtuale via CT, por kjo e fundit ka kosto më të lartë, ka rrezatim nga skaneri dhe nuk mund të beje polipektomitë që i realizon kolonoskopia standarte.
OBSH në studimet që kanë bërë sugjerojnë që nga egzaminimi çdo dy vjet ose çdo vit të feçes, pas 10 vjetësh, mund të ketë një reduktim deri në 20% në vdekshmërinë e kancerit kolorektal. Parandalimi ofron strategjinë më të sigurtë dhe afatgjatë për kontrollin e kancerit. Politikat dhe programet kombëtare duhet të zbatohen për të rritur ndërgjegjësimin, për të zvogëluar ekspozimin ndaj faktorëve të rrezikut të kancerit dhe për të siguruar që njerëzit të kenë informacionin dhe mbështetjen që ata kanë nevojë për të adoptuar mënyra jetese të shëndetshme.
Faktorët kontribues
Pse është ritur numri i kancerit tek të rinjtë?
Nuk dihet pse ka ndryshuar gjenetika, mbase stili dhe mënyra e ushqyerjes, konsumimi me tepricë i mishit të kuq dhe produktetve të zgarës, obeziteti, jeta sedentare, alkooli dhe duhani janë faktorët kontribues të këtyre tumoreve.
Aktiviteti fizik , faktorët dietetik, mbipeshë
Aktiviteti fizik i rregullt dhe mbajtja e një peshë të shëndetshme të trupit, së bashku me një dietë të shëndetshme, zvogëlojnë dukshëm rrezikun e kancerit. Egziston një lidhje midis mbipeshës dhe obezitetit ndaj shumë llojeve të kancerit, si ezofagut, kolorektumit, gjirit, endometrit dhe veshkave. Ushqimi i lartë në fruta dhe perime të pasura me fiber mund të ketë një efekt mbrojtës të pavarur kundër kancerit te zorës së trashë, sikundër konsumimi i mishit të kuq është akuzuar si faktor kontribues në zhvillimin e kancerit kolorektal.
Alkooli
Është një faktor rreziku për shumë lloje të kancerit duke përfshirë kancerin e gojës, faringut, laringut, ezofagut, mëlçisë, kolorektumit dhe gjirit. Rreziku i kancerit rritet me sasinë e alkoolit të konsumuar. Për disa lloje të kancerit, pirja e alkoolit të rëndë të kombinuar me përdorimin e duhanit rrit ndjeshëm rreziqet e kancerit. Në vitin 2010, kanceret që i atribuohen alkoolit vlerësoheshin të jenë përgjegjës për 337,400 vdekje në mbarë botën, kryesisht në mesin e meshkujve.
Duhani
Në mbarë botën, përdorimi i duhanit është faktori më i madh i shmangshëm i rrezikut për vdekshmërinë e kancerit dhe vret rreth 6 milionë njerëz çdo vit nga kanceri dhe sëmundjet e tjera. Tymi i duhanit ka më shumë se 7000 kimikate, të paktën 250 janë të njohur të jenë të dëmshme dhe më shumë se 50 janë të njohur për të shkaktuar kancer. Pirja e duhanit shkakton shumë lloje të kancerit, duke përfshirë kancerin e mushkërive, ezofagun, laring gojën, fytin, veshkën, fshikëzën, pankreasin, stomakun dhe qafën e mitrës
Ndotja e ajrit, ujit dhe tokës me kimikate kancerogjene kontribuon në ngarkesën e kancerit në nivele të ndryshme varësisht nga mjedisi gjeografik. Ndotja e ajrit në natyrë është klasifikuar si kancerogjen ose kancer-shkaktuar, për njerëzit ekspozimi ndaj kancerogjenëve gjithashtu ndodh nëpërmjet kontaminimit të ushqimit, siç janë aflatoksinat ose dioksinat.
Ka studime që lidhin rreziqet e OMGJ-ve në shëndetin e njeriut, kryesisht me çrregullime metabolike, diabeti, reaksione alergjike, komprimim të imunitetit të njeriu, rezistencë ndaj përdorimit të antibiotikëve dhe sëmundjet tumorale. Ekspertët në vende të ndryshme mendojnë se duhet moratorium mbi përdorimin e OMGJ-ve në bujqësi dhe industrinë
ushqimore. Këshillohet konsumimi i sa më shumë produkteve bio, fruta dhe perime, por jo gjithmonë prezente nëpër markete, ajo që duket e bukur, jo gjithmonë është e dobishme për shëndetin.
Një grup shkencëtarësh nga 13 vende kanë mbështetur thirrjet për një moratorium për bllokimin e ushqimeve të modifikuara gjenetikisht pas miratimit të hulumtimeve të pabotuara që kanë ngritur frikën e rreziqeve të mundshme shëndetësore.
Diagnoza e hershme
Diagnoza e hershme e kancerit rrit gjasat për trajtim të suksesshëm duke u fokusuar në zbulimin e pacientëve simptomatikë sa më shpejt të jetë e mundur. Diagnoza e hershme ka për qëllim zvogëlimin e përqindjes së pacientëve të cilët janë diagnostikuar në fazën e vonshme. Pasojat e kujdesit të vonuar të kancerit mbartin gjasat më të ulëta për mbijetesë, morbiditet më të madh të trajtimit dhe kosto më të lartë të kujdesit, duke rezultuar në vdekje të shmangshme dhe paaftësi nga kanceri. Diagnoza e hershme përmirëson rezultatet e kancerit duke siguruar kujdesin në fazën më të hershme të mundshme dhe prandaj është një strategji e rëndësishme e shëndetit publik në të gjitha mjediset.
Trajtimet moderne në Spitalin Amerikan të kancerit kolorektal përfshijnë protokollet e trajtimit kirurgjikal i cili realizohet me kirurgji tradicionale të hapur, laparaskopike (me sondë) dhe kirurgjinë robotike e cila është shumë efikase sidomos në tumoret e rektumit . Trajtimit kirurgjikal i bashkangjitet trajtimi neoadjuvant ( para operacionit) me kemioradioterapi në varësi të vlerësimit bashkarisht me mjekun onkolog dhe trajtimi postoperator me kemioradioterapi, po përsëri në konsulencë me mjekun onkolog. Trajtimi i kancerit kolorektal është trajtim multidisiplinar dhe përfshin disa specialiste të fushës, si kirurg, onkolog, radiolog, gastroenterolog, anatomopatholog, staf për kujdesin ndaj kolostomisë dhe rehabilitimit të pacientit etj.
Shoqëria shqiptare duhet të ndërgjegjesohet dhe informohet më tepër mbi këtë sëmundje të rrezikeshme, të mposhten barrierat e turpit, frikës, neglizhencës që sëmundja të diagnostikohet dhe trajtohet në stade më të hershme, trajtimet të jenë më shumë kurative dhe sa më pak paliative.