Kovac i nxjerr të palarat Hummels: Iku, se nuk pranoi konkurrencën

10 Korrik 2019, 09:51Sport TEMA

Vullneti i Mats Hummels për të mos konkurruar për vendin e tij te Bayern Munich çoi në kthimin e veteranit gjerman te Borussia Dortmund. Kështu mendon trajneri i bavarezëve, Niko Kovaç. Mbrojtësi u kthye në Dortmund për 38 milionë euro të raportuara, muajin e kaluar, duke i dhënë fund një qëndrimi 3-vjeçar në “Allianz Arena”.

Bayerni kishte rënë dakord për transferimin nga Atletico Madrid të mbrojtësit francez, Lucas Hernandez, të cilin synon ta aktivizojë në qendër. Me Niklas Sule, tashmë pjesë e skuadrës së kampionëve të Bundesligës, 30-vjeçari shikonte rivalitet të madh për vendin e titullarit në sezonin e ardhshëm.

Kovaç thotë se ai nuk ishte i interesuar të garonte për ta fituar vendin në formacion: “Mats bëri një punë të shkëlqyeshme, veçanërisht në gjysmën e dytë të sezonit. Ashtu siç tha presidenti Uli Hoeness, në fund të sezonit, Mats erdhi tek ne dhe na pyeti se çfarë statusi kishte për sezonin e ri.

Niklas Sule bëri një punë të shkëlqyeshme, ai është një startues në ekipin kombëtar të Gjermanisë. Me Lucas kemi blerë një lojtar, që duam të luajë në qendër. Kjo nuk do të thotë asgjë. Konkurrenca do të thotë se lojtari më i mirë do të luajë. Në këtë rast, Mats donte ta shmangte atë. Ne e pranojmë vullnetin e tij dhe rezultati është se tani luan për BVB”.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje