Dekani i Fakultetit tw Ekonomisw, Biznesit dhe Zhvillimit nw UET Selami Xhepa nw Rubrikwn Universitas tw Gazetws Liberale, shkruan se vende si Shqipëria e kanë të pamundur të kontrollojnë financimin nga burime private të partive politike dhe për pasojë influencimin e vendimmarrjes politike në favor të krijimit të privilegjeve të pamerituara, ndoshta do të ishte e mirëmenduar që të ndalohet krejtësisht financimi nga sektori privat dhe individët; financimi të bazohej tërësisht te financimi publik dhe kuotat e anëtarësisë.
Demokracia kushton. Mënyra e financimit mund të na kushtojë vetë demokracinë. Konsultimi publik, fushatat elektorale, operimi i përditshëm i partive politike, krijimi dhe ruajtja e networks me partitë simotra dhe grupimet politike jashtë vendit etj., janë një kosto që shoqëritë demokratike e pranojnë.
Paraja është një mjet që lehtëson demokracinë dhe përfaqësimin, sepse mundëson zhvillimin e aktiviteteve politike në bazë, konsultimin e vazhdueshëm me qytetarët etj.
Eksperienca dhe studimet tregojnë se partitë dhe individët kandidatë që kanë financime më të mëdha, kanë shanse më të mëdha të fitojnë, edhe pse paraja mund të mos jetë arsyeja kryesore e fitores. Nëse rregullimet ligjore dhe institucionale nuk janë të duhurat, nëse kontrolli mbi rrjedhën e parasë nga burimi në destinacion nuk gjurmohet me saktësi, përfaqësimi demokratik shtrembërohet dhe demokracia minohet. Ishte mbi këtë arsyetim që Thomas Jefferson dhe Andrew Jackson, dy nga baballarët themelues të SHBA-së, ishin armiqtë më të mëdhenj të bankave në Amerikë. Ata e dinin se bankierët e fuqishëm do të dominonin politikën amerikane duke blerë vullnetin e elektoratit, domethënë përfaqësuesit e tij në Kongres.
Dhe historia e ekonomisë e provoi këtë tezë. Kriza e vitit 2007 lidhet në një masë të madhe me mosrregullimin e tregtimit të kontratave të derivativëve, një lobim i mirëdokumentuar nga interesat e industrisë financiare (ish- shefja e kontrollit të tregjeve, një prej autoriteteve lider në legjislacionin financiar, dha dorëheqjen pikërisht për këtë arsye të mospajtimit të saj).
Në këtë kuptim, mënyra e financimit të partive politike është thelbësore për vetë demokracinë përfaqësuese. Nëse partitë politike ishin shumë të besuara deri në vitet ’90, kjo i dedikohet dhe mënyrës se si ka ndryshuar mekanizmi i financimit të tyre. Anëtarësia partiake ka qenë financuesja kryesore dhe është normale që dhe mënyra e funksionimit të jetës politike brenda partive ishte shumë më demokratike. Tek e fundit ishin anëtarët e partive ata që mbanin trupën ekzekutive partiake dhe për pasojë ushtronin më shumë pushtet dhe kontroll mbi aktivitetin politik të saj. Parimi “taksim me përfaqësim” që ndiqet në financat publike, aplikohej dhe në angazhimin në jetën politike partiake. Nëse partitë do të financohen nga industritë apo biznese të caktuara, atëherë dhe kontrolli i tyre mbi aktivitetin politik të partive do të jetë i fortë dhe dominues (do u lindë e drejta e “rimbursimit të shpenzimeve elektorale”). Ndoshta pikërisht kjo zhvendosje e burimeve të financimit të partive politike nga anëtarësia politike te biznesi dhe grupe të caktuara të interesit, ka krijuar dhe krizën e sotme të përfaqësimit politik dhe humbjen e besimit të elektoratit te partitë politike. Problemi është serioz dhe sistemik; vetë demokracia përfaqësuese është në krizë, ashtu sikurse dhe kapitalizmi po kalon në kohë të vështira pikërisht për të njëjtat arsye. Politika shihet nga qytetarët si mbrojtës i interesave të grupeve influente dhe vetë biznesi si përfitues privilegjesh të pamerituara të nxjerra nga lidhjet politike.
Edelman Trust Barometer (2013) gjente se 50% e të anketuarve në 26 vende të botës, ishin mosbesues ndaj qeverive të tyre. Dhe midis faktorëve kryesorë të cituar ishin “që politikat drejtohen nga nxitje të gabuara” (pra promovon interesa të tjera nga ato të qytetarëve) dhe “korrupsioni”. Këta dy faktorë përbënin më shumë se 50% të të gjithë arsyeve për nivelin e ulët të besimit ndaj qeverive. Ndërsa Eurobarometer tregon se ndërsa besimi ndaj qeverive është i ulët, ai ndaj partive politike është edhe më i ulët.
Një krizë sistemike kërkon dhe një qasje reformatore sistemike, por pika nga ku duhet të fillojë është reformimi i skemës së financimit të partive politike. Mbështetja financiare e drejtpërdrejtë buxhetore dhe subvencionimet e aktiviteteve politike elektorale mund të jenë zgjidhjet që t’i rikthejnë besimin publikut te partitë dhe qeveritë e tyre. Për shembull, reklamat televizive në fushatat elektorale në median publike dhe private, sallat për aktivitetet politike, botime me natyre promocionale elektorale etj., mund të subvencionohen nga shteti, sipas disa modaliteteve të rregulluara. Disa burime financimi duhen ndaluar menjëherë, si për shembull, financimet nga jashtë vendit, financimet nga korporatat që kanë kontrata me qeveritë apo kanë përfituar fonde publike, donacionet anonime etj. Një kontroll më specifik dhe ndalime eksplicite duhen parashikuar për partitë politike që janë në qeveri dhe që mund të përdorin fondet publike në mënyrë indirekte në shërbim të fushatës elektorale të partisë. Inaugurime veprash publike, parada qeveritare që reklamojnë suksese qeveritare, nënshkrime kontratash për vepra të mëdha publike, rekrutime të reja në administratën publike etj., duhen ndaluar të paktën gjashtë muaj përpara fushatave elektorale.
Duke qenë se vende si Shqipëria e kanë të pamundur të kontrollojnë financimin nga burime private të partive politike dhe për pasojë influencimin e vendimmarrjes politike në favor të krijimit të privilegjeve të pamerituara, ndoshta do të ishte e mirëmenduar që të ndalohet krejtësisht financimi nga sektori privat dhe individët; financimi të bazohej tërësisht te financimi publik dhe kuotat e anëtarësisë. Edhe këta të fundit duhen kufizuar në mënyrë që të mos përdoren si mburojë për të alokuar fonde nga burime të dyshimta. Transparenca e financimit të partive është një problem serioz dhe shpenzimet në fushata që kemi parë vitet e fundit janë dukshëm larg nga sa mund të përballohet me financimet publike. Ligji ka vendosur kufizime dhe rregulla të transparencës së financimit të partive, por ato nuk po funksionojnë. Në një vend të varfër si Shqipëria, ndeshesh me fushata ekstravagante dhe një luks dekorativ, festiv dhe “kulinar” që nuk e ndesh as në vendet më të zhvilluara, dhe këto shfaqje nuk përputhen me buxhetet e deklaruara elektorale. Sipas një statistike të OECD, në Gjermani sektori privat kontribuon më pak se 7% të totalit të financimit të partive, ndërsa në Brazil, 75%! Me shumë gjasa ne jemi si rasti Brazilit, edhe pse nuk ka ndonjë statistikë mbështetëse; tek e fundit veçanërisht në raste të tilla, pak gjë e ndan statistikën nga hamendësimi.
Por akoma më serioz është ndikimi i parave të pista në rezultatet zgjedhore, një fenomen që mund të ketë qenë prezent dhe më parë, por që tani është shndërruar në një sfidë serioze. Trafiqet ilegale dhe miliona eurot që qarkullojnë në vend janë bërë sot rreziku me eminent i deformimit të demokracisë dhe zgjidhja apo kontrolli këtyre burimeve kërkon një angazhim në shkallë të gjerë të strukturave respektive, e mbi të gjitha një vullnet politik të të gjitha palëve në vend për t’u ndarë nga kjo filozofi e luftës politike për pushtet. Kriza e tanishme politike në vend ka krijuar një momentum për ta adresuar në mënyrë më rrënjësore fenomenin e trafikimit të votës duke përdorur paratë që vijnë nga burime të paidentifikuara.
Paraja është pushtet dhe nëse nuk e kufizojmë rolin e saj në politikë, atëherë demokracia do të shndërrohet në një instrument të përfaqësimit të parasë dhe jo të publikut. Për ta fituar demokracinë, duhet që ajo të vihet nën kontrollin e financave që kontribuohen nga vetë publiku, nga buxheti publik.