Nga Skënder Minxhozi
Ka qenë dikur politikani më pak interesant për mediat. Fliste me një fjalor të kufizuar termash, thoshte vetëm ato që kishte kalkuluar në mendjen e tij dhe përpiqej t’i mbahej një linje formalisht të balancuar mes palëve. Ky ishte Ilir Meta i para dekretit të anullimit të zgjedhjeve. Sepse që nga ai moment, kemi para syve një President të tjetërsuar, një tjetër njeri, por jo domosdoshmërisht një tjetër politikan. Nuk ka ndryshuar krah por vetëm se tani e thotë hapur dhe publikisht se në cilën anë qëndron.
Ka shumë hamendësime për arsyet e trazimit të dukshëm të Ilir Metës në javët e fundit. Dikush thotë se ka hall me afrimin e SPAK dhe të hetimeve që reforma do të sjellë për politikanët, dikush tjetër se kërkon të dalë nga hija e rëndë e maxhorancës që e ka futur në një cep, të tjerë përkrahin idenë se po përpiqet t’i japë një motiv egzistence dhe optimizmi opozitës (më së pari partisë së tij LSI), pas 30 qershorit dhe pas shuplakave të forta të ndërkombëtarëve.
Të gjitha këto janë motive të mjaftueshme për të bërë një luftë. Me kusht që të mos jesh kryetari i shtetit shqiptar. Sepse nëse je i tillë dhe hedh fraza të tipit “I kam bërë të qartë Bashës, Kryemadhit dhe mikut tim Doktorit, që të mos bien pre e provokimeve të një grupi të strukturuar P P P d, që të mos dalim nga mënyra e qeverisjes”, do të thotë se gjithçka mund të jesh, përveçse simboli i unitetit të kombit! Do të mjaftonte kjo fjali për ta konsideruar kryetarin tonë të shtetit, një tifoz të sëmurë të krahut të vet politik, e jo një institucion të ekuilibruar dhe të baraslarguar nga palët dhe nga sherret që ato gjenerojnë.
Prej kohësh opozita përpunon idenë se Presidenca është i vetmi institucion që po ruan neutralitetin e shtetit dhe balancat e prishura nga “parlamenti i krimit” dhe “qeveria e drogës”. Duket se opozita ka një merak që vetë Presidenti nuk e ka, me sjelljen e njeriut totalisht të arratisur nga formati dhe kostumi që i takon të mbajë, me sulmet e fyerjet që hodhi pa hesap kundër të huajve, me tezat naive e pa asnjë nivel të “oktapodit Soros”, me përmendjen orë e çast të burgut e prangave, Gruevskit dhe Mic Sokolit, apo me batutat absurde ndaj gazetarëve.
Shqisa politike e Ilir Metës e ka ndjerë për së largu momentin delikat që po gatuhet në politikën dhe shoqërinë shqiptare. Në njërën anë ai po sheh se konjuktura pozitive mes Ramës e ndërkombëtarëve mund të prodhojë situata shumë të disfavorshme ndaj tij dhe panelit të cilit ai i përket. Pasoja politike, por edhe juridike. Zbritja në fushë me shkop në dorë kundër ambasadorëve shënon fundin e durimit të Presidentit, për mënyrën sesi të huajt e kanë lexuar situatën në Shqipëri dhe sesi janë pozicionuar gjatë muajve të fundit ndaj ngjarjeve më të nxehta. Në anën tjetër, ashtu si në të shkuarën, Ilir Meta, por bashkë me të edhe një pjesë e mirë lidershipit të opozitës, nuk i shpëtuan dot kurrë frikës dhe ndrojes që ju vjen nga reforma në drejtësi. Ky objekt misterioz e me konturet e padallueshme, që mund të përfshijë në kthetrat e tij një listë personash që askush nuk është në gjendje t’ja lexojë përmbajtjen. Dhe fenomenet e padeshifrueshme rëndom nxisin frikë, logjike ose edhe të fantazuar.
Presidenca Meta ka hyrë kështu në një kurs përplasjeje që nuk ka më si kundërshtar vetëm Edi Ramën, por gjithçka dhe gjithkënd që del jashtë gardhit të opozitës së sotme. Ndoshta në këtë pikë ka ardhur momenti që gjërat të rikthehen në normalitetin e tyre të mëparshëm. Eksperimenti i Ramës i verës së vitit 2017, për ta nxjerrë Metën nga terreni partiak, e për ta “ngulur” atë në terrenin institucional, na solli një situatë edhe më të komplikuar. Ajo që dikur ishte kriza e një aleance të palumtur PS-LSI, sot është transformuar një terren lufte mes kryetarit të shtetit dhe pjesës së mbetur të institucioneve të shtetit. Ndoshta është momenti që të rikthehemi në gjendjen e mëparshme. Të rifitojmë një kryetar të fortë partie, e të lemë pas shpine një president që hyri i mërzitur në zyrën kreut të shtetit, e me gjasë do të dalë prej andej i zemëruar me gjithë botën…
Nje analize e shkelqyer.Bravo!
Dhe me pare kemi patur taste te njejta a te ngjashme.Perjashtuar Moisiun te gjitha Kane qene teper te politizuara.Nuk eshte precedent Iliri. Berisha kryetar-president, Mejdani sekretarj I pergjithshem-president, Topi nenkryetar- p resident, Bujari Sekretar pd Tiranes-President, Iliri kryetar – president. Vetem se Iliri per shkak te kufizimit te kompetencave kushtetuese te presidentit, ato kompetenca qe i kane mbijetuar cunamit politik , po i shtrydh deri ne fund ato. Ne mos qofte mbi palet nuk ja ndjen shume per palet.Te jete gje e mire?
Nje shkrim i balansuar dhe shume real.Por kam nje verejtje te vogel ,ky presidenti juaj a ka fituar ndonje beteje apo lufte,a ka pavaresuar Shqiperine apo çliruar ate.Ne kemi nje president vendi (Kosove)qe ka kontribute te pamohueshme ne kohen e lavdishme te UÇK-se(Nato,çlirimi i Kosoves,pavaresia e Kosoves), por e keni vrejtur sesi ju kemi versulur per kufirin pa nenshkruar asgje.Te gjithe ama,por asnje ofendim nuk ka bere ndaj askujt perkundrazi qete ka spjeguar qfare mendon,u pajtuam ne apo jo.Kurse ky fare presidenti nese eshte i tille ,po ofendon popullin ,qeverine,parlamentin,shumicen e vertetuar ligjore(KQZ,gjykata,prokurori etj) kur jo disa kohe me pare fliste superlativ per ata kur nuk u burgose dihet per qfare.Nese nje president therret per lufte civile,mosbindje shtetit ligjor,nxit dhune,nuk ka folur asnjehere per te denuar sulmet me molotov(eshte djegur shkolle)sulmon nderkombetaret duke ju spjeguar demokracine atyre(komunisti i famshem)ju lutem kjo NO COMMENT.Ky duhet rrezuar dhe besa duhet rishikoni shume kushtetuten sepse nxitja e vllavrasjes,cenimit te rendit kushtetues,kercenimi aleateve(jeni ne NATO)kjo eshte krim .Populli duhet me patjeter te ja tregoj vendin.Nese opozita ngritet kunder qeverise ,populli ka te drejte te ngritet kunder tij,Presidentit partiak sepse i popullit nuk eshte me.
Duhet te vazhdosh te shkruash cdo dite
Te pakten lexojme analiza serioze dhe realiste se po dalim si popull debil, me analist si Lubonja and kompani.
Skender, je nga te rrallet, per te mos thene i vetmi per paanshmeri, pa folur stilin e vecante. Mbetesh nje gazetar i admirueshem.
kur do ta kuptosh mor skender se vendosja e ilir metes si president ishte nje kurth i usa (cia) e be (psh milosheviçit i thane depertoj shqipetaret e kosoves e te njejten dite lajmeruan te gjithe mediat botnore me shku ne kufi te kosoves se duhej justifikuar bombardimi ose sadam huseinit per arme berthamore et) e per ilir meten ka shume prova se eshte vetem nje hajdut gjigand e se do te gjykohet por e bane president qe ta bajne shembull per gjithe ballkanin perendimor se edhe po ishe presidente do te arrestohesh e te mos tallin me prapanicen me keto popuj te pa mrojtur.
BRILANT SI GJITHMONE .
Edhe ti si Ilir Meta me je bere,ne nje vrime i bie fyellit Skender