Lokomotiva dhe vagonët e PD

12 Prill 2019, 09:20Blog TEMA

Nga Eduard Zaloshnja

Historia 80-vjeçare e sondazheve politike në botë na tregon se, në shumicën dërrmuese të rasteve, kuotat e udhëheqësve të partive janë më të larta se kuotat e partive përkatëse. Kjo gjë ishte e vërtetë për PD-në në qershorin e 2015-ës.

Para zgjedhjeve lokale të 2015-ës, zhvillova një sondazh, nga ekstrapolimi i të cilit më rezultoi se për Bashën (kryetarin zyrtar të PD-së), kishin opinion pozitiv rreth 750 mijë votues me banim në Shqipëri (34% e banorëve në moshë madhore). Ndërkohë, kandidatët për kryebashkiakë të përzgjedhur nga Basha morën 670 mijë vota në ato zgjedhje. Për krahasim, koalicioni i Berishës kishte pas marrë 680 mijë vota dy vjet më parë. Me pak fjalë, Basha iu përmbajt aksiomës 80-vjeçare të sondazheve: Ishte lokomotiva ajo që tërhoqi vagonët…

Le të zhvendosemi dy vjet në kohë. Dhjetë ditë para zgjedhjeve parlamentare të 2017-ës, zhvillova një sondazh, nga ekstrapolimi i të cilit më rezultoi se për Bashën (kryetarin e PD-së), kishin opinion pozitiv vetëm 350 mijë votues me banim në Shqipëri (17% e banorëve në moshë madhore).

Ndërkohë, kandidatët për deputetë të përzgjedhur nga Basha morën në zgjedhje 455 mijë vota. Me pak fjalë, Basha nuk iu përmbajt aksiomës 80-vjeçare të sondazheve: Në këtë rast ishin vagonët që shtynë lokomotivën…

Dhe vijmë në ditët e sotme. Javën e shkuar, kompania IPR marketing (zhvillon sondazhe për RAI-n sa herë ka zgjedhje në Itali) publikoi sondazhin e saj në një televizion në Tiranë.

Nga ekstrapolimi i atij sondazhi, rezulton se rreth 580 mijë votues me banim në Shqipëri janë gati të votojnë sot për PD-në, ndërkohë që vetëm 290 mijë (13.7% e banorëve në moshë madhore) kanë opinion pozitiv për Bashën, kryetarin zyrtar të PD-së. Me pak fjalë, Basha vazhdon të mos i përmbahet aksiomës 80-vjeçare të sondazheve: Edhe në këtë rast janë vagonët që shtyjnë lokomotivën.

Por cili nga vagonët mund të jetë më vendimtari në shtyrjen e trenit elektoral të PD-së. Hamendja është e lehtë për t’u bërë në këtë rast. Sidoqoftë, le të mos mbetemi në fushën e hamendjeve – le t’u referohemi sondazheve.

Nga ekstrapolimi i sondazheve të sipërcituara e të disa sondazheve të tjera, rezulton se, në katër vjetët e fundit, 620-635 mijë votues me banim në Shqipëri kanë opinion pozitiv për Berishën. Ndërkohë, siç u përmend më sipër, kuota aktuale e PD-së është 580 mijë dhe e Bashës vetëm 290 mijë.

Doni më për lokomotivën dhe kryevagonin lëvizës të PD-së?….

Shënim i autorit: Me përkufizim, sondazhet nuk janë instrumente precize – ato kanë një marzh të vogël gabimi statistikor. Sidoqoftë, sondazhet politike shërbejnë për të krijuar një tablo të përafërt të prirjeve elektorale.(AFP.al)

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje