Kukësi fiton Kupën e Shqipërisë, Tirana e mbyll sezonin me zhgënjim!

2 Qershor 2019, 21:11Sport TEMA

Kupa e Shqipërisë është e Kukësit. Për herë të dytë në histori, skuadra verilindore triumfon në kompeticionin e dytë më të rëndësishëm në vend, pasi mposhti 2-1 në finale Tiranën, që mbyll kështu me zhgënjim një sezon plot dritëhije, pasi vetëm pak ditë më parë, në javën e fundit të kampionatit, siguroi matematikisht qëndrimin në Superiore. Fiton trofeun e dytë me Kukësin trajneri Ernest Gjoka, që dy vite më parë e udhëhoqi ekipin verilindor drejt titullit të parë kampion.

Tirana e nis shumë keq takimin, e paaftë për t’u vendosur mirë në mbrojtje. Pa u mbushur 4 minuta lojë, Kukësi gjeti golin e epërsisë me Vasil Shkurtajn, që shfrytëzoi topin e mbetur në zonë pas shpërthimit të Valdet Ramës dhe ndërhyrjes së Likes ndaj gjuajtjes së Reginaldos. Vetëm tre minuta më vonë, sulmuesi i ardhur nga Luftëtari humbi një rast të pastër, me portierin Lika që u bë heroi i bardhebluve.

Dominimi i Kukësit vijoi gjatë gjithë pjesës së parë, sidomos në minutat e fundit kur Melo dhe Shkurtaj nuk arritën të finalizonin aksionet e verilindorëve.

Tirana e nis me tjetër marsh pjesën e dytë, madje e gjen rrjetën me Ngo, por është i vëmendshëm anësori që sinjalizon për pozicion jashtë lojë. Gjithsesi, bardheblutë e konkretizuan dominimin në fillim të këtij fraksionin me golin e Michael Ngo, që u ndihmua edhe nga devijimi i Cuculit, për të mposhtur Stivi Frashërin.

Reagimi i Kukësit pas këtij momenti ishte i menjëhershëm. Falë cilësisë së Valdet Ramës në krahun e djathtë dhe bashkëpunimit të Shkurtajt, Reginaldo devijoi me magji pasimin e shokut të tij sulmues, duke e lënë të palëvizur portierin Lika, 1-2.

Tenton me të gjitha mundësitë Tirana për të barazuar rezultatin, rrezikon sidomos me Ngonë me një goditje e kokë, por rezultati mbeti i pandryshuar e për rrjedhojë festa në fund ishte e gjithë për Kukësin, që përmbylli me trofe një sezon të vështirë, të cilin në kampionat e mbylli si nënkampion i vendit.

1 komente në “Kukësi fiton Kupën e Shqipërisë, Tirana e mbyll sezonin me zhgënjim!”

  1. Ikthus says:

    Ej shyqyr, hamdyryla ne allahu ekber…

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje