Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, prof. Evis Sala, mori pjesë në tryezën e diskutimit të organizuar nga Dhoma Amerikane e Tregtisë, ku prezantoi prioritetet strategjike të Ministrisë dhe reformat kryesore që po transformojnë sistemin shëndetësor shqiptar.
Gjatë fjalës së saj, ministrja Sala bëri të ditur se ka nisur procesi i konsultimit për Vendimin e Këshillit të Ministrave për krijimin e Institutit Onkologjik Kombëtar, një prej reformave më të rëndësishme në fushën e onkologjisë.
“Instituti Onkologjik Kombëtar do të jetë një strukturë universitare, njësi kërkimore-shkencore, qendër kombëtare reference për sëmundjet tumorale dhe koordinatori i Rrjetit Kombëtar të Onkologjisë. Krijimi i tij përbën një hap të rëndësishëm drejt ndërtimit të një sistemi modern, të integruar dhe të standardizuar të kujdesit onkologjik në vend”, u shpreh ministrja Sala.
Ajo theksoi se paralelisht po ndërtohet Rrjeti Kombëtar i Onkologjisë, me synimin që pacientët të kenë akses në kujdes të koordinuar dhe shërbime sipas standardeve të njëjta në të gjithë vendin.
Në mbështetje të kësaj reforme, ministrja prezantoi edhe risitë e Listës së Barnave të Rimbursueshme 2026, e cila përfshin 55 barna alternative tregtare të reja dhe 27 principe aktive të reja, duke zgjeruar ndjeshëm mundësitë e trajtimit për pacientët me sëmundje tumorale, hematologjike, diabet, sklerozë multiple, sëmundje kardiovaskulare, respiratore dhe patologji të tjera me impakt të lartë shëndetësor.
Veçanërisht në fushën e onkologjisë, përfshirja e terapive inovative krijon mundësi më të mira trajtimi dhe rrit aksesin e pacientëve shqiptarë në barnat moderne. Për vitin 2026 do të alokohen edhe 1.5 miliardë lekë shtesë për barna onkologjike inovative, duke rritur me 16% buxhetin total për barna krahasuar me vitin 2025.
Ministrja Sala bëri të ditur gjithashtu se MSHMS po investon në zgjerimin e kapaciteteve diagnostikuese dhe trajtuese, ku tashmë është vënë në funksion Akseleratori i tretë Linear, ndërsa brenda këtij viti synohet instalimi i Akseleratorit të katërt Linear. Po ashtu, në bashkëpunim me Agjencinë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike, pritet të ofrohen brenda vitit shërbimet e PET Scanner dhe Brakiterapisë.
Një tjetër prioritet strategjik i prezantuar gjatë takimit ishte reforma farmaceutike, e konkretizuar përmes projektligjit “Për produktet mjekësore për përdorim në njerëz”, i cili përfaqëson reformën më të thellë të sektorit farmaceutik në Shqipëri.
Projektligji synon harmonizimin e plotë të legjislacionit shqiptar me Direktivën 2001/83 të Bashkimit Europian dhe krijimin e një sistemi rregullator modern, transparent dhe të parashikueshëm. Në javët në vijim ai do t’i nënshtrohet konsultimit publik, në një proces gjithëpërfshirës me të gjithë aktorët e sektorit.
Sipas ministres Sala, ligji i ri do të garantojë më shumë siguri, cilësi dhe akses në terapi inovative për pacientët, do të forcojë kuadrin rregullator për profesionistët e shëndetësisë dhe do të krijojë një mjedis më të qëndrueshëm e konkurrues për industrinë farmaceutike. Një element kyç i reformës do të jetë forcimi i sistemit të farmakovigjilencës dhe kapaciteteve të Agjencisë Kombëtare të Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore.
Gjatë takimit me përfaqësuesit e Dhomës Amerikane të Tregtisë, ministrja Sala ndau edhe progresin e Ministrisë në procesin e digjitalizimit të sistemit shëndetësor, duke theksuar se nga 1 gushti spitalet publike do të funksionojnë në mënyrë elektronike.
Ky proces synon ndërtimin e një sistemi të integruar, ku platformat dixhitale komunikojnë me njëra-tjetrën, duke përmirësuar koordinimin e kujdesit, referimet, shkëmbimin e informacionit dhe përdorimin e të dhënave për planifikimin dhe monitorimin e politikave shëndetësore.
Në përfundim, ministrja Sala vlerësoi rolin e komunitetit të biznesit dhe industrisë në mbështetjen e reformave, duke theksuar se dialogu i vazhdueshëm me partnerët mbetet thelbësor për ndërtimin e një sistemi shëndetësor modern, të qëndrueshëm dhe të harmonizuar me standardet e Bashkimit Europian.
Kur ishte puna per "Trajtimin hormonal te b*thqirave" , miratimi ishte i menjehershem , s'kishte nevoje per konsultim....ndersa per te semuret me kancer duhet konsultim...qe do te thote derisa te miratohen gjerat ...te semuret me kancer do te vazhdojne te trajtohen ne te vetmet reparte te terapise intensive per keta te semure : reparti i Sharres dhe i Tufines....!!!!