Koulibaly tregon "përplasjen" me Sarrin, kur i lindi djali: Ai është vërtet i çmendur...

27 Qershor 2019, 21:30Sport TEMA

Tani është një nga dhjetë qendërmbrojtësit më të rëndësishëm në botë, por në verën e vitit 2014, pasi mbërriti te Napoli, askush nuk mendonte se Kalidou Koulibaly mund të ngjitej kaq lart. Nën drejtimin e Sarrit, mbrojtësi senegalez është rritur në mënyrë eksponenciale, ndaj ndihet borxhli ndaj trajnerit të ri të Juventusit, pavarësiusht se, po të shohim mbas, marrëdhënia midis tyre nuk ka qenë gjithmonë e përsosur.

I intervistuar nga “theplayerstribune”, Koulibaly tregoi një anekdotë, që daton nga viti 2016, kur u bë me djalë në Napoli. Gruaja e futbollistit blu kishte shkuar në spital në mëngjes për të lindur, ndërsa skuadra napoletane do të përballej me Sassuolo, në mbrëmje. Pas marrjes së disa telefonatave nga spitali, Koulibaly më në fund ishte në gjendje të përgjigjej. Gruaja i kërkoi që menjëherë të vraponte tek ajo, sepse po lindte djalin.

Kështu, mbrojtësi shkoi të kërkonte leje dhe të mos llogaritej për ndeshjen kundër Sassuolo. Megjithatë, Sarri kishte mendim ndryshe. “Trajneri më tha: jo, jo, jo, unë kam nevojë për ty sonte, Kouli, vërtet kam nevojë për ty, nuk mund të shkosh”, – kujton senegalezi. Sidoqoftë, Koulibaly nuk kishte ndërmend ta humbiste momentin e lindjes së djalit të tij, ndaj iu kthye trajnerit: “Bëni çfarë të doni, më vendosni gjobë, më skualifikoni, nuk më intereson. Unë po shkoj”.

Përfundimisht, Sarri dhe Koulibaly gjetën një emërues të përbashkët: “Mirë, mund të shkosh në spital, por pastaj duhet të kthehesh për lojë sonte. Kam nevojë për ty, Kouli!” Në orën 01:30, Seni, djali i futbollistit të Napolit, erdhi në jetë dhe për Koulibaly ishte dita më e mirë e jetës së tij. Por, në orën 16:00, ai merr telefonatën e Sarrit: “Kthehu djalosh, ju duhet të më kuptoni… Me këtë dua të them se ai është i çmendur, e them në kuptimin pozitiv, por është vërtet i çmendur! Sarri këmbënguli: Kouli, a po kthehesh, më duhesh, të lutem! Dhe ajo gjë ndoshta më duhej edhe mua”.

Mes familjes dhe punës, Koulibaly zgjodhi këtë të fundit: “Unë nuk doja t’i zhgënjeja shokët e mi, sepse i dua me të vërtetë. Ata dhe unë e duam qytetin e Napolit. Gruaja më tha të shkoja. Mbërrita në stadium, fillova të bëhesha gati për të luajtur dhe Sarri hyri në dhomën e zhveshjes. Aty zbuloi formacionin, por nuk ishte emri im…”

Çuditërisht, Koulibaly do të mbetej në stol për ndeshjen kundër Sassuolo: “Unë e pyeta; zotëri, a po tallesh me mua? Trajneri m’u përgjigj: Çfarë ka? Është zgjedhja ime. Ai më uli në stol, nuk më aktivizoi. Unë vijova të kërkoja sqarime, duke i thënë se lashë djalin tim, gruan time. Vetë ngulmove, duke më thënë se ke nevojë për mua. Sarri më dëgjoi dhe m’u kthye: Po, ne kemi nevojë për ty, në stol. Tani që mendoj për këtë, më vjen të qesh, por në atë moment isha gati të qaja. Ndoshta mendoni se kjo është një histori e keqe, por për mua tregon sa e dua Napolin”. 

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje