Manchester City ka fituar 1-0 ndaj Leicester City-t në ndeshjen e fundit të javës së 37-të të Premier League dhe probabiliteti që ata ta humbin titullin e dytë radhazi është shumë i ulët.
Të besuarit e Pep Guardiola-s e kishin shumë të vështirë të zhbllokonin rezultatin ndaj Dhelprave dhe kanë vuajtur shumë, sidomos në pjesën e parë.
Vendasit kanë dominuar lojën, por nuk kanë arritur të krijonin mundësi të pastra shënimi.
Pas pushimit situata ishte e njëjtë dhe duhej goli spektakolar dhe historik i Vincent Kompany për të zhbllokuar gjithçka.
Belgu ka lëshuar një predhë nga 25 metra duke tronditur rrjetën. Kjo ishte goditja e parë e tij nga distanca në kuadrat që prej vitit 2013. Ai godet rrallë, por kur godet të jep titullin kampion.
Citizens kanë nevojë për një fitore në ndeshjen e fundit të sezonit ndaj Brighton, që shumë e quajnë një formalitet duke parë formën e dobët të Brighton.
Me këto tri pikë, City ngjitet në vend të parë të renditjes me një pikë më tepër se Liverpool.