Kur Eden Hazard do të gjuante penalltinë e radhës për Chelsean të enjten në mbrëmje, ai kishte në këmbët e tij jo vetëm fatin e klubit të tij, por edhe shansin për të bërë histori.
Nëse ai shënonte, Chelsea do të kualifikohej për në finalen e Europa League dhe do të bënte të mundur që 4 finalistët e dy kompeticioneve europiane të vinin nga i njëjti komb, diçka pa precedent.
Hazard shënoi dhe kompletoi finalen e dytë angleze në pak ditë, pas triumfeve historike të Liverpool dhe Tottenham në Champions.
Për disa njerëz, në këto kohëra kur në Angli flitet pa fund për Brexit (tentativa për shkëputje nga Bashkimi Europian), ky është një triumf për Anglinë dhe “grusht turinjve” të huajve, por mjafton të shohësh përbërjet e skuadrave dhe trajnerët e tyre, që menjëherë të bëhet e qartë që rezultatet kanë ardhur për shkak se Premier League ka përzier më së mirë lojtarët, trajnerët dhe stilet e lojës nga brenda dhe jashtë Anglisë.
Katër trajnerët shembulli perfekt: Jürgen Klopp (Liverpool) është gjerman, Mauricio Pochettino (Spurs) vjen nga Argjentina, Maurizio Sarri (Chelsea) është italian dhe Unai Emery (Arsenal) është spanjoll.
Për sa u përket skuadrave, ato janë një miks i mrekullueshëm nga Europa, Amerika e Jugut, Afrika dhe Azia.
Arsenali ka përdorur lojtarë nga 15 kombe të ndryshme, Tottenham 14 dhe Liverpool e Arsenal 12.
Arsenali ka përdorur 9 anglezë në Europa League këtë sezon, më shumë se çdo ekip finalist, ndërsa 7 anglezë kanë përfaqësuar Tottenhamin, 6 Liverpoolin dhe 4 Chelsean.
Ka shumë arsye pse skuadrat angleze kanë shkëlqyer në Europë këtë sezon, paraja është kryesorja. Klubet e Premier League fitojnë shifra kolosale nga të drejtat televizive dhe në Europë vetëm Barcelona, Real Madrid, Paris St-Germain, Bayern Munich e Juventus mund të konkurrojnë në atë nivel.
Gjithsesi, këtë sezon duket sikur klubet angleze kanë kombinuar më në fund pikat e forta tradicionale të futbollit anglez – forca fizike dhe kolektiviteti – dhe lojën plot pasime që është luajtur historikisht në Europë.
Barcelona është adhuruar për shumë vite për stilin e vet të pasimit tiki-taka, por u shtangën nga agresiviteti i Liverpool të martën në mbrëmje dhe nuk ngritën më kokë.
Klopp ka luajtur një rol mjaft të rëndësishëm në këtë, duke marrë gjithçka të mirë ofron futbolli anglez dhe duke e bërë më europiane, duke gjetur një formulë që funksionon në skenën më të rëndësishme në botë. Pochettino ka bërë të njëjtën gjë me Tottenhamin dhe ashtu si Klopp, është bërë njësh me klubin dhe komunitetin rreth klubit.
Futbolli funksionon me cikle dhe historia e sezonit aktual nuk do zgjatë, por për sa kohë po ndodh, është një shembull i mirë i asaj që ndodh kur njerëz të talentuar me origjina të ndryshme bashkohen dhe punojnë shumë për të arritur të njëjtin qëllim.