I huaj, apo shqiptar? Kjo është dilema rreth pa suesit të Skënder Gegës. Drejtuesit duhet të vendosin shumë shpejt, pasi fillimi i punës për sezonin e ri është në prag dhe normalisht gjithçka duhet të nisë nga trajneri, i cili vë piketat për merkaton.
Prej ditësh është përfolur se me shumë mundësi trajneri i ri i Partizanit do të jetë i huaj dhe për ta realizuar këtë mision, disa emisarë të klubit, me në krye drejtorin Olsi Rama, kryen disa raunde bisedimesh në Itali, ku prioritet ishte një emër i dëgjuar në fushën e trajnimit, çeku Zdenek Zeman. Fillimisht u arrit akordi me trajnerin “bohem”, por kërkesat shtesë për stafin e zgjeruar ngrinë gjithçka.
Më pas janë kontaktuar edhe disa emra të tjerë, por “Panorama Sport” ka mësuar se rreth trajnerëve të huaj, në kampin e kuq ka pikëpamje të ndryshme. Drejtori Olsi Rama është i idesë që Partizani të drejtohet nga një trajner i huaj dhe me emër, dhe për këtë arsye u ul në bisedime me Zdenek Zeman, dhe si alternativë e dytë ishte Serse Kozmi.
Duke parë që këto pista janë të vështira për t’u finalizuar, mësohet se presidenti Gaz Demi dëshiron të kthejë një njohje të vjetër të klubit, me të cilin ka pohuar se ka gabuar që e ka larguar. Nëse vendoset për trajner të huaj, Adolfo Sormani mbetet dëshira e vetme e presidentit Demi. Nën drejtimin e ish-trajnerit italian, në verën e 2016-ës Partizani korri suksesin më të madh në Europë, ku eliminuan Ferencvaroshin në turin e parë në Champions dhe më pas shkuan deri në raundin “play-off” të Ligës së Europës, ku u ndalën nga rusët e Krasnodarit.
Presidenti Demi para disa kohësh është treguar i sinqertë, pasi ka pranuar se ka gabuar që e largoi Sormanin, i cili ishte i rreptë ndaj lojtarëve. Mbase me veton e tij, Demi kërkon që të shlyejë borxhin ndaj Adolfo Sormanit.
Ja çfarë ka deklaruar presidenti i Partizanit për largimin e Sormanit në tetor të 2016-ës: “Më vjen keq për Adolfo Sormanin, largimi ka qenë një nxitim i imi, kërkoj ndjesë. Kam gabuar me Sormanin. Tani i përket së shkuarës, sikurse edhe sjellja e futbollistëve tanë, që kur një trajner është i sertë, nuk iu pëlqen. Profesionalizmin pjesa më e madhe e duan vetëm në pagesa”.
REAGIMI I SORMANIT
Emri i ish-trajnerit italian është përfolur prej ditësh si kandidat për stolin e Partizanit. “Panorama Sport” para një jave ka kontaktuar me trajnerin 53-vjeçar, i cili i pyetur nëse ka ndonjë mundësi rikthimi te Partizani, u shpreh: “Askush nuk më ka kontaktuar, por më vjen shumë mirë që Partizani fitoi titullin kampion, që i mungonte prej një periudhe të gjatë.
Ata e kanë merituar totalisht atë sukses, pasi presidenti Gaz Demi është një person shumë ambicioz, plus që Partizani ka edhe një tifozëri fantastike. Klubit i uroj sa më shumë suksese në vijim duke filluar nga kualifikueset e radhës në Champions”.
Kjo deklaratë e Adolfo Sormanit tregoi se trajneri italian nuk ka asnjë mëri me presidentin Demi dhe nëse do të kontaktohej, ai do ta pranonte menjëherë rikthimin te Partizani. Mbetet të shikohet në do të vendoset për idetë e drejtorit Rama, apo pëlqimin e Demit.