Ish mbrojtësi i Partizanit dhe i kombëtares shqiptare, analizon për TemA, ecurinë pozitive të të kuqve në këtë sezon, çfarë duhet bërë që të ruhet kjo vazhdimësi deri në fund dhe një mendim për trajnerin e ri të kuqezinjve
Nga Fatjon Baze
Titulli i fundit që Partizani ka fituar është ai i vitit 1993 dhe që prej asaj periudhe të kuqtë kanë qenë shumë herë pranë titullit, kanë pasur dhe momente të errëta si klub, por ky sezon shihet si mundësia më e artë që trofeu të rikthehet në shtëpinë e kuqe.
Partizani udhëheq me meritë kampionatin me një distancë të konsiderueshme pikësh nga vendi i dytë, duke e pasur vetë në dorë çështjen e trofeun ku vetëm një çmenduri mund ta bëjë që 15-herë kampionët e vendit ta humbisnin dhe këtë vit këtë trofe.
Në një intervistë ekskluzive për Gazetën TemA, ish mbrojtësi i skuadrës së Partizanit, Përparim Daiu që ka qenë dhe trajner në disa klube të njohura të Kategorisë Superiore ka analizuar ecurinë pozitive që “demat e kuq” kanë bërë gjatë këtij sezoni.
Daiu thekson se suksesi i të kuqve në këtë sezon është funksioni në të gjithë hallkat e klubit, duke nisur që nga trajneri, lojtarët, dhe drejtuesit e klubit.
Ish kapiteni i Partizanit i jep merita të veçanta strategut të këtij ekipi, trajnerit Skënder Gega, që sipas tij ka injektuar genin e kuq në çdo qelizë të këtij ekipi, ndërsa shtoi se për të pasur këtë ecuri deri në fund 47 vjeçari shtoi se ekipi duhet që të qëndrojë me këmbë në tokë dhe mos të kalojnë në eufori.
Në fund Daiu foli dhe për çështjen e trajnerit të kombëtares shqiptar. Si një ish lojtarë i ekipit Kombëtar ai tha se trajneri duhet që të jetë sërish i huaj, pasi një teknik shqiptar ka më shumë ndërhyrje dhe presione nga më të ndryshmet.
Z. Daiu, kampionatit i kanë mbetur dhe pak javë deri në përfundim dhe kemi një Partizanin që kryeson me nje distancë të konsiderueshme pikësh. Mendoni se ky është viti që të kuqtë të rikthejnë titullin kampion?
Ky kampionat për Partizanin deri më tani po rezulton mjaft pozitiv, për vetë pozicionin që ka në tabelën e klasifikimit, por dhe për mënyrën e të luajturit dhe vlerësimit që i bën çdo kundërshtari. Dhe mediatikisht është punuar mirë sepse janë marë me veten e tyre dhe është mbajtur larg presioni në skuader. Partizani po funksionon shumë mirë në të gjitha hallkat e menaxhimit, si në fushe me futbollistat ashtu dhe me sektorin drejtues.
Ndryshe nga sezonet e kaluara, këtë vit të kuqtë kanë pasur një qëndrueshmëri, si për rezultatet pozitive ashtu dhe për lojën e mirë të zhvilluar. Çfarë ka ndryshuar gjatë këtij sezoni?
Ajo që bën dallimin me vitet e tjera tek Partizani është kjo strategji menaxhimi që ka dhënë frytet e funksionimit si skuader që nga disiplina, respekti i lojtarëve për bluzën, për njeri tjetrin dhe stafin teknik, duke mbizotëruar fryma e grupit.
Çfarë ju bind më shumë te ky Partizan?
Siç e theksova tek pyetja paraardhëse ajo që më bind më shumë është grupi, fryma, dhe harmonia që e karakterizon këtë skuadër sepse Partizani i kaluar ka pasur më shumë cilësi por jo këtë vazhdimësi.
Duke qenë i shkeputur nga Kukesi, tani a e ka vetë në dorë Partizani titullin dhe nga çfarë duhet të ruhet në javët e mbetura?
Duhet ruajtur qetësia dhe larg presionit që ka vendi i parë, duhet të qëndrojë me këmbë në tokë e duke vazhduar me këtë seriozitet e harmoni për të arritur qëllimin e kampionit.
Si e vlersoni punen e trajnerit Gega?
Skënder Gega ka meritën e padiskutueshme të ecurisë së deritanishme të Partizanit. Ka marrë maksimumin e këtij grupi, ka injektuar genin e kuq ne çdo qelizë të këtij ekipi dhe ajo që me ka bërë shumë përshtypje kanë qenë intervistat si ne televizione ashtu dhe në median e shkruar. Analiza shumë korrekte, është marrë veç me Partizanin dhe kjo ka bërë që presionin e ka mbajt larg skuadrës.
Si një ish lojtarë i ekipit kombëtar. Pas shkarkimit të Panucit, a duhet t’i besojmë sërish një trajneri të huaj apo të shohim dhe për një alternativë që të jetë një trajner shqiptar?
Për sa i përket ekipit kombëtar i ngelem mendimit që në drejtim të jetë një trajner i huaj. E argumentoj sepse e kam vuajtur vetë në kurrizin tim padrejtësinë kur Isha në kombëtare. Një trajner shqiptar ka më shumë ndërhyrje, ka më shumë presione nga më të ndryshmet. Prandaj një trajner i huaj gjithçka e bën sipas mentalitetit dhe njohurive që ka pa u kondicionuar nga asgjë. (TemA Javore)