Zjarret, reagon ashpër Xhaçka: Janë të qëllimshme, akte kriminale dhe vandalizmi

1 Prill 2019, 14:26Kronika TEMA

Ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka ka reaguar për situatën e zjarrëve që kanë përfshirë vendin ditët e fundit.

Në një deklaratë për media ajo tha se këtë vit kemi 243 vatra zjarri dhe se këto zjarre janë ndezur qëllimisht.

Dua të ndaj sot me të gjithë qytetarët shqetësimin për situatën shumë të pazakontë që është krijuar gjatë 3 javëve të fundit me zjarret që kanë rënë në zona të ndryshme të vendit.

Është një situatë shqetësuese sepse dëmi i shkaktuar është i madh. Janë djegur deri tani mbi 245 hektarë pyje e kullota, ndërkohë që në shumë raste zjarret ende nuk është arritur të vihen nën kontroll.

Por është një situatë shqetësuese edhe sepse me dhjetra efektivë të FA janë sot duke punuar papushim, në kushte shumë të vështira dhe të rrezikshme për të shuar këto zjarre dhe sidomos për të parandaluar që ato të përhapen drejt zonave të banuara, ku dëmet mund të bëheshin shumë herë më të rënda. Përfitoj nga rasti për t’i falënderuar të gjithë ata djem e vajza për punën që po bëjnë në shërbim të komunitetit dhe ruajtjes se pasurisë së përbashkët.

Unë dua t’ju jap sot disa fakte që edhe media, por edhe qytetarët të kuptojnë më mirë përse e quaj këtë një situatë të pazakontë.

Gjatë muajit Mars janë shënuar plot 243 vatra zjarri, të shpërndara gjeografikisht në pothuajse të gjithë territorin e vendit. Mesatarisht, 8 vatra zjarri në ditë, edhe pse temperaturat kanë qenë nën 20 gradë, e madje në shumë prej këtyre zonave shumë më poshtë se aq.

Vjet, në të njëjtën kohë ky numër ka qenë 0 edhe pse kushtet atmosferike kanë qenë të ngjashme. Dhe sado të kthehesh mbrapsht në vite nuk mund të gjesh një vit tjetër me këtë frekuencë zjarresh.

Ajo që e bën këtë situatë edhe më të pashpjegueshme është fakti që këto zjarre janë akte kriminale, pra ato janë ndezur qëllimisht dhe në pjesën dërrmuese të rasteve pa asnjë arsye përfitimi prapa. Pra s’kemi të bëjmë me zjarre të vëna për të hapur kullota apo zjarre të vëna padashje duke djegur mbeturinat, etj.

Në pjesën dërrmuese këto janë akte të pastra vandalizmi, për mos ju vënë akoma një emër tjetër në mungesë të provave konkrete që do t’i zbulojnë hetimet. Janë akte që për nga logjika e natyra u ngjajnë si dy pika uji atyre sulmeve me kallëpe tritoli ndaj shtyllave të tensionit të lartë, që ndoshta si për rastësi kanë ndodhur po gjatë të njëjtës periudhë.

Në këtë situatë, kur akte të tilla jo vetëm që po shkatërrojnë pronën e përbashkët, por edhe synojnë të krijojnë një situatë alarmi e shqetësimi tek qytetarët, ju bëj thirrje të gjithë forcave politike, të gjithë politikanëve, që të na bashkohen për të denoncuar dhe për të luftuar këtë fushatë që nuk shkon në dëm të qeverisë, por në dëm të vendit.

Personalisht jam ndjerë e keqardhur dhe e revoltuar kur kam dëgjuar ndonjë syresh që është rrekur të krijojë ndonjë alibi për këtë situatë.

Nuk ka e nuk mund të ketë alibi e as justifikime për këto akte. Dhe nuk ka e nuk duhet të ketë asnjë forcë politike, pavarësisht problemeve që ajo ka, që të mbështesë duke justifikuar, apo të nxisë përmes gjuhës së konfliktit e dhunës akte, që e theksoj, nuk dëmtojnë qeverinë, por rrezikojnë të kthehen në një kërcënim real për pronën dhe jetën e qytetarëve.

U bëj thirrje autoriteteve lokale, të gjitha strukturave të njësive të qeverisjes vendore që në disa raste kanë qenë gati inekzistente përpara këtyre situatave, se, minimumi që këto struktura duhet të bëjnë me punonjësit e drejtorët, me këshilltarët bashkiakë e administratorët e kryepleqtë, pra me këtë ushtri njerëzisht që janë sot në borderotë e njësive të qeverisjes vendore, është që të informojnë në kohë për këto zjarre, të veprojnë menjëherë për parandalimin e përhapjes së tyre.

Bashkë me ta ftoj edhe të gjithë qytetarët që të na ndihmojnë duke na informuar në kohë për zjarret, por edhe duke na informuar kurdo që kanë informacion për individët e grupet që qëndrojnë pas këtyre akteve të qëllimshme kriminale.

Shqipëria është e shqiptarëve, është e fëmijëve tanë pa asnjë dallim, sot e mot, dhe të gjithë bashkë pa asnjë lloj ndasie duhet të ruajmë pasurinë e përbashkët e të mbrojmë jetën e familjeve tona, karshi çdo përpjekje për të djegur e shkatërruar atë që na ka dhuruar natyra dhe puna e përbashkët. (TemA)

4 komente në “Zjarret, reagon ashpër Xhaçka: Janë të qëllimshme, akte kriminale dhe vandalizmi”

  1. tori says:

    Shteti te pergjigjet dhemb per dhemb.Digjen pyjet digjni zjarrvenesit.Vetem keshtu marrin vesh PD-istat.Rruge tjeter nuk ka.

  2. Alban says:

    Nuk jane akte kriminale, jane AKTE TERRORISTE! Te organizuara nga qarqe te jashtme e te brendshme, qe presin rrenimin e Shqiperise. Nuk ka bir shqiptari qe te djeg natyren e vendit te vet, sikur te jete shkja.

  3. Rita says:

    Pershendetje Znj.

    Kur te realizoni futjen e Saliut ne burg atehere Shqiperia do te shpetoj nga zjarret, hedhjet e shtyllave te tensionit ne ere e te gjitha fatkeqesite e tjera.
    Ju lutem mos u beni hipokrit, ju vet deklaruat me te madhe ne fushaten zgjedhore 2013 dhe 2017 se do te benit gjithcka qe keqeberesit e te gjitha fatkeqesive qe kane ndodhur ne ventin tone nga 1990 deri tani te ndeshkoheshin. Nje pjese te madhe te ketyre fatkeqesive i ka “peruruar” Berisha me duart e veta. Le te mos ti permendim se te gjithe i dine. Prova keni me thase me ze dhe figure. Thjesht nuk ju intereson futja e Saliut ne burg.

    Si do ta justifikoni kete kur te shkoni prap ne zgjedhje? Perse nuk u be asgje per te denoncuar krimet e Saliut dhe kompani? Perse nuk u be asgje per ta ndeshkuar ate, ju kujtoni se ne harrojme? E keni gabim. Mos denoncimi i krimeve te Saliut dhe mos prurja perpara drejtesis ashtu sic ju premtuat na ka lene nje shije te keqe per mos te thene se ju nuk deshironi qe ta ndeshkoni ate, i keni thjeshte pallavra.

    Te fala nga nje ish simpatizante e PD. Tani eshte forca qe e urrej me shume, mbyll programin nese shoh ate shpure idiotesh te flasin.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje