Pak kohë më parë, Florent Hadërgjonaj vendosi të largohej nga Zvicra dhe të niste një aventurë të re, duke u bërë pjesë e Kosovës.
Lidhja e gjakut me Kosovën dhe vuajtjet që familja e tij ka pasur për lirinë e Kosovës, kanë bërë që Hadërgjonaj të jetë më i bindur në lidhje me të ardhmen e tij.
Në një rrëfim të gjatë për “Daily Mail”, ai ka folur jo vetëm për futboll por edhe për kohën e luftës.
“Kur lojtarët tanë ulen dhe bisedojnë, nuk flasin veç për futboll. Secili ka historinë e tij. Ata që s’ishin në Kosovë gjatë luftës pyesin ata që ishin. Ne dëgjojmë nga bashkëlojtarët tanë teksa flasin ecjet nëpër male për t’u shpëtuar luftës teksa ishin fëmijë. Pa ushqim, duke ecur për dy apo tre ditë e dëgjuar të shtënat përreth. Është emocionuese sepse e kupton se edhe familja, xhaxhallarët, kushërinjtë e tu, mund të ishin përballur me të njëjtën gjë.
Ekipi i futbollit tregon fytyrën e mirë të shtetit tonë. Lojtarët tanë janë të lindur në shtete të ndryshme, por janë bërë bashkë për të bërë gjëra të mëdha.
Dashuria për futbollin është e çmendur. Kemi mposhtur Bullgarinë në Sofje dhe qindra fansa ishin në aeroport deri në tre të natës për të na përshëndetur. Nëse dalim për të ngrënë, nuk na lënë të paguajmë. Stërvitjet i bëjmë duke u argëtuar. Nuk mund ta imagjinoj se çfarë do të ndodhë nëse do kualifikohemi në finalet e “Euro 2020””, u shpreh Hadërgjonaj.
Normalisht, Hadërgjonaj ka një informacion në lidhje me luftën në Kosovë, duke qenë se familja e tij u largua kur ai ishte 5 vjeë.. Hadërgjonaj ka pranuar se kur vjen në Kosovë, shpesh herë takon njerëz të prekur nga lufta si edhe ka folur për zgjedhjen mes Zvicrës dhe Kosovës.
“Kam sigurisht informacione, por ishte më vonë kur e kuptova në të vërtetë se çka kishte ndodhur. Ishte vështirë për prindërit e mi. Pjesa tjetër e familjes sonë po luftonte për jetët e tyre dhe nuk mund të bënim asgjë. Babai im kishte kushërinjtë që ishin në ushtri dhe u vranë. Kur kthehem tash në Kosovë, vizitoj familjet, gratë pa burra e fëmijët pa etërit. Ndihem me fat që kam qenë në Zvicër. Më dha gjithçka dhe më mundësoi të bëhem futbollist.
Ishte e vështirë të vendosja. Zvicra u dha prindërve të mi jetë më të mirë, por edhe unë kisha familjen që ka luftuar për një shtet që po rritet. Kam folur sinqerisht me Federatën e Zvicrës dhe jam falënderues që më kanë mirëkuptuar dhe nuk e kanë bërë të vështirë për mua”, tregon futbollisti shqiptar.
Ai është një futbollist që e njeh mirë futbollin anglez duke qenë se aktivizohet me skuadrën e Adërsfilldit, megjithatë u shpreh se Anglia është më e fortë në fushë se sa duket në ekranin e TV.
“Lojtarë të tjerë të Kosovës më kanë pyetur se si janë futbollistët anglezë. U kam thënë: djema shikoni videot, nuk mund t’ju ndihmoj. Anglia ka lojtarë të mrekullueshëm. Duken të rrezikshëm në TV, por duhet t’u them se është edhe më vështirë në fushë. Tifozët tanë vijnë nga çdo vend për këtë ndeshje. E donim Wembley-n para Southamptonit, por ndoshta një stadium më i vogël do të jetë më mirë për ne. 30 mijë në vend të 80 mijëve. Kam luajtur në “St Mary’s” më herët dhe kam barazuar 1-1. Do ta pranoja këtë rezultat tani”, e mbyll rrëfimin e tij Hadërgjonaj.