Anije me 1 ton drogë nga Saranda? Policia përgënjeshtron mediat greke

23 Gusht 2019, 18:36Kronika TEMA

Një sasi prej mbi 1 tonë drogë është sekuestruar nga policia greke, e cila u gjet në një anije me vela, ndërsa destinacioni i saj ishte Turqia.

Mediat greke raportojnë se sasia e madhe e drogës ishte nisur nga Shqipëria.

Lënda narkotike besohej se do të këmbehej me heroinë të pastër në Turqi, një metodë e njohur kjo nga grupet e trafikut të drogës.

Policia e shtetit përmes një njoftimi zyrtar ka përgënjeshtruar mediat greke, të cilat kanë publikuar lajmin se anija  me 1 ton drogë e kapur në Greqi kishte hyrë nga Saranda.

Policia thekson gjithashtu se sipas verifikimeve të bëra gjatë kësaj periudhe nuk është konstatuar as nga QNOD e as nga Policia Kufitare asnjë rast i dyshimtë i ndonjë mjeti lundrues në drejtim të Greqisë, apo të vendeve të tjera fqinje.

Më pas bëhet me dije se në datën 15 gusht në Sarandë ka hyrë një mjet lundrues Yaht me emrin “ My Dream” me 3 shtetas turq në bord, mjet i cili nuk ka asnjë lidhje me mjetin lundrues “Veleria” të kapur me drogë në Greqi.

Reagim i Policisë së Shtetit:

Në lidhje me lajmin e publikuar në disa media greke se mjeti lundrues që u kap në Peloponez me një sasi hashashi, dyshohet se kishte ardhur nga Shqipëria, informojmë se:

Policia e Shtetit, në kuadër bashkëpunimit me homologët për të parandaluar dhe luftuar trafikun e lëndëve narkotike, duke shkëmbyer informacion në kohë reale apo duke zhvilluar operacione të përbashkëta, menjëherë pas kapjes nga autoritet greke të mjetit lundrues është vënë në djeni nga homologët, për të dhënat e mjetit dhe personat në bord me qëllim verifikimin e tyre. Të ndaluarit janë shtetas ukrainas.

Nga verifikimi i bërë në regjistrat e PKK Sarandë, Himarë, Vlorë, Porti Jahteve Orikum dhe QNOD, për disa muaj, mjeti lundrues Veleria “MY DREAM” i kapur me drogë dhe dy personat ukrainas në bord, nuk kanë hyrje-dalje në Shqipëri.

Njëkohësisht gjatë kësaj periudhe nuk është konstatuar as nga QNOD e as nga Policia Kufitare asnjë rast i dyshimtë, i ndonjë mjeti lundrues që të ketë lundruar në drejtim të Greqisë, apo të vendeve të tjera fqinje.

Policia Kufitare shkëmben në vijimësi informacion me homologët, me qëllim parandalimin dhe goditjen e rasteve të trafikimit të lëndëve narkotike nëpërmjet kufijve.

Sqarojmë faktin se në 15 gusht në Sarandë ka hyrë një mjet lundrues Yaht me emrin “Dream” me 3 shtetas turq në bord, të cilët kanë kryer proceduara të rregullta hyrje-dalje dhe mjeti është kontrolluar konform rregullave nga Policia Kufitare. Ky mjet nuk ka asnjë lidhje me mjetin lundrues Veleria të kapur me drogë në Greqi.

Policia e Shtetit edhe njëherë shpreh vendosmërinë dhe angazhimin për luftë kundër krimit të organizuar dhe krimit në tërësi, si dhe mbetet e fokusuar çdo ditë e më tepër në forcimin e bashkëpunimit me partnerët për të parandaluar dhe luftuar trafikun e drogës, krimin e organizuar dhe terrorizmin.

Policia e Shtetit fton dhe qytetarët të denoncojnë përmes numrit 112 apo Komisariatit Dixhital për çdo informacion të vlefshëm, për të ndërtuar së bashku më shumë siguri.

1 komente në “Anije me 1 ton drogë nga Saranda? Policia përgënjeshtron mediat greke”

  1. Luke says:

    Greku edhe mund te shpife se e kemi hasem dhe smund te ankohemi por kur opozita e nxin imazhin e vendit te vet edhe kur nuk ka vendim gjykate atehere ky vend ka rene ne duar te poshtra.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje