Humbja ndaj Sampdoria dhe fitorja e Lazio ndaj Inter ndez dritën e kuqe tek Milani, që duhet të përqendrohet maksimalisht në ndeshjet e mbetura për të siguruar një vend në zonën Champions.
Në stërvitjen e së dielës në qendrën stërvitore “Milanello” kanë zbritur Maldini dhe Leonardo, bashkë me ta kanë qenë edhe Pirlo e Costacurta. Pas seancës stërvitore dy drejtuesit e klubi kuqezi janë takuar me trajnerin Gattuso sipas “Sky Sport” dhe kanë biseduar që tani të fokusohen tërësisht për vendin e katërt në renditje.
Të martën është ndeshja ndaj Udinese, që lufton për mbijetesë dhe të dielën është transferta ndaj Juventus. Ndërkohë që deri në fund të Serie A janë edhe 9 ndeshje për t’u zhvilluar.
Moduli i lojës që Milani ndoqi në 20 minutat e fundit ndaj Sampdoria i ka pëlqyer trajnerit italian, po ashtu edhe drejtuesve. Për këtë po mendojnë që të bëjnë revolucion duke filluar që nga sezoni i ardhshëm, për të luajtur me skemën 3-4-1-2, por nuk përjashtohet që ta implimentojnë edhe në sfidat e këtij sezoni që të shikojnë sesi përgjigjet skuadra.
Me këtë modul loje në formacion zbret Cutrone që do qëndrojë afër Piatek, ndërsa pas shpinës së tyre si trekuartist do jetë Paqueta (pozicioni i tij ideal). Problemi mbetet në mesfushë, sepse me këtë skemë në krah luajnë Laxalt dhe Castillejo, por mbetet për t’u parë pozicioni që do mbajnë Calhanoglu dhe Suso, që nuk janë pjesë e formacionit me këtë skemë.
Spanjolli dhe turku janë dy lojtarët që Gattuso ka mbështetur të gjithë filozofinë e lojës së tij dhe largimi i tyre do të thotë që puna të fillojë edhe një herë nga fillimi. Dilemat janë të mëdha, gjithçka do të sqarohet në fund të këtij sezoni dhe nëse Milan nuk e kap dot zonën Champions, atëherë Gattuso do jetë ai që do vuajë pasojat dhe skuadra do rindërtohet me një trajner të ri.