Arrihet marrëveshja për formimin e qeverisë në Bosnje,10 muaj pas zgjedhjeve

6 Gusht 2019, 12:32Rajoni TEMA

Liderët e tre partive kryesore të Bosnjës arritën sot një marrëveshje për formimin e një qeverie të re. Udhëheqësit rivalë serbë, kroatë dhe boshnjakë të Bosnjës ranë dakord për të formuar një qeveri qendrore, 10 muaj pas zgjedhjeve të përgjithshme.

“Marrëveshja u arrit gjatë një takimi të serbit Milorad Dodik, boshnjakut, Bakir Izetbegoviq dhe kroatit Dragan Çoviq të organizuar nën kujdesin e shefit të Misionit Evropian në Bosnje, Lars-Gunnar Ëigemark, në Sarajevë”, raportojnë mediat bosnjake.

Marrëveshja përmban dymbëdhjetë pika, ku më e rëndësishmja është ajo në lidhje me bashkëpunimin e ardhshëm me NATO-n.

Formimi i kabinetit qendror është bllokuar nga anëtarët boshnjakë dhe kroatë të presidencës, të cilët kishin këmbëngulur që kryeministri serb, i cili do të vijë nga radhët e SNSD-së, duhet të zotohet se do të vazhdojë rrugën e Bosnjës drejt integrimit në NATO.

Serbët e Bosnjës nuk e mbështesin anëtarësimin e vendit në NATO, e cila bombardoi pozicionet e tyre, si dhe aleatin e tyre Serbinë, gjatë luftërave ballkanike të viteve 90-ta.

Por, sipas marrëveshjes, udhëheqësit konfirmuan se “do të promovojnë marrëdhëniet me NATO-n pa paragjykuar një vendim të ardhshëm në lidhje me anëtarësimin e Bosnje dhe Hercegovinës”.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje