ZYRTARE: Gattuso lë Milanin pas “18 muajve të paharrueshëm” dhe fal 5.5 milionë euro. Radhën e kanë Maldini dhe Leonardo

28 Maj 2019, 10:14Sport TEMA

Rino Gattuso sapo i ka larguar dyshimet. Ai do të largohet nga drejtimi i kuqezinjve: “Vendosja për ta lënë stolin e Milanit nuk është e lehtë, por është një vendim, që duhet ta marr.

Nuk kishte një moment të saktë, në të cilin e pata peshuar këtë vendim. Ishte shumatorja e këtyre 18 muajve si trajner i një ekipi, që për mua nuk do të jetë kurrë si të tjerët.

Këto muaj jetova me pasion të madh, do të jenë muaj të paharrueshëm. A po heq dorë nga një kontratë 2-jeçare? Po, sepse historia ime me Milanin nuk mund të jetë kurrë një çështje parash”. 

5 milionë e gjysmë euro deri në vitin 2021

Kjo do të thotë se kontrata është depozituar në zyrat e Ligës së Serie A. Por, mes Gattuso dhe Milanit, që në vitin 1999 e bleu atë nga Salernitana dhe i mundësoi karrierën e shkëlqyer mesfushorit energjik, ka lidhje shpirtërore më të forta se çdo kontratë. Kjo është arsyeja pse ai e anulon formalisht atë.

Një gjest kundër rrymës

 Kështu, në mbrëmjen e zymtë të moskualifikimit në Champions, më 27 maj, trajneri ende i ri (41 vjeç mbushi 9 janarin e kaluar), Gattuso e kishte ndarë mendjen për t’i marrë vetë përsipër përgjegjësitë, si timonieri i kuqezinjve. Ndoshta një fund të tillë nuk e kishte menduar më 27 nëntor 2017, kur u promovua në krye të ekipit të parë nga “Primavera”, në vend të Vincenzo Montella: “Kam jetuar një ëndërr”.

Pas saktësisht 18 muajsh ai largohet dhe sigurisht, jo ngaqë një vit e gjysmë i tij në krye të Milant duhet të konsiderohen falimentim. 44 pikë mori në sezonin e parë (si zëvendësues), ndërsa këtë sezon e mbylli me 68 pikë në total. Ky ishte rekordi i pikëve të gjashtë viteve të fundit për Milanin, edhe pse nuk ishin të mjaftueshme për të kapur Ligën e Kampionëve.

Ish-kampioni i botës në Berlin iu përkushtua shpejt trajningut, pasi e la futbollin e luajtur. Ai ka drejtuar Sion, Palermo, Pisa dhe të rinjtë e Milanit. Me siguri, mëngjesi i kësaj të marte do të mbetet në kujtesën e tij, sepse ka vendosur të dorëhiqet nga drejtimi i skuadrës së zemrës, me të cilën arriti gjithçka si gladiator i fushave të blerta. Ai ka vendosur të japë dorëheqje zyrtarisht, duke hyrë në “Casa Milan” dhe takuar drejtorin menaxhues, Ivan Gazidis, të cilit ia kishte njoftuar vendimin. Ndarja është konsensuale. Në vendin ku dikush ndonjëherë nuk jep dorëheqje, gjesti i tij mbetet një gjë e rrallë.

Arsyeja për “divorc”; merkato me kursim

Arsyeja e lamtumirës është shumë konkrete: projekti i ndërtimit të ekipit për sezonin 2019-2020 kalon përmes kufizimeve në merkato, të imponuara nga “fair play financiar” i UEFA-s (që mund ta përjashtojë Milanin nga “Europa League”) dhe nevoja për të ekuilibruar bilancin deri në vitin 2021, që do të jetë akoma me “dritë të kuqe” pas 30 qershorit (me 100 milionë). Merkatoja e miratuar nga Gazidis, në emër të Elliott, fondit amerikan të familjes “Singer”, që kontrollon klubin pas dështimit të sipërmarrësit të panjohur kinez, Yonghong Li, në duart e të cilit e kaloi Milanin Berlusconi në prill 2017, do të bazohet në angazhimin e lojtarëve nën 23 vjeç dhe me kosto të kufizuar. Një mision i vështirë, në këto kushte, për ta përmirësuar cilësinë e Milanit dhe, për rrjedhojë, vendin e pestë. Në fakt, Gattuso i kishte njoftuar synimet e tij të dielën mbrëma, pas ndeshjes së fundit të Serie A, që e fitoi në Ferrara, ndaj Spal.

Dorëheqja e paralajmëruar

 Shpjegimi i tij, në konferencën e fundit për shtyp, ishte linear: “Do të jetë e vështirë të grumbullohen më shumë se 68 pikë, të cilat tashmë janë mjaft. Juventusi, Napoli dhe Inter, të cilët kanë nisur që tani të përforcohen në merkato, janë më të fortë. Milanit i duhet të luftojë për vendin e katërt, por të tjerët do të jenë më të fortë. Pritshmëritë për Milanin, megjithëse po kalon nëpër një fazë delikate, janë gjithmonë të njëjta. Gjithmonë duhet të fitojë, sepse quhet Milan. Prandaj, nëse nuk arrin të paktën vendin e tretë, në imagjinatën popullore ka dështuar. Dhe personi përgjegjës për dështimin e supozuar është mëkati më i lehtë për t’u gjetur: trajneri”.

Mungon një plan B

 Megjithë heshtjen mbizotëruese të klubit, ai shpjegoi se marrëdhëniet me Leonardo u bazuan te bashkëpunimi dhe jo e kundërta, për të zbuluar se disa operacione të meratos nuk u realizuan si pasojë e kufizimeve ekonomike: “Klubi nuk mundi të bënte ndryshe”. Castillejo nga Villarreal dhe Laxalt nga Genoa janë të përfshira në këtë kategori, si objektiva të paarritshëm nga Gattuso. Megjithatë, qartësia nuk ishte e mjaftueshme. Pa komunikim adekuat mbi këtë temë, trajneri gjithmonë e gjeti veten në qendër të çdo kritike, me pozicionin e tij të paqëndrueshëm e të pasigurt, sa herë që ekipi humbiste një ndeshje.

Një zëvendësues, shpeshherë shumë imagjinar, identifikohej për kuqezinjtë: “Është një histori, që filloi nga korriku i vitit të kaluar. Jam i sigurt se kjo gjë do të përsëritej përsëri, edhe nëse do të qëndroja. Që në humbjen e parë, nëpër gazeta, TV dhe internet, do të isha menjëherë i shkarkuar”. Tani, stolin drejtues po e lë zyrtarisht, por pa një kandidat të vërtetë për ta zëvendësuar. Me sa duket, klubi nuk e ka ende një plan B, sepse për Gazidis, puna e Gattuso nuk ishte kurrë e pakënaqshme, nuk e ka shprehur kurrë gatishmërinë e tij për ta zëvendësuar atë.

(Telesport)

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje