Jari vlerëson lart vigjilencën e kryetarit të Bashkisë së Kavajës

26 Prill 2019, 19:54Antena TEMA

Jari vendosi sot të falenderojë kryetarin e Bashkisë së Kavajës, i cili pasi pushoi nga puna njeriun e Patozit që kishte mbledhur firma për partinë e re, detyroi dhe katër punonjës të Bashkisë të tërheqin firmat.

Ky është i vetmi akt politik madhor kundër partisë së re, që ka bërë një drejtues i PD, i cili duhet të bëhet shembull për të tjerët:

“Të nderuar demokratë,

Jari ju sqaron!

Ajo që ka bërë kryetari i Bashkisë së Kavajës, është një model që duhet ta ndjekim të gjithë.

Sapo mori vesh që një njeri i Patozit po mblidhte firma për partinë e re, ai e identifikoi, e verifikoi dhe e pushoi në vend nga puna.

Ky është model i një kuadri të shëndoshë, të formuar me idealet e partisë, që ka të mprehur fort vigjilencën revolucionare dhe nuk bie pre e armikut të klasës.

Dhe nuk e ka lënë punën deri këtu.

Më pas ai lexoi listën dhe mori vesh që edhe katër punonjës të tjerë të bashkisë kishin firmosur.

Atëhere i thirri dhe ata dhe u tha, ose thoni nuk është firma ime, ose ju hoqa nga puna.

Dhe ata e kuptuan gabimin që kanë bërë.

Kontributi i tij është shumë i rëndësishëm, pasi nga 4 mijë firma, katër arritëm t’i provojmë që janë anulluar, ndaj KQZ nuk duhet ta rregjistrojë partinë e Patozit.

Nëse e rregjistron, atëhere do përballet me protesta dhe Kavaja do ndizet flake nën moton, “Jetën e japim, firmën se japim”.

Partia Demokratike ka pas gjithnjë korrektësi në jetën e saj politike.

Po të shikosh votimet për kryetar të Lulzim Bashës, njerëzit votojnë të lirë, pa presione, biles një njeri voton sa herë të dojë, deri në 12 herë, por jo nën presion.

Kurse marrja e këtyre firmave është shkelje e rëndë.

Ndaj Sakja meriton të vlerësohet dhe çmohet fort nga partia jonë, sidomos në këtë periudhë delikate, ku shumë kryetarë bashkish në detyrë po përpiqen të rikandidojnë.

Ai jo vetëm që nuk po përpiqet, por po lufton dhe rivalët.

I juaji, Jari!”

1 komente në “Jari vlerëson lart vigjilencën e kryetarit të Bashkisë së Kavajës”

  1. qazim says:

    Bukur si gjithnje me kete personazh grotesk.Eshte i garantuar suksesi edhe per sa kohe qe ky banal do te vazhdoje te krekoset si gjeli ne maje te plehut.
    Per te mos u harruar do te beje mire te krijoje partine PKZ – PARTINE E KARAGJOZEVE SERJOZE ku kryetar te jete dora vete shkelqesia e tije Bujar budallai.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje