Ligjvënësit britanikë votuan të hënën për të marrë kontrollin e Brexitit nga kryeministrja, Theresa May për një ditë, në një përpjekje për të gjetur një rrugëdalje nga bllokada rreth divorcit me Bashkimin Evropian, që një shumicë në parlament mund ta mbështeste.
Ligjvënësit tani duhet të votojnë mbi një sërë mundësishë për Brexitin të mërkurën, duke i dhënë parlamentit një shans për të treguar nëse mund të bjerë dakord për një marrëveshje për lidhje më të ngushta me Brukselin dhe pastaj të përpiqet ta nxis qeverinë në atë drejtim.
Veprimi i ligjvënësve vuri në dukje se në çfarë mase kryeministrja May ka humbur autoritetin e saj, ndonëse ajo tha se qeveria nuk do të ndjehet e detyruar nga rezultatet e të ashtuquajturave “vota treguese” të së mërkurës.
Votimi i së hënës u kërkua nga Oliver Letwin, një ligjvënës i Partisë Konservatore të zonjës May, pasi që kryeministrja pranoi se marrëveshja për të cilën ajo kishte rënë dakord me BE-në pas dy vjet bisedimesh, ende nuk kishte mbështetje të mjaftueshme për t’u miratuar.
Ligjvënësit mbështetën me 329 vota, kundrejt 302 sa ishin kundër, propozimin e deputetit Letwin.
Më herët, Thersa May tha se propozimi mund të paraqesë një precedent të padëshirueshëm dhe mund të çojë në një rezultat me të cilin BE-ja nuk do të pajtohej.
Ajo tha se qeveria nuk mund të zotohet për asnjë rezultat të votimeve të së mërkurës në parlament.
Javën e kaluar Bashkimi Evropian u pajtua për shtyrjen e afatit fillestar për largimin e Britanisë me 29 mars për shkak të bllokadës. Tani, Britani do të largohet më 22 maj nëse marrëveshja e kryeministres May miratohet këtë javë nga parlamenti. Nëse jo, atëherë ajo ka afat deri më 12 prill që të paraqesë planet e saj.
Presidenti i Këshillit Evropian, Donald Tusk, tha javën e kaluar se të gjitha mundësitë janë të hapura për Britaninë deri më 12 prill, përfshirë, marrëveshjen, largimin pa marrëveshje, një zgjatje afati dhe madje edhe anulimin e nenit 50 dhe mbetjen në Bashkimin Evropian.
Por, gati tre vjet pas referendumit për largimin nga BE-ja dhe tre ditë para afatit që ishte paraparë për largim, është ende e paqartë se, si, kur apo nëse Brexiti do të ndodhë, derisa parlamenti dhe kombi janë thellësisht të ndarë.
Marrëveshja e kryeministres May u hodh poshtë dy herë në parlament, por ajo la të kuptohet se do ta hedhë në votim për herë të tretë gjatë kësaj jave.(VOA)