"Të dielën nuk luhet futboll"

26 Qershor 2019, 17:48Blog TEMA

Nga Edi Oga

Të dielave zakonisht luhet futboll, por kësaj rradhe “luhet” diçka tjetër.

Në fakt, ajo e të dielës që vjen, ngjan deri diku me një ndeshje futbolli “play-off”.

Le të imagjinojmë sikur luhet për t’i shpëtuar rënies nga kategoria. Skuadra PËSË pret në fushën e saj skuadrën PËDË. Kjo e fundit, bëri çmos që ndeshja të luhej në fushë asnjanëse, por federata nuk pranoi, sepse ndeshja e fazës së parë ishte luajtuar në fushën e PËDË-së.

Më pas, PËDË-ja, duke ditur dobësitë e veta dhe forcën e kundërshtarit, u përpoq të shtyjë datën e ndeshjes. Shefi i federatës, i detyruar nga rrethana personale, anuloi datën e ndeshjes por klubi PËSË e refuzoi këtë duke iu drejtuar federatës evropiane dhe asaj botërore.

E diela po vjen dhe askush nuk e di nëse do të luhet apo jo.

Klubi PËDË ka njoftuar me kohë se nuk do ta luajë këtë ndeshje. I katandisur me lojtarë të dobët dhe me shumë mungesa të rëndësishme, ky klub kërkon të bindë tifozët e tij se fajin e ka skuadra tjetër.

Sidomos traineri i tyre. Ai ka shpenzuar pa fund para të pista për të blerë lojtarë të cilët nuk mund të federohen.

Përveç kësaj, më e rëndësishmja, ky klub ka blerë arbitrat dhe kontrollon federatën dhe gjykatën sportive.

Për këtë kanë edhe përgjime. Klubi i PËDË pretendon se kjo ndeshje është e pabartë dhe se pa u larguar traineri i korruptuar, ata nuk do të pranojnë të luajnë as në të ardhmen.

Klubi PËSË nuk ka ndërmend ta diskutojë ndeshjen në tavolinë. Për ta, futbolli luhet vetëm në fushën e gjelbër dhe se ata do të respektojnë të gjithë sportdashësit që kanë prerë bileta. Për ta luajtur “mesesbën” këtë ndeshje, ata kanë veshur me bluzën e kundërshtarit disa tipa nga rruga dhe ditën e diel do të zbresin në fushë për të luajtur. Kuptohet se çfarë ndeshje do të jetë.

Shumica e atyre që kanë prerë bileta, as nuk e mendojnë të shkojnë në stadium. Ata do ta braktisin këtë ndeshje dhe të dielën do të kapin ndonjë plazh apo ndonjë drekë në ndonjë vend të freskët.

Ata që do të shkojnë në stadium janë vetëm tifozët e çmendur me skuadrat e tyre dhe ata që kanë luajtur lloto me skuadrat përkatëse. Shumë njerëz ka luajtur të gjitha paratë që kanë me njërën nga këto dy skuadra.

Nëse fiton skuadra e tyre, ata hanë bukë, në të kundërt, e kanë pisk. Duke parë situatën, bastexhinjve të PËDË-së u intereson që ndeshja të mos luhet, prandaj do përpiqen të mos e lejojnë skuadrën kundërshtare të zbresë në fushë. Bastexhinjtë e PËSË-së do të kundërshtojnë me forcë këtë veprim të tyre.

Pra në stadium pritet të ketë sherr. Askush nuk i parashikon dot përmasat e tij. Sa më shumë i bëhet jehonë këtij sherri, aq më tepër sportdashës si unë (mbase edhe si ty) mendojnë që të dielën të largohen dhe t’ia lënë stadiumin sherrxhinjve.

Nëse do të ishte futboll, sherrxhinjtë maksimumi do të digjnin karriget e stadiumit… Në realitet është ndryshe, nuk janë “sherrxhinjtë” problemi. Problemi janë “klubet”, janë partitë politike, të cilat “djegin” vitet e jetës sonë duke na bërë “tifozë” të lojërave të tyre skandaloze!

Po të ishte futboll, unë dhe ti të dielën do të shkonim në plazh, por nuk është. Për fat (nuk) jemi njerëz me mend në kokë dhe (nuk) e kemi shumë të qartë se çfarë do të bëjmë të dielën! (newsbomb)

2 komente në ““Të dielën nuk luhet futboll””

  1. skelari says:

    O Edi, po boll me keto te vertetat e tua se na lodhe.
    Vallahi me shume kuptoj sjelljen militante sesa keto sjellje te kesaj bicim “shoqerie civile”.
    Qe ta kuptosh edhe ti: nuk na rruhet per ngjyren, por per shtetformimin. Ai ekipi bojkotues ka qene gjithmone kampion i antishtetit ne kete vend. Nese prape te duket mendim militant, nuk me plas trapi.

  2. Sa per dijeni says:

    Jo ore toc jo. Nuk largohet e keqja duke iu shmangur por duke u perballur me te. Po shkove ne plazh mire do besh per veten tende por mos merr me mundinin te shkruash per publikun sepse nuk e meriton me te japesh mendje, je thjesht frikacak. Nese te gjithe i bejme bisht detyrimeve tona komunitare atehere gjithmone do na sundojne batakcinjte dhe ne do vazhdojme te qurravitemi tamam si ky shkrim. Shko voto per ke te duash apo edhe beje voten te pavlefshme por shko qe te mos pyesesh te tjeret se ca ndodhi e pastaj te vesh te kompjuteri e te shkruash ndonje brockull si ky artikull.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje