Presidenca nuk është shtrati bashkëshortor, z.president!

2 Korrik 2019, 10:05Blog TEMA

Nga Luljeta Çipi

Ilir Meta është ndoshta Presidenti i vetëm në historinë e vendit, që e ka bjerrë aq shumë në vlera institucionin dhe figurën e kreut të shtetit. Presidenti që sot është kthyer në zëdhënësin e LSI-së, me deklarata banale politike, po provon se ai nuk mundet, dhe nuk do t’i largohet, tundimit për të qënë besnik ndaj bashkëshortes së tij, as kur vjen puna për të mirën e popullit shqiptar.

Shenjat e para të kësaj besnikërie bashkëshortore brenda zyrave të shtetit, i pamë para 30 Qershorit kur ndërsa mazhoranca bënte ftesa për dialog, Ilir Meta deklarohej hapur, njëanshëm, në krah të veprimeve të dhunshme të opozitës. Ky konflikt interesi u shfaq edhe më harbutërisht dhe paturpësisht, në momentin kur Meta çdekretoi datën e zgjedhjeve të vendosur nga po ai vetë, vetëm sepse bashkëshortja e tij nuk mori pjesë në zgjedhje dhe duke u përpjekur të prodhojë një konflikt institucional artificial.

Tanimë, pasi ka shkelur kushtetutën me të dyja këmbët dhe është në proces shkarkimi, Ilir Meta po dëshmon se për interesin e gruas së vet, mund të dalë jashtë kornizës së presidentit si figurë e unitetit, të bëhet një aktor i rëndomtë opozitar, dhe ta kthejë institucionin e kreut të shtetit, në një foltore-llogore të Monika Kryemadhit, ku nuk kursen askënd, as mazhorancën, as ambasadën e Shteteve të Bashkuara.

Deklaratat e pamatura dhe postimet e fundit të Presidentit, sulmet ndaj mazhorancës, janë një shfaqje vulgare, e një politike provinciale, që Monika Kryemadhi e bën rrugëve, ndërsa Meta nga kolltuku i presidencës. Shqipërisë, nuk i ka hije një palaço i tillë, që pasi shkeli kushtetutën, njollos edhe simbolikën e kreut të shtetit.

Njeriu që përdori zyrën e presidencës për të caktuar një datë ekskluzive zgjedhjesh, 13 Tetorin, vetëm e vetëm sepse ajo dhe aleati i saj nuk do të merrnin pjesë në zgjedhje, ka shkuar një shkallë më lartë: Ai po na provon se për hir të gruas, është gati ta turpërojë Shqipërinë në sytë e botës, si një shtet që nuk di të bëjë zgjedhje, nuk merr vesh nga demokracia e ligji. Ilir Meta, si burri i Monikës dhe kryetari në hije i LSI-së, kërkon të shpikë sot çdo lloj forme e mjeti, për ta bërë Shqipërinë lëmsh, për hir të gruas dhe faktit që ajo është tashmë jashtë sistemit politik.

Nëse Ilir Meta, do të shqetësohej realisht për standardet e demokracisë në vend, nuk do të lejonte që krizën e ngjizur në shtratin e tij bashkëshortor, ta eksportonte në presidencë. Ilir Meta me sa duket, nuk do ta përqafojë një standard të tillë, të ndarjes së shtratit bashkëshortor nga zyra e presidencës, duke provuar se ai dhe gruaja e tij, duan me cdo kusht të trazojnë Shqipërinë, për të qënë të qetë vetë. Për të qënë të qetë nga drejtësia që po i thërret, nga llogaritë që do duhet të japin së shpejti.

4 komente në “Presidenca nuk është shtrati bashkëshortor, z.president!”

  1. FLUTURA says:

    Mire!
    Por lidhja bashkeshortore nuk do te thote shtrat, por ajo qe ata sillen midis tyre….

  2. ¬ says:

    E ka të vështirë të largohet.

    1. Bureto says:

      Por që do të largohet. Punë javësh është. Provinciali, qysh nga fillimet e tij në politikë, e ka trashur shumë zullumin. Ndaj ashtu si peri këputet nga hollimi, ashtu këputet dhe zullumi nga trashja.

  3. luan rama says:

    Shume dakord zonje vetem se ne vend te fjales Ilir Meta duhej shkruar Haxhi Qamili dhe ne vend te Monikes, fallxhorja.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje