Perez zbulon sekretet e Realit: Ronaldo, Zidane, Neymar, Mbappe dhe oferta kineze për Ramos

28 Maj 2019, 10:07Sport TEMA

Presidenti i Real Madridit, Florentino Perez, ka qenë i ftuar të hënën në mbrëmje në ‘El Transistor’ në Radio Onda Cero, ku ka prekur tema të shumta, nga situata e ekipit aktual, tek ecuria e sezonit, merkatoja dhe projekti i sezonit të ri.

Ronaldo: “Mendova se dëshironte sfida të reja dhe përfitoi nga ai moment, pas finales së Kievit, për të më kërkuar largimin. Ka qenë futbollist shembullor, nuk më ka krijuar kurrë ndonjë problem. Është lojtari më i mirë që kam blerë ndonjëherë, një profesionist i jashtëzakonshëm dhe nuk kemi pasur kurrë ndonjë problem. Largimi i tij nuk lidhej me ndonjë hatërmetje për gjyqin për evazion fiskal. Ai dëshironte të ndryshonte ambient dhe të firmoste një kontratë më të mirë, që ia ofronte Juventusi”.

Pasuesi i Cristianos: “Është e vështirë të gjesh një pasues, por kemi pasur lojtarë të mirë, Bale, Asensio, Vinicius … Nuk mendoj se ishte problemi kryesor largimi i Ronaldos”.

Zidane: “U largua për shkak se ishte tepër i lodhur, ashtu si gjithë skuadra. Të gjithë ishin bosh këtë sezon, përveç Benzema. Zidane ishte nën presion të madh, sepse nuk zhvilluar një kampionat të mirë. Erdhi në zyrën time dhe e kishte vendosur, donte pak pushim.”

Lopetegui: “Nuk kishte shumë trajnerë të lirë në qarkullim, Klopp kishte kontratë 5-vjeçare dhe të tjerët po ashtu. Të qenit trajner i kombëtares është punë tjetër, mund të lirohesh shumë shpejt dhe pas Kupës së Botës Lopetegui mund të ishte i lirë. Fola me Rubiales dhe u duk gjithçka në rregull, por më pas gjithçka u kthye kokëposhtë dhe federata vendosi ta pushonte nga puna. Do kishim paguar për prishje kontrate, nëse Lopetegui nuk do ishte pushuar nga puna”.

Largimi i Lopeteguit: “Humbëm shumë ndeshje, ishte e vështirë të kuptohej pse erdhi ajo rënie niveli. E kuptuam që nuk mund të rregullohej asgjë, presioni i madh nuk i lejonte lojtarët të shpreheshin. Kur gjërat nuk ecin, duhet një ndryshim”.

Ekipi: “Bota e futbollit është irracionale, duhet gjithnjë sukses. Megjithatë, kjo epokë do mbahet mend gjithnjë, me 4 Champions në 5 vite, ashtu si epoka e Alfredo di Stéfanos”.

Barça: “Nuk më ka gëzuar disfata e tyre në Liverpool, përkundrazi. Më trishton kur shoh lojtarët që fishkëllehen, ofendohen. Nuk është normale, po ndodhin gjëra të papërballueshme nga lojtarët”.

Ramos: “Erdhi të më takonte në zyrë, më pyeti nëse mund të largohej pa paguar, sepse transferimet në futbollin kinez janë të ndërlikuara. I thashë që nuk mund të largohej dhe që do flisnim me klubin kinez. Është e pamundur që ta lëshojmë falas kapitenin tonë, do ishte një precedent i tmerrshëm”.

Solari: “Ai besonte se po bënte gjërat e duhura, por të gjitha ishin të gabuara. Luanim disa ndeshje të mira, pastaj ktheheshim në pikën zero. Aty e kuptuam që ishte mirë të mendonim për sezonin e ardhshëm dhe Zidane erdhi. Ai nuk erdhi për të fituar kampionatin, nuk prisnim kthesë gjigante, sepse mendojmë për të ardhmen”.

Bilanci i pagave: “Kontrata më e lartë që kemi është e Ramos, sepse e meriton. Më parë ishte Cristiano, para tij Figo, Zidane, Beckham, Ronaldo e Raúl paguheshin njësoj, 6 milionë euro neto në vit. Tani ka shkallëzim pagash, ka edhe kufizime të mëdha nga La Liga, nga UEFA…”

Mbappé e Neymar: “Nuk kam folur me Zidane për asnjërin prej tyre, nuk mendojmë për lojtarë të rinj deri në 1 korrik. Do flasim me Zidane, duhet të blejmë dhe të shesim”.

Ofertat: “Vetëm Ramos ka marrë një ofertë nga Kina, nuk kemi asnjë ofertë për Bale apo të tjerët”.

Incidenti në Amsterdam me Sergio Ramos: “Nuk kam dëgjuar që Ramos të më ketë thënë ‘më paguaj dhe largohem’, pasi shkova në dhomat e zhveshjes pas humbjes ndaj Ajax. Kam bërë gjithçka mundem për Ramos dhe çfarë nuk kam bërë, nuk e kam bërë se nuk kam pasur mundësi. E kam shumë për zemër, nuk më ka befasuar që nuk është riaftësuar plotësisht nga dëmtimi, sepse të gjithë nuk kanë qenë mirë”.

Keylor: “Ka ende kontratë. Nëse largohet, OK, do i them mirupafshim”.

Jovic: “Ka lojtarë që i duan të gjithë, ai është një prej tyre”.

Griezmann: “Nuk ma kanë ofruar kurrë, kaq është e sigurt”.

Odegaard: “Është ndër 2-3 lojtarët më të mirë në Holandë, do jetë një ndër yjet e mëdhenj të Realit brenda 2-3 vitesh dhe është i ri, ashtu si është plani i Realit për të ardhmen, për shkak të Fair Play Financiar”.

Rodrygo: “Dp të bashkohet me ne në qershor, duke e rinuar edhe më shumë ekipin”.

VAR: “Në fillim ka pasur shumë gabime këtë sezon. Kam folur me presidentin e federatës për t’i kërkuar që VAR të aplikohet në mënyrë korrekte, pas një penalltie që nuk iu dha Vinicius”. (Telesport)

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje