Ndërsa nuk është ngritur ende SPAK, media ka zbardhur një raport të Ministrisë së Drejtësisë lidhur me krijimin e një strukture të specializuar anti-korrupsion në nivel kombëtar, të përbërë nga policia, prokuroria dhe gjykata.
Nga raporti mësohet se 79 persona i janë nënshtruar gjatë kësaj periudhe trajnimeve për veprat penale që kanë të bëjnë me korrupsionin e niveleve të larta.
“Numri total i pjesëmarrësve është 79 persona, ndër të cilët 29 gjyqtarë, 32 prokurorë dhe 18 të tjerë. Në kategorinë “të tjerë” përfshihen magjistratë të diplomuar, kandidatë për magjistratë, këshilltarë dhe ndihmës ligjorë, avokatë shteti, oficerë të policisë gjyqësore, inspektorë pranë KLGJ, avokatë privatë, specialistë, lektorë”, thekson dokumenti i Ministrisë së Drejtësisë.
Dokumenti i botuar nga Scan zbardh se Këshilli i Lartë Gjyqësor ka nisur që në fillim të këtij viti rekrutimin e gjyqtarëve të përkohshëm të Gjykatave Speciale për veprat e korrupsionit e krimit të organizuar.
“Në mbledhjen e datës 27.12.2018, Këshilli i Lartë Gjyqësor shqyrtoi me prioritet funksionimin e Gjykatave të Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Në përputhje me kompetencat e përcaktura nga ligji, Këshilli vendosi nisjen e procedurës për caktimin e përkohshëm të gjyqtarëve pranë Gjykatave së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, duke i hapur rrugë krijimit të këtyre gjykatave”, theksohet në analizë.