Sulmuesi brazilian Neimar ka parë si spektator ndeshjen e sotme mes PSG dhe Mançester Junajtid si pasojë e dëmtimit që e ka lënë prej muajsh larg fushave të lojës.
Ashtu si tifozët, edhe futbollisti mbeti i shtangur në fundin e ndeshjes, kur gjyqtari Skomina akordoi penallti për anglezët pas një prekje të topit me dorë të Kimpembe që ai e sinjalizoi falë VAR.
Neimar postoi në rrjetet sociale pikërisht foton e lojtarit duke kërcyer para se të ndalte topin, ndërsa shpërtheu në kritika kundër gjyqtarit dhe kundër atyre që e kishin sinjalizuar në VAR.
“Ky është një turp. Tani vendosin katër koka që nuk marrin vesh nga futbolli për të parë çdo top me ngadalësim…
Nuk ekziston! SI mund ta vinte dorën në shpatull”, ishte reagimi i Neimar për momentin që vendosi fatin e kualifikimit në çerekfinalet e Ligës së Kampioneve.