Ligjvënësit britanik, për herë të dytë, kanë votuar kundër marrëveshjes për Brexit-in të negociuar nga qeveria britanike dhe Bashkimi Evropian duke e vënë në drejtim të panjohur procesin e daljes së vendit nga BE-ja.
Kundër marrëveshjes votuan 391 deputetë ndërkaq pro ishin 242.
Kryeministrja britanike, Theresa May, tha se qeveria e saj, të mërkurën, do të dërgojë një mocion në parlament në mënyrë që ligjvënësit të vendosin nëse do të mbështesin braktisjen e BE-së më 29 mars pa një marrëveshje.
Kryeministrja britanike Theresa May u tha ligjvënësve të martën se ndarja e Britanisë nga Bashkimi Europian mund të rezultojë në humbje, nëse ata nuk votojnë për marrëveshjen e re të shkëputjes që ajo negocioi me Bashkimin Europian.
Zonja May i kërkoi me forcë Dhomës së Komuneve të miratojë versionin e saj të fundit të marrëveshjes për shkëputjen e Britanisë që ajo negocioi të hënën me presidentin e Komisionit Europian Jean-Claude Juncker.
Shkëputja nga blloku i 28 vendeve anëtare të BE-së është planifikuar për më 29 mars.
Udhëheqësja britanike tha se zoti Juncker ra dakord për “ndryshime të sanksionuara me ligj”, për të siguruar që kufiri midis Irlandës – anëtare e BE-së – dhe Irlandës së Veriut – pjesë e Britanisë – të mbetet i hapur pas shkëputjes.
Por është e paqartë nëse ndryshimet do të ishin të mjaftueshme për ligjvënësit, të cilët në janar votuan me shumicë dërrmues kundër planit të kryeministres.
Kancelarja gjermane Angela Merkel tha se BE-ja ka bërë “propozime të qarta dhe të largpamëse” për të zbutur shqetësimet e Britanisë lidhur me marrëveshjen.
Por ajo iu shmang pyetjes nëse ajo ishte e gatshme për të shtyrë daljen e Britanisë nga BE-ja nëse ligjvënësit britanikë nuk bien dot dakord për një plan.