Nga funerali në majën e botës, i mjaftuan 90 minuta perfekte në Torino Juventusit për të mposhtur Atletico Madrid dhe për t’u kthyer në majë të listës së skuadrave favorite për të fituar Champions League këtë sezon.
Natyrisht, meritë të madhe ka “përbindëshi” Cristiano Ronaldo, por gjithë makineria bardhezi funksionoi në mënyrë perfekte dhe qendërmbrojtësi Leonardo Bonucci pas ndeshjes kishte fjalë të ashpra për kritikët.
“Ishte një mbrëmje e madhe për popullin juventin, të tjerët po festonin dhe ne u përgjigjëm në fushë.
Janë thënë shumë gjëra jo të këndshme për ne, por Juventusi përgjigjet në fushë.
Patëm 4 raste dhe shënuam 3 gola, ata në vajtje patën 3 raste dhe shënuan dy, ky është ndryshimi.
Treguam se kemi k**e për gjithë ndeshjen, mungesat e tyre peshonin, por jo më shumë se tonat.
Ata që luajtën ishin perfektë, në një atmosferë fantastike, sepse Juventus Stadium ishte lojtari ynë i 12-të.
Gjërat që janë thënë për ne na kanë prekur në nivel njerëzor dhe kur prekesh në sedër, jep gjithnjë diçka më shumë.
Trajneri ka shumë eksperiencë dhe bëri që kritikat të mos na mbeteshin në mendje.
Tani kemi shumë adrenalinë dhe kjo do na ndihmojë të mbërrijmë në maksimum deri në qershor“.