Gjashtë persona kanë mbetur të plagosur pas shpërthimit në pikën e karburantit në Lezhë, dy prej të cilëve kanë marrë dëmtime të shumta.
Shpërthimi ka ndodhur fillimisht tek depozita e karburantit dhe më pas ka shpërthyer një automjet me gaz pak metra më larg.
Në njoftimin zyrtar për ngjarjen, Policia e Shtetit tha se zjarrfikësit kanë vënë nën kontroll zjarrin në karburant dhe kanë arritur të shmangin plotësisht rrezikun e përfshirjes nga flakët të depozitave të karburantit. Ndërsa në orën 23:20, Policia njoftoi se zjarri ishte shuar plotësisht dhe se tashmë nuk kishte më asnjë rrezik.
“Zjarrfikëset kanë vënë nën kontroll zjarrin te karburanti. Është shmangur plotësisht rreziku i përfshirjes nga flakët i depozitave të karburantit.
Nga shpërthimi i bombolës së gazit në karburant janë lënduar 6 persona. Njëri prej tyre po transportohet për në Tiranë, në repartin e Djegies.
Pesë të plagosurit e tjerë janë jashtë rrezikut për jetën. Zjarrfikësit po punojnë për eliminimin e plotë të zjarrit. Shërbimet e Policisë kanë vendosur perimetër sigurie dhe kanë larguar të gjithë njerëzit përreth karburantit”, tha zyrtarisht Policia e Shtetit