Pas vizitës së Meidanit dhe Doktorit tek Meta, Jari vendosi të përgatisë fjalimin që do mbajë në takimin me Metën.
Që të mos ngatërrohet, vendosi ta ketë të shkruar.
Po ashtu, i ka kërkuar presidentit të mos e përcjellë mu tek dera si Berishën, se mund t’i ngelet qejfi Doktorit, se i duket sikur e vlerësojnë dhe atë njësoj si të tjerët:
“Të dashur demokratë,
Jari ju sqaron!
Më poshtë janë disa nga tezat e mija në takimin që pres të realizoj me zotin Meta.
Së pari, do ta falenderoj zotin Meta që është kthyer në tribun popullor për mbrojten e Kushtetutës dhe kryerjen e Reformës në Drejtësi, pasi vetëm njerëz popullorë si ai dhe luftëtarë të mëdhenj të betejës antikorrupsion, mund ta bënin një betejë të tillë.
Së dyti, do t’i jap mbështetjen time sa të mundem në kryerjen e punëve në Presidencë, ndërkohë që ai po merret me këtë betejë të madhe.
Jam gati t’i vihem në dispozicion që gjithë këto aktivitetet e tjera rutinë, si dhënie dekoratash, pritje, përcjellje, takime, t’i realizoj unë pa dalë në skenë.
Dhe për këtë nuk dua shpërblim.
Së treti, do t’i jap shpjegimin tim pse ajo gruaja shkoi u betua mbi Kushtetutë tek noteri.
Kjo është një lëvizje e hershme e Edi Ramës, se ai pat thënë prej vitesh që presidenti është thjesht noter.
Këtë e pat thënë dhe për mua.
Dhe për ta vërtetuar këtë, dhe ajo shkoi tek një noter, demek të tregojë se noter për noter, njësoj janë.
Së katërti, dua t’i shpjegoj pse duhet shkarkuar Dvorani.
Ai s’mund të jetë në krye të KED, pasi ka konflikt interesi me gjithë opozitën.
Me zotin Meta ka konflikt interesi, se e ka gjykuar çështjen e tij dhe ka dalë në pakicë.
Me zotin Berisha ka konflikt interesi pasi i është vrarë vëllai në Gërdec dhe ai akuzon Shkëlzenin si vrasës të tij.
Me zotin Basha ka konflikt interesi, se Dvorani ka bllokuar në Gjykatë të Lartë njehësimin e vendimit për të dëmshpërblyer pallatin e Lulit në Vlorë.
Si mund të jetë ky njeri në krye të KED?
Kam dhe disa skema të tjera se si të organizohemi ditën finale, kur policia të hyjë në Presidencë për të nxjerrë andej Ilir Metën, si të përdorim kundragazin dhe lopatën xheniere, dhe si të përballojmë shpërthimet e mundëshme.
Di unë ca tunele të fshehta që të nxjerrin andej pa u prekur, pasi të bëjmë betejën.
Por këto janë sekret dhe do t’ia them në takim.
I juaji, Jari!”