Regjisori Roma Polanski është sërish nën akuzë për përdhunim. Një aktore franceze e akuzoi të premten se e ka përdhunuar në një shtëpi skish në Gstaad, Zvicër, në vitin 1975.
Valentine Monnier i ka rrëfyer francezes “Le Parisien” se regjisori e përdhunoi kur ishte vetëm 18 vjeç. Në shkrim flitet për shumë njerëz të tjerë që mbështesin akuzën, duke dëshmuar se aktorja ua kishte treguar ngjarjen në atë kohë.
Polanski nuk po përballet me asnjë veprim juridik në Francë lidhur me këtë akuzë. Por Monnier tha që ajo gjeti kurajën për të folur publikisht pikërisht në momentin kur Polanski pritet të publikojë filmin më të fundit, “Një oficer dhe një spiun” (“J’Accuse”), i do të jetë në kinematë franceze javën e ardhshme. Premiera botërore e filmit ishte në Festivalin në Venecia, ku fitoi çmimin “Silver Lion Grand Jury” dhe mori vlerësime kryesisht pozitive.
“Përdhunimi është bombë me sahat“, i tha ajo gazetës. “Kujtimet nuk vdesin. Ato kthehen në fantazma dhe të përndjekin, të ndryshojnë si njeri“.
“Unë e denoncoj këtë krim duke ditur që nuk mund të ketë ndëshkim, në përpjekje për t’u dhënë fund përjashtimeve, mosndëshkimit. Figurat publike po vlerësohen si modele. Duke i pasur idhuj fajtorët, ne e bëjmë të pamundur që njerëzit të kuptojnë pasojat serioze të veprimeve të tyre“, shtoi Monnier.
Polanski ka jetuar në mërgim në Francë që prej ikjes nga ShBA në vitin 1978, përpara se të dënohej me akuzën e përdhunimit të një vajze 13-vjeçare. Përpjekjet e shumta ndër vite për të zgjidhur çështjen me prokurorët e Los Angeles kanë zgjidhur gjë, pasi Polanski nuk ka pranuar të kthehet dhe t’i nënshtrohet juridiksionit amerikan.