Olsi Rama tregon sekretin e suksesit: Nuk e nisëm garën për titull, morëm fryte shpejt

6 Maj 2019, 22:30Sport TEMA

Pas shumë vitesh pritje, Partizani është shumë pranë titullit kampion dhe i duhet një fitore për të marrë trofeun. I ftuar në emisionin ‘Pressing’, drejtori i Partizanit, Olsi Rama u shpreh se Partizani kishte qëllim në fillim të sezonit vetëm që të përmirësohej ndjeshëm por jo të fitonte titullin.

“26 vjet janë shumë dhe e kanë humbur pak ngjyrimin por shpresoj që vitet e ardhshme të rikthehen. Me rrugën e suksesit, personat inteligjent kthehen në tifozë me Partizanin megjithatë rivaliteti me Tiranën është pozitiv.

Pasiguri? Nuk kam pasiguri pse nuk dal në media. Kur je drejtues duhet të kujdesesh për çdo aspekt dhe detaj. Nuk është çështje sigurie pasi kam besim por duhet kuruar gjithçka.

Partizani më e mira? Konflikt interesi është këtu. Padyshim që është skuadra më e mirë dhe kolektivi më i mirë që ka zbatuar me përpikmëri detyrat e tyre. Jemi grupi më i mirë pasi ditën pushim ishim te Egzon Belica dhe djemtë në dhomën e zhveshjes pyetën nëse e kanë pushim pasi donin të shkonin për ngushëllim. Kjo na ka ndihmuar pasi jemi një familje e madhe.

Isha i bindur te ajo që nisëm të bënim. Pikësynimi ynë nuk ishte titulli kampion por të rritej niveli dhe të mësohej ky brez si të bëhesh kampion. Rezultatet u arritën më shpejt por puna këtu është në fillimet e veta. Ne duam skuadër që është aty gjithmonë dhe për të fituar e transferuar lojtarë jashtë. Duhet të rrisim nivelin edhe për Shqipërinë dhe jo vetëm Partizanin.

Roli i drejtorit? Është një eksperiencë që nuk e kisha menduar. Kam qenë gjithmonë simpatizan i Partizanit dhe presidenti Demi më ofroi që ta ndihmoja dhe më pëlqeu. Është eksperiencë e bukur dhe interesante. Kam punuar gjithmonë në jetën time dhe kam pasur rregull që kur mbyllja kompjuterin nuk doja të merresha me punë. Futbolli është ndryshe pasi në çdo moment ka një diskutim për futbollin. Është diçka shumë interesante të merresh me futboll.

Presidenti? Demi është shumë atraktiv në TV dhe është shumë prezent në sensin që takohet përditë dhe flet përditë për problemet. Ai është në pjesën e mbyllur të ekipit dhe jo shumë në media.

Kur vjen në një realitet vjen me eksperiencë. Unë gjithmonë kam pasur si të transmetoj te lojtarët dhe grupi qetësinë. Kam menduar gjithmonë që kanë nevojë për mbështetje dhe në futboll jemi subjektiv. Nëse humbim një top 5m larg portës, është me apo qëllim. Siç gabojnë ata, gabojnë edhe arbitrat. Mbajtja e tensionit jashtë ka qenë ajo që kam parë se është produktive dhe realisht ashtu rezultoi. Ishte diçka produktive.

Në fillim të kampionatit, në Laç ishte një penallti solare që dukej dhe Gega tha se mund të ndryshonte rrjedhën e lojës. Kjo është ajo që duhet të jesh koshient. Këtë e kemi bërë si staf të gjithë. Protestat e lojtarëve janë më të rralla dhe Kalari bëri sprint për të shkuar te arbitri për të protestuar dhe i thashë je 34 vjeç, shko te sulmuesi me sprint.

Partizani është ekip i madh dhe nuk mund të bëjë si viktimë. Arbitrat janë shpesh herë edhe në kushte të vështira dhe nëse janë të qëllimshme apo jo është gjë tjetër. Duhet të mësojmë si të sillemi. Nëse bën një gabim është normale, nëse bën dy herë të njëjtin gabim është një faj.

Aventura si dinamovit? Më vjen keq që nuk është Dinamo, Vllaznia, Tomori e Besa në Superiore pasi do t’i jepnin një tjetër ngjyrim. Kam fituar tituj në basketboll me Dinamon dhe gjithë karrierën time e kam pasur te Dinamo. Kam mësuar shumë nga sporti atje dhe se si mund të përmirësohet e menaxhohet mirë një situatë.

Arbitrat e basketbollit apo futbollit? Mendoj se futbolli është pak më i vështirë në sensin që ka më shumë interes. Në basketboll është e vështirë por mendoj se në futboll është diçka më e komplikuar”, tha Rama.

2 komente në “Olsi Rama tregon sekretin e suksesit: Nuk e nisëm garën për titull, morëm fryte shpejt”

  1. ¬ says:

    Presidenti Sërbis ka respekt për vëllain e Kryeministrit.

  2. rexha 10 says:

    EDHE KURE ISHTE MINISTER I FINANCAVE zoti RIDVAN BODE NE QEVERINE BERISHA ,SKENDERBEU ISHTE GJITHMONE FITUES I KAMPIONATIT SHQIPTARE .PASTAJ NDERHYRI UEFA ,DHE BERI NJE VRIME NE UJE .NE ATE VENDE ESHTE CDO GJE FALLCO ,DHE JO ME MERITE.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje