Nga Kristo Mërtiri
-Na mbyti Polit(h)ika, miku im, na mbyti ! Hallet dhe dertet e njerëzve të thjeshtë kanë mbetur përtej Urës së Qabesë. Lumenj me vendime, raporte e fjalime. Lumenj me batuta e premtime. Lumenj e përrenj me akuza e kundërakuza, me dialogë e monologë dalëboje. Në sheshe e në media. Vërshime me metafora qesharake e ulërake, me pasione lëpirëse e pështymhedhëse. Në dukje, gati të gjithë “përgjërohen” e bilbilosin në emër të popullit. Në emër të fakirfukarenjve ! 3 dekada kështu. Pacipëria është bërë sa një mal, majtas e djathtas ! Dalin e hyjnë nëpër vilat vezulluese të metropolit dhe në periferi. Dhe gogësijnë përmes pasurive të pista, siguruar me “rrogat” e shtetit rrumpallë…E, ti më thua se përse flas me veten ?!
Ja, dhjetë minuta më parë takova te Sheshi “Skënderbej” dy punonjës të Drejtësisë. I kisha njohur ca vite më parë. Njëri gjyqtar e tjetri prokuror. Ishin si në ethe dimri (të tillë u shfaqën) përballë procesit të Vettingut. Unë tani po dal në pension. Në apartamentin e kohës së Enverit e ngrysa. Punova jo pak edhe në dy kabinete ministrash. Mirëpo, fjala ngau fjalën, se ata po lëshonin dokrra dhe sapunë mbi gunë ! I pyeta drejtpërdrejt e pa halë në gjuhë : “-Kur isha atje lart në dikaster, unë merrja cdo muaj mbi dyfishin e rrogës tuaj…
Si arritët të bëheni pronarë tokash e apartamentesh në kryeqytet e gjetkë ? Vallë, mos u ka pjellur gjë mushka ?! Sa “dhurata” e “borxhe” në cash keni marrë përpara se të kapnit ato kolltuqe drejtësie ?! (Këtë pyetje nuk po e dëgjojmë ende askund, as nga kupola e përzgjedhur e Vettingut me këlëpëra e këlëgjëra të majme si numur e si trajtim financiar; as nga të dërguarit e posacëm të ndërkombëtarëve dhe as nga institucione të varura e të “pavarura”…). I lashë në hallin e tyre, ashtu me fytyra të sapothartuara e si me mërmërima sharëse në buzë ! Dhe pyesja veten : në këtë qerrata shtet, ka vërtet Vettingarë, Inspektorë Pasurie, Prokurorë e Gjyqtarë apo një tabor me bilbil gjyzarë ?…
Irritimin acik e të ndershëm të mikut tim të vjetër, e dëgjuan edhe ca kalimtarë të zakonshëm te trotuari pranë Ministrisë së Energjetikës. Ngadalësonin hapat vetiu dhe kthenin kokën jo pa nota miratimi, proteste e zhgënjimi. Ndërsa mua më ngriu vështrimi te shkallët e asaj ministrie. Shkallë që qysh mbi një vit më parë, më shtojnë e më ndezin vazhdimisht drithërima shpirtërore e tejet njerëzore. Një pamje që nuk po më shqitet nga sytë e kujtesa, sot e gjithë ditën :
-48 kapele minatorësh të ngujuara si në heshtje mortore te kjo portë shtetërore e qeveritare ! Dhe kur ? Ditën e 1 Majit. Në Ditën e Punëtorisë botërore !…
48 minatorë që hedhin në erë dhjetra fjalime e daulle të fushatave elektorale. 48 kapele që nuk janë thjesht 48 “shuplaka” për politikanë, deputetë, ministra, zyrtarë e sipërmarrës privatë të panginjur me djersën e njerëzve të nëntokës në Bulqizë, Pogradec e gjetkë. Dhe ishte fjala vetëm për 5 vite. Sepse për 30 vite “pluralizëm” e “demokraci”, shifrat e jetëve të humbura nëpër miniera cajnë qiellin e tokën, por aspak zemrat e kupolës politike që ka drejtuar e drejton Shqipërizën tonë. Majtas e djathtas. Gati të njëjtët portrete të “vrerosur” e të telikosur për fatet dhe hallet e mëdha të mëmëdheut. Këmbejnë vetëm kolltuqet dhe ulluqet e korrupsionit, si në mazhorancë dhe në opozitë. Dhe i bien qemanes këmbë përmbi këmbë nga sallat mondane të metropolit. Të mbytur në luks e favore pa fund. Përvec ndonjë sindikate të përgjumur e të katandisur sa një grusht me thinja (ku krerët e tyre serbes-serbes e të pabesë, hajdutë me cizme e pa cizme, gjetën shesh e bënë përshesh), kush tjetër ka protestuar sinqerisht e larg megafonëve të ndryshkur partiakë ?…(Për të qeshur e për të qarë : Ditët e fundit, një Shoqatë Gjyqtarësh protestonte ububushëm me shkrim e me padi penale kundër Këshillit të Ministrave. C’kishte ngjarë e c’hall i madh u ka rënë në kokë ?,-pyeti me të drejtë njerëzia në qytet e në fshat. Dashkan me domosdo pasaporta shërbimi a diplomatike për veten dhe familjet e tyre ! O Zot, në cilin vend të botës ka bërë vaki kjo kërkesë padi-thagmë shqiptare ?! Të velurit me privilegje e barkplotët, nuk pyesin hic për mijëra barkboshë që sfiliten për të siguruar kafshatën e përditshme të fëmijëve. Kjo skotë e tjetërsuar të shet dëngla dhe petulla me ujë përpara peshoreve simbolike të Drejtësisë mbi tavolina, duke tundur e shkundur mantelet e zeza mbi supe. I quajnë privilegje “të merituara” nga shërbimet e sakrificat sublime për popullin. Njëlloj si kupola politike erërëndë. Apo shikon rrushi-rrushin dhe piqet ? Apo të rrimë urtë e të dëgjojmë avazin e atij llafit të mocëm : “Selanik e tatëpjetë, sic ka qenë do të jetë”?!…Të papunët dhe të uriturit i drejtohen edhe gazetarit e poetit të madh luftëtar, që “ata lart” e dëgjonin të hakërryer plot katër dekada më parë (madje ia hoqën librin nga qarkullimi dhe e bënë karton!). Ndërsa “ata poshtë”, lexuesit e thjeshtë në fusha, kodra e male, e adhuronin dhe e bekonin për guximin e rrallë tek riprodhonte monologun e pafund të hallexhinjve në këtë botë të trazuar :
“C’të hamë? Qiellin?/
Qielli është bërë bajat,/
s’shpohet dot as prej plumbit,/
si një bukë e gatuar/
tej epokës së gurit./
C’të hamë? Drurët?/
Ju i sharruat e i dogjët gjithë drurët me radhë,/
madje edhe ata të palosurit/
në prehistorinë e largët./
C’të hamë? Kafshët?/
Kafshët i bloi, i përbloi të gjitha,/
mokra e stomakut tuaj,/
gjakun e xhunglave në gjakun tuaj injektuat./
Atëhere, ne të uriturit,/
meqenëse me paret (c’parazeza!) që na kanë mbetur/
s’blihet dot as një grusht ullinj,-/
vendosëm t’ju presim, t’ju krypim, përtypim,/
juve, zotërinj ! “./
Ulërinin, përgjakeshin të uriturit e botës;/
Nga zemra që dhembte/
Në gjemba kthehej floku…
Sikur e ka shkruar mbrëmë Xhevua ynë i mirë por fatkeq, penëtari skraparli i vegjëlisë, “këngëtari i krenarive dhe dramave të botës shqiptare” ! Kujtoj grushtin e tij mbi tavolinën e redaksisë së gazetës “Zëri i Popullit” dhe thirrjen gurgullimë gati cdo mëngjes :”Ah, moj botë e korkolepsur, që nuk të c’korkolepsa dot !”. E dëgjoj edhe tani, sa herë kaloj pranë atyre shkallëve që mbanin 48 kapelet e minatorëve të vdekur në miniera. Po Polit(h)ika dhe Qeveritë “demokratike” që vijnë e shkojnë kaluar, përse nuk dëgjojnë nga ky vesh ? Se babëzia e makutëria nuk të zënë vetëm të dyja bulcitë. Së pari, asnjë shteg e rrugë institucionale(shtetërore a private) nuk hedh ende fije drite se c’farë bëhet me familjet e tyre kobzeza të zhytura në skamje e mjerim. Krahasaoni sadopak gratë dhe fëmijët e minatorëve që mbyllën sytë përgjithmonë, me ato të mjaft politikanëve e pushtetarëve lokalë e qendrorë që hargalisen nëpër vila e pishina, në veturat luksoze e pompoze brenda e jashtë vendit. Krahasoni fëmijët e Bulqizës tek mbledhin thërrime kromi për të shuar urinë, me fëmijët e kupolës politike që shullëhen deri në apartamente e shkolla të shtrenjta europiane e perëndimore! Dhe na shesin moral me okë nga tribunat, mikrofonat dhe ekranet e lerosura djallëzisht. Së dyti, Polit(h)ika pa moral (majtas e djathtas) fërkon barkun e barkderrave të vet shërbëtorë që japin e marrin pa hesap tendera, koncesione, licenca e favore të pamerituara në kurriz të taksapaguesve të varfër. Taksapagues që shushaten e zhugaten përditë duke dëgjuar e lexuar pasuritë pa pikë djerse të zyrtarëve të lartë. Imoralitet politik me brirë që po e kthejnë në mënyrë jetese e mbijetese në pushtet.
E kam thënë dhe do e them shpesh bindjen time personale : Po nuk u shporr kjo kupolë qelbanike, Shqipëria jonë do të vuajë gjatë ! P.sh. Inspektoriati i Kontrollit të Pasurive ka kohë që është kthyer në një tellall të rëndomtë dhe si arkivist i zakonshëm deklaratash në kullën e rehatisë. Asnjë bilanc me emra e mbiemra të zyrtarëve të lartë, me burime të ligjshme e të paligjshme, me denoncime të shkoqura, pa maska e të pandotura !… Së treti, dhjetra e dhjetra lincenca nepotike(politike, familjare e miqësore për miqtë “me fiq”, partiake e përvëlake) po u marrin shpirtin burimeve minerare dhe vetë minatorëve. Korrupsion i zi sterrë me jetën e njerëzve të ndershëm, me djersën e tyre që po u shkon lumë e për lumë ! Statusi i premtuar u kthye në një top llastiku nëpër fushat hipokrite elektorale. Nga ky front i vështirë, fisnik e pse jo heroik i kohëve moderne, vërshojnë vazhdimisht 2 kërkesa : Kushte më të mira pune dhe rritje të pagave. Por harbutëria e makutëria sipërmarrëse (private a shtetërore) e ka futur herët nën sqetulla Pozitën e Opozitën ! Nuk bëjnë as gëk, as mëk. Kjo është e vërteta e hidhur. “Paraja-maskaraja” po bëhet gjithnjë e më tepër, sic thosh Tolstoi i pavdekshëm, “një formë e re e skllavërisë”! Politikanët shqiptarë kanë idhull pasurinë pa virtytin… Së fundi, pa kaluar disa muaj nga ajo pamja tronditëse me 48 kapelet e minatorëve në shkallët e ministrisë përkatëse, befas në një gazetë të përditshme lexova titullin e një lajmi të zgjeruar : “Gjykatat Administrative, nga 48 gjyqtarë vetëm 1 justifikon pasurinë”! Dhe prit po desh Drejtësi për minatorët e shkretë që ikën me llahtarë nga kjo botë jallane. Policë, ekspertë, prokurorë e gjyqtarë horra, në shumicën e rasteve ua paskan hedhur fajin…të vdekurve(?). Sot, ca Vettingarë e Inspektorë na prezantojnë pasuritë e punonjësve të “Drejtësisë” me shifra e përqindje marramendëse. Njerëzia vënë duart në kokë, mallkojnë e bërtasin si në shkretëtirë. Dhe e mbyllin me një klithmë “Oi, oi ! I ziu popull, c’e ka gjetur !”. Asnjë masë arresti. Vetëm temenara. Asnjë sekuestro ndaj pasunarëve të pistë që kanë shitur e blerë poshtërsisht Ligjet, Nderin e Dinjitetin e zyrtarit të shtetit “demokratik” por cyryk. Shkurt, Drejtësi “e drejtë si drapri”!…
Te lumte Kristo Mertiri Nje shkrim i kthjellet.
Mirë e ke mor mik ,po ç’të bësh me këtë lloj mizërie ,sepse shumë pak kanë mbetur nga ata që të marrin gjak në vetull,gjith të tjerët pinë nga gjaku ynë dhe nuk paskan din e iman ,nuk u ngopkan….
Tu befsha te penes,
o Kristo Mertiri,
Qysh na e bene vendin,
lojcin nga fiqiri.
Kane tridhjet vjet
dhe prape te uritur
E di une c’duan:
nje nga nje skopitur.
Vetem dara e Fejzos,
mund tu vije hakut,
Njerzit s’kane te hane,
cfare ti hedhin barkut.
Ku pyesin te ngopurit
ne maje te shtetit,
Merrini per bythe
dhe hidhini detit.
Te korruptuarit ja kane zene frymen Shqiprise. Cdo te bejne kur Spaku te filloje nga puna. Une jam optimist se institucionet qe po ngrihen do tu tregojne vendin ketyre hordhive te koruptuarish.
Strukturat shtetrore te krimbura. Istituti deklarimit te pasurive eshte i Fshehjes se pasurive. Do zoti dmth nderkombetaret dhe behet vetingu. Ne te kundert rrokopuje do shkojne punet.