Nga thumbimet mes Vjosa Osmanit dhe Albin Kurtit përfiton vetëm tarafi i krimit dhe korrupsionit

25 Shtator 2019, 14:07Rajoni TEMA

Nga Enver Robelli 

1. Së pari thumbimet, pastaj partneriteti?

Kur shfaqet Albin Kurti në televizion për intervistë, shumica e simpatizantëve të LDK-së nuk e ofendojnë, nuk merren me thumbime, me tallje, me përgojime. Kur shfaqet Vjosa Osmani në televizion për intervistë, shumë – për fat të keq tepër shumë – simpatizantë e militantë të VV-së e shohin si detyrë të tyre ta thumbojnë kandidaten e LDK-së për kryeministre, ta tallin, ta ofendojnë, të ngrenë dyshime mbi fuqinë e saj politike dhe aftësitë shtetdrejtuese. Mund të merret me mend se po të kishte aderuar Vjosa Osmani në VV, sot të njëjtit militantë të VV-së do ta lartësonin si trimëreshë dhe heroinë e shpresë të skenës politike. Vjosa Osmani shumë qartë po thotë: VV është partneri im, partneri i LDK-së, me këtë partner dua të pastrojë shtetin nga krimi e korrupsioni. Nëse pas 6 tetorit vepron ndryshe, duke u bashkuar me parti të krimit e korrupsionit, atëherë ajo do të kritikohet jo vetëm nga përkrahësit e VV-së.

2. Llafe për flamuj

Vjosa Osmani po thotë që Albin Kurti duhet t’i respektojë simbolet shtetërore të Kosovës: flamurin dhe himnin. Dakord. Por me këtë rast duhet përkujtuar Vjosa Osmanin se në vitin 2014 kryetari i LDK-së Isa Mustafa ka premtuar se si të vijë në pushtet do ta ndërrojë flamurin e Kosovës dhe do ta kthejë «flamurin e Dardanisë» dhe himnin «Kur ka ra kushtrimi n’Kosovë». Po ku mbeti ky kushtrim i LDK-së? Jemi në vitin 2019. Nëse vetë LDK nuk po ndihet fort rehat me këtë flamur të Kosovës, përse të akuzohet Albin Kurti? Është shumë e qartë se Kosova duhet të ketë flamur të vetin, që dallon nga flamuri i Republikës së Shqipërisë. Duhet të ketë Kosova edhe himn. Këtë qëmoti është dashur ta kuptojë Albin Kurti. Nuk ka vepruar mençur kur në sheshet e Prishtinës tallej me flamurin «lara-lara». Nuk ka vepruar mençur kur vonohej në mbledhje të Kuvendit për të mos qenë aty kur ekzekutohej himni.
Ibrahim Rugova e pati bërë një përpjekje për etablimin e simboleve të Kosovës. Dolën «kumanirat» dhe e dogjën pas luftës flamurin që kishte propozuar Rugova. Po të ishte përdorur ai flamur deri më 2008, po të ishte ekzekutuar himn «Kur ka ra kushtrimi n’Kosovë» si këngë solemne – edhe diplomatët do ta kishin pasur vështirë ta imponojnë me vizore dhe me ngjyra të caktuara një flamur dhe himn tjetër. Si në çdo fushë edhe në çështjen e flamurit – dështimi është i përbashkët i klasës politike. (VV nuk ka qenë pjesë e këtyre marrëzive). Kosova ka halle shumë-shumë më të mëdha se simbolet shtetërore. Në atë çast që vendi qeveriset mirë, edhe flamuri bëhet më i bukur. Shiheni ekipin e futbollit të Kosovës…

3. Për të gjitha viktimat

Gati të gjithë politikanët, përfshirë edhe Albin Kurtin dhe Vjosa Osmanin, në debatet televizive dhe në mediat e shkruara po flasin për të zhdukurit. Një plagë e thellë e Kosovës, pa asnjë dyshim. Por çdo politikan i Kosovës që gjatë fushatës elektorale flet për të pagjeturit nga koha e luftës, çdonjëri që thotë se «Serbia duhet të na i kthejë 1800, 1700 apo 1500 viktima», duhet ta ketë parasysh edhe këtë: janë rreth 500 serbë dhe romë të zhdukur në Kosovë gjatë dhe pas luftës. Shumica të rrëmbyer, vrarë dhe zhdukur – me gjasë – nga figura të papërgjegjshme të UÇK-së. Për aq kohë sa Kosova nuk ka përgjigje për këta të zhdukur, Serbia, si shtet agresor, do të keqpërdorë viktimat shqiptare si «mall për kusuritje». Nuk është e ndaluar të flitet për të zhdukurit, por kjo duhet të nënkuptojë: të gjithë të zhdukurit. Kjo pastaj do të hapte debate brenda shoqërisë shqiptare në Kosovë: debate që do të shtronin edhe çështjen e fajtorëve për krimet eventuale të luftës të kryer nga individë dë UÇK-së.

4. Krahasime të kota

Gabimi më i madh i Vjosa Osmanit në debatin e mbrëmshëm në televizionin «T7» ishte ky: krahasimi i Albin Kurtit me Hugo Chavezin. Ose së paku aludimi. (Nëse ka menduar dikë tjetër, le ta sqarojë! Menjëherë!) Këtu ka një kundërthënie: nuk mund ta quash Albin Kurtin «dorën time të djathtë» në çlirimin e Kosovës, siç bëri Vjosa Osmani mbrëmë, dhe njëkohësisht ta krahasosh me Hugo Chavezin. Në Kosovë tani për tani as që ka nevojë për debate ideologjike majtas-djathtas. Ky debat fillon tek pasi Kosova të çlirohet nga kapësit e shtetit, nga krimi e korrupsioni. Sot s’kemi as klasë punëtore, as shtresë pasanikësh të ndershëm. Kemi 99 për qind të varfër dhe 1 për qind oligarkë, «kumanirë» dhe plaçkitës. Për çdo eksponent të LDK-së vlen kjo porosi: kur e kritikoni Albin Kurtin vetëm mbajeni në mend mirë se e keni votuar Hashim Thaçin për president dhe Kadri Veselin për kryetar të Kuvendit. LDK e ka një shans tani: të bëhet parti serioze ose të vazhdojë të keqpërdorë dëshirën e qytetarëve për ndryshim dhe pastaj të shtrihet në shtrat me partitë e krimit të organizuar. Nga ana tjetër: nuk është aspak e dobishme kur Albin Kurti në studio televizive merr rolin e babadimrit zemërgjerë dhe thotë se Vjosa Osmanin do ta bëjë kryeparlamentare. Ndarja e posteve do të bëhet duke respektuar rezultatin zgjedhor dhe Kushtetutën. As në politikë, as në drejtësi nuk funksionon logjika: e heq Lumezin, e sjell Elezin.

5. Shembulli i disaporës rumune

LDK e ka një shans që, duke u bërë pjesë e entuziazmit për ndryshim që e ka ngjallur Albin Kurti, të fshijë disa njolla nga e kaluara e saj. Sepse LDK ka njolla! Pastaj LDK e VV bashkë le të miratojnë në Parlament ligjin që ua mundëson rreth 500 mijë shqiptarëve në Europën Perëndimore të votojnë në ambasada e konsullata dhe me procedura të lehtësuara. Nuk ka garanci që mandej nuk do të ketë krim e korrupsion në Kosovë, por gjithsesi ka garanci që këto devijime do të ndëshkohen! Shembulli i diasporës rumune duhet të na inspirojë (se me gjermanët – qe besa – nuk mund të krahasohemi): diaspora rumune dha kontribut të madh që president i Rumanisë të bëhet një gjerman (me origjinë). Kosova ka shumë njerëz të mirë nga Gjakova në Gjilan dhe nga Mitrovica në Prizren dhe nga Peja në Kaçanik për t’i bërë presidentë e kryeministra. Le të fillojë ndryshimi më 6 tetor! Me Vjosa Osmanin. Me Albin Kurtin. E nëse ndokush nervozohet, qe një renditje e re: Me Albin Kurtin. Me Vjosa Osmanin! Një epilog që mund të nxirret nga fushata e deritanishme është ky: nga thumbimet mes Vjosa Osmanit dhe Albin Kurtit fiton vetëm tarafi i krimit dhe korrupsionit.

3 komente në “Nga thumbimet mes Vjosa Osmanit dhe Albin Kurtit përfiton vetëm tarafi i krimit dhe korrupsionit”

  1. Shkodra R. says:

    Enver Robelli përtej asaj çka thon simpatizantët e VV që gjithsesi nuk e lënë keq as të LDK-s bile sa për fyerje ne e dijmë ngahera se segmentet e LDK ishin dhe janë nga më të pistat. Sig se ska pse të ofendohet Vjosa Osmani. Por varet në cilin kontest ato ndodhin. Nese i thuhet se ska fuqi politike, Thuhet një e vërtetë. Ate ende nuk e ka. Më sa a kishte dikur Nexhat Daci. Por ti je një gazetar Kazoni i lidhur ngusht me LDK DHE ISA MUSTAFËN. Po ashtu sic është Baton Haxhiu nga Kazoni i Thaqit- PDK. Ty Mustafa të ka premtuar edhe poste në diplomacinë kostbare. Në at mandatin që pati nuk mundi apo nuk çau bëthën fare për ty këtë duhet ta dijsh ti. Se je kunder Albin Kurtit edhe kjo dihet. Thjesht je një kkloshar.

  2. Bashkim says:

    Kosova është çliruar me luftën e djemve të rreshtuar në UÇK dhe me ndihmën vendimtare të Amerikes, në horizontin historik tē fundëshekullit 20 u shfaqen një grusht trimash që arritën ti zgjeronin rradhēt e krijuan një ushtri nën hundët e pushtuesit dhe filluan përballjen me një ushtri pakrahasimisht më të fortë.Lufta që e zhvilluan këta trima rezultoi me involvimin luftarak të SHBA-ve e cila për rrjedhoj direkte pati çlirimin e vendit nga pushuesi.Vetëm këta ishin në këmbë,të tjerët ishin të shtrirë për tokë,Shqipërinë e kishtë varrosur për së gjalli Sali Berisha me piramidat dhe luftën civile,kurse Kosovën Ibrahim Rugova me politikën frikësimit tmerrues dhe mashtrimin e pashembullt duke e luejtur lojen e një presidenti e kishte bërë fakt të kryer dorëzimin.UÇK-ja është prurja historike,kukturore,emancipuese dhe jetësore e shqiptarëve në fundëshekullin e kaluar e cila e përmbysi historinē mija vjeqare të Kosovës,dhe këtë prurje gjigante e realizuan ata trima të cilët ishin të vetëm por me ideale të pathyeshme.Pas luftes një pjesë e luftëtarëve e kanë ndotur veten me korrupsion e hajni deri në nivelin që janë bërë për faqe të zezë.Nëse vendoset rendi dhe ligji do të duhej që të gjithë këta që kanë vjedhur duhet të përfundojn në burg,por ajo që më bëri të shkruaj këtë koment është habia imeme z.Robelin,mbeta i habitur se si z.Robeli i rehabiliton aq leht dy kampe politike që janë etabluar në skenen politike LDK dhe LVV.Si mundet z.Robeli që të shpresosh që LDK-ja do të nxjerr Kosoven nga kriza duke pas parasysh që ata për udhëheqës shpirtëror e kanë njeriun që moto dhe aksiom të jetes politike të tij e ka pasur,papërgjegjësinë,mashtrimin dhe tradhëtinë, dhe për udheheqes të sotëm e kanë kolaboracionistin e hapur Isa Mustafa i cili ka qenë kryetar i qeverise së Prishtines ne kohen e pushtimit,të shpresosh që një proveniencë e tillë politike të disponoj me kapacitete morale për ta e bërë ndryshimin është në kufijtë e marrëzisë,dhe në anën tjeter rehabiliton VV duke e parë si shpresë një lëvizje anarkiste,lëvizja vetëvendosje është lëvizje anti sistem,udhëhqësi i sajë është një donkishot politik që manipulon me ndjenjat dhe hallet e njerëzve,ai është një hiq,si mundet të jet shpres njeriu që hapur nuk e njeh shtetin,ai sistemin e përdor si trampolin në hapërimin ëndërrimtarë të tijë.Eshtë e drejtë elemenare e qdo kujt të besoj e shpresoj.

  3. Millosh Gjergji says:

    Nga i tërë teksti, vetëm një kontest e përshëndesë: e drejta e diasporës për votë, nga se këta nuk janë të varur nga asnjë parti politike dhe votën ia japin atijë, te i cili shpresojn që është progresiv dhe atdhetar. Kurse elegjitë për dhe mbi LDK’ën, siq e ceku edhe komentuesi “Shkodra”, i bënë gazetari vetëm me shpresë që LDK’ja do e shpaguaj me ndonjë post konsular apo prej ambasadori. Vetëm n’Kosovë dhe n’Bangladesh ndodhë që gazetari apo përkthyesi të vihet ambasador i shtetit dhe të përfaqësoj atë. Edhe më keq është që kjo ndodhë, sikur në rastet e Washingtonit, Berlinit dhe Londrës. Në të tre rastet kishim vënë ambasador me profesion gazetari apo përkthyesi, thuajse që ishim në 1918’tën dhe analfebitizmi na kishte kapluar. Shqiptaria kishte dhe ka gjithnjë personalitete me kapacitet prej intelektuali, që për arsye kodeksi nuk u kyçën në asnjë parti politike, duke mbajtur anën neutrale dhe të pastër politike. Por “elita” politike jo vetëm që i harroi, por edhe i ofendoi ata duke i lënë jashtë diplomacisë ndërkombëtare dhe zëvendësuar ata me pallaço a la “Lladrovci”, “Hyseni” dhe shumë të tillë. Autorit të tekstit i është siguruar posti që tani nga LDK’ëja, se përndryshe do ishte i paanshëm dhe s’do i këndonte elegji përkthyeses së Dr.Rugovës.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje