Nga Ibra, Iniesta, Messi dhe Mou; Morati zbulon sekretet e Interit të tij

7 Mars 2019, 18:10Sport TEMA

Edhe pse nuk ka qenë gjithmonë një “dashnor” i rikthimeve, Zlatan Ibrahimoviç për Interin do të kishte bërë një përjashtim nga rregulli. Ai do t’i zgjidhte zikaltrit përpara “kushërinjve” të tyre në Milano.

Kjo u tha nga Massimo Moratti, ish-presidenti i Interit në kohën e mbërritjes dhe lamtumirës së suedezit, shkruan Telesport.

Në një intervistë me “Corriere della Sera”, presidenti historik zikaltër ka pranuar se, pas makthit të një viti në Barcelonë, në vitin 2010, Ibra do të kthehej menjëherë tek Interi, pavarësisht negociatave tashmë të avancuara (dhe pastaj përfundoi) me Milanin:

“Kur kaloi nga Barcelona te Milani, Zlatan më ka telefonuar mua. Ai ka pranuar fillimin e negociatave me Milanin dhe, me një gjest, të cilin e kam vlerësuar vërtet, më tha që, nëse kisha ofertë për të, do të zgjidhte ne. Një ofertë edhe më të ulët financiare, u kujdes për ta theksuar…”

Një favor i diktuar para së gjithash nga dashuria dhe kujtimet zikaltër. Disa muaj më parë, megjithatë, vetë Ibrahimovic kishte provuar ta shtynte klubin drejt shitjes së Cambiasso. E njëjta gjë, që argjentinasi ishte përpjekur të bënte me të, siç tha Moratti: 

“Ibra e filloi bisedën larg e larg, por ishte e qartë se kishte diçka urgjente për të më thënë. I kërkova direkt: Eja, më thuaj. Gjëja për të cilën më foli lidhej me Cambiasso, se ekipi mund të bëjë edhe pa të. I picërrova sytë dhe iu përgjigja: Cambiasso, po më flet për dikë, që si ju, u kujdes për të më njoftuar se, në tërësi, ekipi mund të kishte bërë edhe pa Ibrahimovic…”

Në fund ishte Ibra, ai që u largua, në të njëjtën verë, kur Sneijder arriti në Milano. Sidoqoftë, ëndrra e fshehtë e Morattit kishte qenë Andrés Iniesta, siç e pranon vetë. Spanjolli ishte një lojtar i vetëm, që nuk i dilte nga mendja presidentit, por i paarritshëm: “Barcelona kurrë nuk dha shenja të hapjes për ndonjë ofertë, pavarësisht apelit dhe fuqisë sonë ekonomike. Për të, kjo ide është mbyllur menjëherë dhe plotësisht. 

Jo nga lojtari, por nga klubi katalanas. Vetë lojtari i takoi drejtuesit e Barcelonës, sepse ne kishim fuqi ekonomike dhe bindëse. Kam biseduar për disa lojtarë, por kur shqiptova emrin e Iniesta, qëndrimi i Barcelonës ndryshoi. Unë mund të bëja ndonjë ofertë, por do të ishte e padobishme, sepse Barcelona kurrë nuk do ta kishte shitur atë”.

Ish-padroni historik i klubit zikaltër tregon prapaskenat e tij edhe me Leo Messin: “Ne filluam ta shihnim Messin në Kampionatin Botëror U-18. Nisëm edhe interesimin. Prindërit e tij na treguan për vështirësitë e shëndetit dhe përkushtimin e Barcelonës për t’i zgjidhur ato probleme. Katalanasit ishin duke u kujdesur për Messin si babai për djalin e tij. Këtu kuptova se do të qëndronte përgjithmonë te Barcelona dhe nuk këmbëngula më tej”.

Një histori rikthen në kujtesën tonë Massimo Moratti edhe me brazilianin Ronaldo: “Ai erdhi të më takonte në Milano. Me vete kishte diçka, që ma la si dhuratë. Ronaldo luante te PSV, por përfundoi duke nënshkruar me Barcelonën. Sigurisht, do ta kisha marrë direkt, por negociatat e tij me Barcelonën ishin në hapin përfundimtar. Do të ndodhte herë tjetër, u betova. Një vit më vonë më thanë se mes tij dhe katalanasve kishte ndodhur krisja. Iu dhashë urdhër menaxhërëve tanë për ta marrë atë. Me çdo kusht. Ronaldo dhe unë, në atë fazë flisnim shpesh në telefon. 

Kur çarja me Barcelonën u bë e qartë, e telefonova vetë. Para prezantimit në “Piazza Duse”, Ronaldo erdhi në shtëpinë time për drekë. Aty ishin gruaja dhe fëmijët e mi. Ai dukej si fëmijë, qeshte dhe gëzonte. Megjithatë, ai ka një shpirt të jashtëzakonshëm vëzhgimi, regjistron dhe përpunon gjithçka. Pas asaj dreke më dha në pak minuta një pasqyrë të hollësishme të karakterit të të gjithë të pranishmëve”.

Po me Luis Figon, si u dakordësuan? Moratti tregon: “Me atë u takuam pranë detit. Menjëherë gjetëm marrëveshjen ekonomike. Shtrënguam duart dhe ishim gati për ta zyratrizuar kontratën. Luis, në respektim të plotë të rregullave, tha se ishte i gatshëm të shkonte atje, ku ishte e nevojshme firma zyrtare. Ishte verë, nuk kishte asnjë zyrtar të disponueshëm menjëherë, kështu që i thashë Figos se marrëveshja ishte arritur, ne ishim dy zotërinj dhe nuk do të kishte surpriza të pakëndshme…” 

Por, a ishte aq i menjëhershëm akordi edhe me Jose Mourinhon? Ish-presidenti i Interit kujton: “Mou më kishte magjepsur me një intervistë, kur drejtonte Benfica. Aty u binda dhe thashë me veten se herët a vonë, do ta sillja në Milano. Ne e pamë njëri-tjetrin në Paris, për herë të parë. Ka pasur disa spekulime se e kisha takuar më parë, kur Mancini ishte trajneri ynë. Kjo nuk është e vërtetë. E vërteta është se i nisëm negociatat me Mourinho dhe e ftuam atë në Francë, në shtëpinë time pariziene. 

Aty u takuam dy herë. Herën e dytë u paraqit me plot shënime dhe letra. Aty kishte studimin e tij mbi Interin në atë kohë, me karakteristikat e lojtarëve ekzistues dhe emrat e të tjerëve, që do të ishin funksionalë si përforcime. Aty dukej një punë e çmendur, që me siguri i kishte kushtuar ditë dhe netë pune… Herën e parë që Mourinho hyri në shtëpinë time ishte i maskuar. Dukej sikur ishte një film me spiunë… 

Duke iu “lëpirë” mureve, ia doli të mos binte në sy. Kur hapi derën, më në fund, i bindur se kishte kapërcyer çdo rrezik dhe ishte i sigurt, unë bërtas: Joséééééééééé!!!! Joséééééééééé!!!! Joséééééééééé!!!! Unë mendoj se jehona duhej të ndihej deri në gjysmë të rrugës, përmes Parisit. Vetë Mourinho ishte i zënë ngushtë, vazhdonte të më shikonte. Unë qesha, i kënaqur si kurrë më parë”.

1 komente në “Nga Ibra, Iniesta, Messi dhe Mou; Morati zbulon sekretet e Interit të tij”

  1. buj says:

    IK OR TOC KUKLLE

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje