Artemida, pianistja “shëtitëse” shqiptare që shpërndan tingujt e Kosovës në çdo cep të Europës

3 Prill 2019, 10:01Kulturë TEMA
Artemida, pianistja “shëtitëse” shqiptare që

Intervista/ Flet për TemA muzikantja nga Prishtina, e cila është edhe pedagoge në Fakultetin e Arteve të Kosovës

Nga Fernada Cenko

Rrugëtimi muzikor gati para 30 vjetësh, për pianisten nga Kosova Artemida Qarri nuk ka nisur rastësisht, pasi muzika e ka shoqëruar atë që në moshën 5 vjeçare.

Në një intervistë për gazetën TemA, Artemida shprehet se pianoja ishte mjeti përmes të cilit ajo më së miri e shprehu veten dhe u zbulua se atë dinte ta bënte më së miri . Ai ishte edhe instrumenti pranë të cilit ajo u rrit.

Pianistja shprehet se është ngjitur nëpër skena të ndryshme në Ballkan e Evropë. Për Artemidën nuk ka qenë çdo gjë e lehtë, pasi ajo ka studiuar në kushte të vështira gjatë luftës së viteve ’99 në Kosovë.

Gjithashtu Artemida zbulon edhe surprizën për publikun që e ndjek vazhdimisht. Ajo po përgatitet intensivisht për recitalin në festivalin veror “Tempietto”, të cilin do ta mbajë në Romë më datë 27 Korrik.

Artistja ka edhe një mesazh për të gjithë të rinjtë. Sipas saj çdo njeri duhet të provojë, të guxoje mbi të gjitha, të gjej tek vetja atë që di ta bëjë më së miri.

Artemida ju e keni nisur herët pianon, sigurisht që keni qenë e vogël dhe prindërit e tu ju kanë gjurmuar se çfarë dinit të bënit më mirë. Si e keni nisur rrugën e artit?

Rrugëtimin tim artistik e kam nisur shumë e vogël. Isha vetëm pesë vjeçe, pikërisht sa ka tani vite vajza ime, Helena dhe kur e vështroj atë dhe mendoj për këtë gjë, them që vërtetë, një jetë e terë me muzikë dhe pranë instrumentit. Më pëlqen kur më shtrohet kjo pyetje, sepse më rikthen kaq kohë prapa dhe më rikujton hapat e parë në mësimin e pianos.

Në fakt nuk harroj asnjëherë dhe përmend me shumë dashuri, ngaqë isha shume e vogël, i dilja mamit tim para, në mes të rrugës dhe kërkoja të më mbante në krah deri tek Shkolla e Muzikës. Pranë pianos pastaj vazhdonte “loja”, me mësuesen time të parë, Ildiko Juniku, një pedagoge e shkëlqyer, e cila gjente mënyrat më të duhura se si të me shpjegonte notat, vlerat e notave, etj.

Duke pasur parasysh moshën shumë të vogël kur unë fillova mësimin e pianos, sigurisht pasi te unë identifikuan elementet potenciale për të vazhduar shkollimin muzikor, gjithçka me mua punohej më ndryshe dhe mendoj që kjo përshtypje ime e parë ndaj shkollës, mësueses, punës së përbashkët ka pasur ndikim shumë pozitiv në kontinuitetin tim profesional. Një bazë e mirë, një fillim adekuat me fëmijën, është element shumë i rëndësishëm mbase dhe kryesori për një mbarëvajtje të mëtejme, pavarësisht fushës ku do studiohet, art, sport etj.

Keni pasur mbështetjen e familjes suaj?

Familja padyshim ka qenë mbështetësi im kryesor në gjithë këtë, prindërit e mi, talente të fshehur muzikor që e kanë dashuruar gjithmonë muzikën dhe motra ime Elizabeta, profesioniste në fushën e muzikës e cila gjithmonë më ka sugjeruar për gjithçka në këtë drejtim.

Ju keni studiuar edhe në vite të vështira…

Sigurisht nuk ka qenë e lehtë, për ata që nuk e dinë, gjenerata ime i takon periudhës ku shkollimin e mesëm e kemi zhvilluar në kushte të jashtëzakonshme të luftës së viteve ’99 në Kosovë, dhe mund të imagjinohet se sa sfiduese ishte jeta në çdo segment të saj.

Çfarë është piano për ju?

Pianoja është përditshmëria ime, është profesioni dhe pasioni im. Me pianon jam në kontakt të drepjtpërdrejtë dhe jo vetëm, çdo ditë në pjesën më të madhe të ditës dhe përmes punës me të arrij

të kuptoj shumë, si nga natyra e secilit individ në punën pedagogjike me fëmijët, por edhe aspekte të tjera teknike, kur dihet se fëmijët dinë të të befasojnë në vazhdimësi dhe përmes tyre mëson shumë si nga aspekti pedagogjik i punës me pianon, por edhe nga aspekti psiko-social.

Eksploroni me të?

Më kryesorja, pianoja për mua është një eksplorim i pandalshëm në anën time profesionale pianistike. Pra, e shikoj me atë sy nga e cila vazhdimisht përpiqem të nxjerr diçka të re dhe të panjohur nga ana ime interpretative. Kërkoj, provoj, sfidoj veten! Në rrethanat e ditëve tona, mes shumë angazhimeve, në rolin e nënës e bashkëshortes, disa punëve që jemi të detyruar ti bëjmë duhet të gjejë kohën edhe për studim. Nuk është e lehtë, por duhet të jesh këmbëngulëse!

Ju keni bërë turne në Europë dhe një mini turne në Kosovë e Shqipëri. Si është publiku europian, po ai shqipfolës?

Publiku është magji por është edhe sfidë! Kam koncertuar para publikut të ndryshëm, në vendin tonë, Ballkan e Evropë. Është gjithmonë suprizuese dhe secila herë është unike në vetvete ngaqë çdo moment që ne frymojmë di të jetë ndryshe dhe kjo e bën secilën paraqitje të veçantë. Publikun e kemi shume të informuar, si në Kosovë edhe Shqipëri. Ne artistët, kur ngjitemi në skenë ndjejmë audiencën e në fund të performancës kuptojmë qartë “feedback-un” e asaj se çfarë dhe sa ke përçuar ti tek ata.

Ky është privilegji i të qenit artist! Më kanë duartrokitur ngrohtë si publiku shqiptar ashtu dhe ai ndërkombëtar, për shembull, përvoja me Orkestrën Filarmonike të Maqedonisë ishte një eksperiencë e paharruar e cila më hapi dyert për skena të tjera të rëndësishme. Kohëve të fundit, kryesisht po koncertoj solo por nuk mungojnë bashkëpunimet e shpeshta me Korin e Filharmonise së Kosoves etj.

Për çfarë po përgatiteni tani?

Aktualisht po përgatitem intensivisht për recitalin në festivalin veror “Tempietto” të cilin do ta mbajë në Romë më datë 27 Korrik dhe jam në pritje të konfirmimeve për koncerte të tjera po kaq të rëndësishme.

Përveç kësaj me çfarë merret Artemida në jetën profesionale?

Përkushtimi im kryesor profesional mbeten koncertet, solo por dhe bashkëpunime me instrumentistë të tjerë pa lënë anash edhe punën pedagogjike në Fakultetin e Arteve në Prishtinë.

Një mesazh për të rinjtë?

Puna është çelsi kryesor i çdo suksesi, çdo i ri duhet të provojë, të guxoje mbi të gjitha, të gjej tek vetja atë që di ta bëjë më së miri dhe ta lartësojë atë deri në nivelet më të lart profesionale.

Besoj jeni e privilegjuar që jeni në këtë fushë?

Të qenit artist nuk ka vetëm privilegje, padyshim për shkak të punës fanatike që kërkon instrumenti, duhet të heqësh dorë herë pas here edhe nga kënaqësitë e vogla të jetës. E kjo në njërën anë bëhet pjesë e normalitetit njerëzor por në anën tjetër të shpie drejt suksesit.

(TemA Javore)

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje